Një ditë pas publikimi të gjendjes skandaloze në të cilën ndodhet Kopshti Zoologjik i Tiranës dhe transmetimit të pamjeve të rënda të kalit të masakruar nga demi, Bashkia e Tiranës ka vendosur të mbyllë dyert e këtij vendi torturash.
 
Por përveç mbylljes së Kopshtit Zoologjik Bashkia e Tiranës duket se u ka mbyllur dhe gojën punonjësve të këtij institucioni, pasi asnjë prej tyre nuk pranoi të prononcohej për rastin në fjalë.
 
Jashtë kamerave veterineri Klement Fullani tha se në kafazet e Kopshtit Zoologjik bashkëjetojnë kafshë të ndryshme si kali me demin apo edhe lamat, delja dhe dhia.
 
Ermal Elezi, vullnetar i Animal Rescue Albania i ndodhur pas hekurave të portës së Kopshtit Zoologjik u shpreh se video e kalit me organet e brendshme të dala i ka shokuar dhe kërkojnë vëmendjen e plotë të organeve kompetente.
 
Pamja e frikshme e kalit me organet e brendshme që i varen ka indinjuar dhe studentët e Biologjisë Natyrore të cilët të mbledhur para Fakultetit të Shkencave të Natyrës kishin shkruar një peticion bashkisë së Tiranës me anë të të cilit të mbyllej Kopshti Zoologjik.
 
Sipas bashkisë, Këshilli Bashkiak nuk ka kaluar për miratim dhënien me koncesion të Kopshtin Zoologjik, që ka sjellë dhe degradimit e tij ditë pas dite, pavarësisht se ky kopsht është nën administrimin e Bashkisë.
 
kopshti zoologjik
kopshti zoologjik

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)