Analisti Ergys Mërtiri e ka cilësuar si një veprim të turpshëm dhe të ndyrë publikimin e videove me përmbajtje seksuale, ku shfaqeshin emra të njohur të botës së artit.

Në një lidhje live për Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu, Mërtiri tha se ata që kanë publikuar videot, duhet të përballen me Drejtësinë sa më parë.

Sipas Mërtirit, personat e shfaqur në video nuk janë persona me përgjegjësi publike dhe s’ka asnjë arsye pse jeta e tyre intime të bëhet publike.

“Publikimi i këtyre videove është një gjë e turpshme dhe e ndyrë. Ata të cilët i ofrojnë publikut llokma të tilla për t’i shqyer, i ofrojnë dinjitetin e njerëzve që publiku t’ua shqyej dhe të merret me intimitetin e disa njerëzve që nuk janë njerëz me përgjegjësi publike, kjo është e turpshme dhe ata që e kanë bërë këtë sigurisht që kanë konsumuar një vepër penale për të cilën duhet të japin llogari në Gjykatë”, tha mes të tjerash Mërtiri.

Duke thënë se artistët e shfaqur në video janë viktima, Mërtiri shtoi se publikimi i videove tregon banalitetin dhe boshllëkun kulturor në të cilin është ‘zhytur’ shoqëria shqiptare.

“Personat e kapur në video tashmë janë viktima. Sepse ata nuk kanë shkuar aty për t’ju ekspozuar publikut. Edhe në qofshin gabim, dhe për mua janë gabim, kjo është gjë private e tyre dhe ne nuk na takon fare të merremi me gjëra private të tyre. Kjo tregon një lloj banaliteti dhe boshllëku të madh kulturor në shoqërinë shqiptare”, shtoi Mërtiri.


Lajmi kryesor:

Berisha i paftuar në ceremoninë e Ambasadës së SHBA, Mërtiri: Është ‘non grata’, pagoi miliona dollarë për një vizë! Plaku po mban peng opozitën për interesat e veta (VIDEO)