BRITANI E MADHE- Ndërsa Kryeministri britanik, David Cameron po dilte nga një sallë në Leeds, ku po promovohej ideja e një treni të ri të shpejtësisë së lartë, ndaj tij u “turr” një person i veshur me të zeza. Pa shkaktuar dëme, ky i fundit u neutralizua menjëherë nga truprojat e kryeministrit, ndërsa vetë Cameron u shoqërua me urgjencë në makinën e tij.
 
Siç shihet dhe në video, një i ri i veshur me të zeza shkaktoi një rrëmujë të madhe pasi po vraponte drejt Kryeministrit britanik, në dukje, me qëllime jo fort të mira. Ndërsa mediat britanike kanë kritikuar ashpër nivelin e sigurisë dhe të profesionalizmit të truprojave të Cameron, zbulohet se gjithçka ishte një keqkuptim i madh, gati në notat e qesharakes.
 
Sipas Policisë lokale “atentatori” ishte thjesht një i ri i shkujdesur që po vraponte drejt një palestre aty pranë, dhe për këtë arsye u la i lirë, fill pas verifikimeve të nevojshme. Videoja në fjalë ka bërë xhiron e botës dhe të rrjeteve sociale.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)