SHBA - Një incident i ndodhur në aeroportin e Dallasit ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, vetëm pak muaj përpara nisjes së Kupës së Botës 2026 (11 qershor - 19 korrik). Një video e bërë virale tregon një përballje mes një burri dhe një grupi tifozësh irakenë, duke ngritur pikëpyetje mbi klimën e sigurisë dhe mikpritjes përpara turneut më të madh të futbollit në histori, i cili do të zhvillohet këtë verë në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Pamjet tregojnë tifozët e Irakut duke kënduar dhe festuar në aeroport, ndërsa mbanin një banderolë me mbishkrime në arabisht dhe spanjisht. Situata tensionohet kur një person afrohet papritur, ua rrëmben banderolën dhe nis të bërtasë: “Jeni në Amerikë” dhe “Mos ejani në Amerikë”.

Përplasja verbale u përshkallëzua shpejt, ndërsa tifozët u përpoqën të qetësonin situatën duke theksuar se bëhej fjalë vetëm për një ndeshje futbolli.

“Është një ndeshje futbolli, zotëri”, dëgjohet të thotë një prej tyre, ndërsa të tjerë e cilësuan incidentin si të padrejtë. Personi në fjalë u largua më pas nga vendi i ngjarjes pasi grisi flamurin dhe kërcënoi se do njoftonte ICE (Imigracioni dhe Doganat në SHBA).

Videoja u publikua në rrjetet sociale nga komentatori sportiv Hussein Pepe dhe brenda pak orësh grumbulloi miliona shikime, duke shkaktuar reagime të shumta.

Kujtojmë se Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në tre vende, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada, teksa do të jetë edicioni i parë me 48 ekipe pjesëmarrëse. Turneu nis më 11 qershor dhe përfundon më 19 korrik me finalen në 'MetLife Stadium' në New Jersey.