Sheshi Skëndërbej, që në qytetin e Kukësit vetëm pak kohë më parë i’u nënshtrua një rikonceptimi e rehabilitimi, tashmë është kthyer në një vend ku automjete të ndryshme bëjnë spektakël, duke xhiruar gomat dhe duke bërë rrotullime.

Por, ajo çka e përkeqëson situatën është fakti se ky spektakël bëhet në një kohë kur reshjet e dëborës kishin zbardhur gjithçka e ku në qytet kishte arritur deri në 20 centimetra.

Kjo video është regjistruar në datën 7 janar të këtij viti dhe shihet qartë sesi një autojet tip Golf 2, bën dhjetra rrotullime dhe xhirime, por që fatmirësisht në kohën kur drejtuesi i automjetit bënte të tilla veprime nuk kishte njerëz në këtë shesh.

Ky spektakël nuk dihet nëse është bërë nën hundën e policisë, e cila zakonisht lë një patrullë për të disiplinuar trafikun, sakohë që aty afër janë edhe institucionet më të rëndësishme dhe është një zonë e frekuentuar nga qytetarët.

Spektaklet me automjete nuk janë të pazakonta për qytetin e Kukësit, ku shumë drejtues automjetesh duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor bëjnë të tilla veprime, të cilat shkaktojnë tek këmbësorët panik, pasi automjeti mund ti dalë jashtë kontrollit shoferëve e kjo mund të sjellë ndonjë ngjarje aksidentale.

Policia rrugore herëpashere ka ngritur zërin, si dhe ka vënë masa ndëshkuese për drejtuesit e automjeteve, por këta të fundit, mesa duket edhe në këtë video, vijojnë që të kryejnë të tilla veprime.

Sheshi “Skëndërbej” tashmë është rikonceptuar falë një projekti që rehabilitoi dhe funksionalizoi një nga sheshet kryesorë të qytetit.

Ky projekt, përfundoi dhe në të u investuan rreth 2 milionë dollarë, duke i dhënë zgjidhje një nga problemeve të qytetit të Kukësit, të rehabilitimit të këtij sheshi, në të cilin u pritën dhe u përcollën qindra mijëra shtetas nga Kosova, gjatë krizës së vitit 1999.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)