TIRANE-Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka dëshmuar për rreth 60 minuta para prokurorëve të Krimeve të Rënda në lidhje me videon e kunatit të Babales. Ai hyri në ambientet e prokurorisë në orën 13:00, përfundoi dëshminë duke u larguar në orën 13:55 minuta, ndërsa nuk dha asnjë prononcim për mediat.
Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka zbardhur dëshminë e Ardi Veliut para prokurorëve Gentjan Osmani dhe Përparim Kulluri. Sipas burimeve, Veliu ashtu si në deklaratëN e policisë pak ditë më parë edhe sot ka mohuar njohjen me Fredi Alizotin, i cili pretendon se e ka marrë në makinë dhe i ka bërë presion për të ndryshuar dëshminë.
Nuk kam asnjë njohje dhe kontakte me Fredi Alizotin, nuk e kam takuar asnjëherë. Nuk e di se përse më akuzon, gjithçka që ka thënë nuk është e vërtetë.
Ardi Veliu
Në kuadër të dosjes Babale, specifikisht videos së kunatit të Albert Veliut, Fredi Alizoti nesër do të dëshmojë te Krimet e Rënda edhe ish-drejtori i policisë bashkiake të Tiranës në kohën e Bashës, Florenc Hoxha.
Në videon e dytë Alizoti pretendon se është marrë në makinë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe i është bërë presion për të dhënë në Prokurori dëshmi të rremë lidhur me çështjen "Babale".
Gjithashtu, ai pretendon se është takuar edhe nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili i ka premtuar para për të ndryshuar versionin e ngjarjes.
Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu sot te Prokuroria e Krimeve të Rënda
Sipas përgjimeve të Prokurorisë të cilat "Shqiptarja.com" i publikoi ekskluzivisht disa ditë më parë, Fredi Alizoti në biseda telefonike me "Babalen" por edhe persona të tjerë si Florenc Hoxha dhe Erzen Breçanin, ish-policë në kohën e PD, thotë se zërin e Agron Xhafajt, vëllain e ministrit të Brendshëm e ka bërë ai, si dhe për vënien në jetë të këtij skenari do paguheshin 200 mijë euro nga deputeti me mbiemër Salianji.
Gjithashtu, bazuar gjithmonë te përgjimet e zbardhura, Alizoti shprehet i zhgënjyer me Albert Veliun, i cili nuk i ka dhënë asnjë lek dhe ishte larguar në drejtim të Kosovës për azil. Ndërkohë që për këtë cështje edhe deputeti i PD, Ervin Salianji është zyrtarisht nën hetim për kallëzim të rremë dhe dëshmoi javën e kaluar në prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ndër të tjera tha se videon me kunatin e Babales, që publikoi ia kishte dhënë Florenc Hoxha.