Kreu i Kuvendit, Ilir Meta i ka quajtur te papranueshme rastet e dhunës se policisë ndaj qytetarëve, denoncuar përmes disa videove, ku uniformat blu shihen duke rrahur dhe dhunuar një qytetar, në sy të zëvendësdrejtori duke thënë se duhen marrë masat e duhura në mënyrë që integriteti i policisë të mos dëmtohet nga të papërgjegjshëm.

Në videon e xhiruar nga qytetarët, e gjatë 2 minuta e 17 sekonda dhe të siguruar nga A1 Report, shihet se gjithçka nis pas një aksidenti të ndodhur në qendër të qytetit të Korçës, ku një i ri ka përplasur nga mbrapa automjetin e zëvendësdrejtorit të policisë Hyseni.

Deklaratën Kreu i Kuvendit, Meta e ka bërë sot nga Pusteci, njesia vendore më e re në vend, duke iu pergjigjur interesit të medias për denoncimet e fundit.

Ne distancohemi në çdo akt dhune ndaj qytetarëve, aq më tepër kur ajo vjen nga njerëz që shpërdorojnë uniformat e rendit. Por jam i bindur që Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë marrë dhe do të marrin të gjithë masat e duhura që individ të veçantë me sjelljen e tyre të papërgjegjshme të mos dëmtojnë integritetin e policisë tonë dhe besueshmërinë e saj në raport me qytetarët.”-tha Meta.  

Ora 15:57 Didi pas mbledhjes: Ka edhe raste të tjera si ato të videove, qytetarët ti denoncojnë
Pas përfundimit të mbledhjes me krerët e komisariateve, Didi në një prononcim për media ka thënë se fokusi i takimit ishte pas ngjarjeve të ditëve të fundit të punonjësve të policisë së qarkullimit.

Sipas tij këto nuk janë ngjarje të vetme, por mund të ketë edhe të tjera.

Ngjarje të tilla tha Didi nuk tregojnë punën e madhe që po bëhet ne polici por e  minojnë atë. “U kërkova shefave të mos e masin punën me shifra e statistika por me shërbimin që u japin qytetarëve,”  - tha ai.
Përsa i përket ngjarjeve të tritolit Didi është shprehur se po bëhen hetime intensive nga të cilat deri më tani kanë dalë disa rezultate dhe pritet që të dalin edhe rezultate të reja. 


Ora 14:50 Videot e dhunës, Didi mbledh drejtuesit e komisariateve
Ngjarjet e fundit kriminale në vend si dhe dy incidentet ku janë përfshirë efektivët e policisë duke dhunuar qytetarët kanë detyruar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi të mbledhë drejtuesit e komisariateve. 

A1 Report ka mësuar se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Didi takim me shefat e komisariateve zhvillohet në ambientet e Akademisë së Policisë. Po të njëjtat burime bëjnë me dije për A1Report se në këtë takim flitet për incidentet e policisë me qytetarët.
 
Meta: Në zgjedhjet lokale me kandidatë të përbashkët
Kreu i LSI, Ilir Meta ka folur edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale, ku ka theksuar edhe njëherë se në këto zgjedhje mazhoranca do të hyjë me kandidatë të përbashkët me PS, ku prioritet është përzgjedhja e emrave që garantojnë një shërbim sa më të denjë dhe cilësor ndaj qytetarëve.
 
“Prioriteti ynë është përzgjedhja e emrave që garantojnë një shërbim sa më të denjë dhe cilësor ndaj qytetarëve dhe jo thjesht përkatësinë e tyre partiake. Sepse zgjedhjet vendore janë zgjedhje për të zgjidhur dhe menaxhuar problemet e komunitetit. Shoqëria civile ka qenë dhe do jetë mjaft e mirëpritur dhe mjaft aktive për zgjidhjen e problemeve vendore.

Fjala e plotë e Didit për shefat e komisariateve: Puna juaj monitorohet, presim rezultate

Këto veprime kanë cenuar rëndë imazhin dhe punën e policisë, dhe minojnë  punën e madhe që ka bërë dhe po bën Policia e Shtetit.
 
Askush nga ju, apo cili do punonjës policie nuk është i emëruar në detyrë për të treguar se sa të fortë jeni , por për të treguar se sa i fortë është ligji.
 
Askush  s’ju ka dhënë të drejtën të ndani qytetarët në kategori e në emra të përveçëm ,  por të zbatoni ligjin njësoj për të gjithë e t’ju shërbeni të gjithëve me të njëjtin standard shërbimi  .
 
Respektoni liritë dhe të drejtat e qytetarit , ofroni për qytetarin shërbim sa më të kulturuar, sa më profesional, prodhoni rend e siguri për komunitetin ku shërbeni e jo veprime të tilla të shfaqura në media .
 
Puna juaj është e  monitoruar nga qytetarët dhe media, ndaj tregoni përgjegjshmëri e profesionalizëm , përkushtim e ndershmëri , performancë në komunikim e paraqitje dhe komuniteti ka për t’ju vlerësuar dhe mbështetur.

 
Puna juaj nuk do matet më me statistika , por do matet nga vlerësimi që do  ketë komunitetit ku ju shërbeni , nga niveli i sigurisë në terren , si dhe nga standardi i shërbimit që prodhon edhe punonjësi më i fundit në Komisariatin e Policisë ku shërbeni.
 
Merrni masa të menjëhershme për një kontroll sa më të mirë të terrenit, të marrjes së  informacionit në kohë për të parandaluar dhe zbuluar ngjarjet kriminale si  dhe bashkëpunoni me komunitetin se puna jonë pa bashkëpunimin e komunitetit nuk mund të ketë rezultatet e pritshme nga të dyja palët.”


Po ashtu Didi ka kërkuar nga vartësit e tij të respektohet etika e komunikimit me qytetarët dhe veshja e uniformës në orarin e punës, pasi në raport me qytetarin çdo efektiv përfaqëson uniformën e shtetit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)