Përballja në ring mes boksierit shqiptar nga Maqedonia, Sefer Seferi, dhe britanikut Tyson Fury-t, ishte një duel i mërzitshëm në “Manchester Arena” i cilësuar i tillë si nga specialistët ashtu edhe nga mediat. Në jo pak momente dukej sikur të dy boksierët po aktronin në ring.
Por teksa Sefer Seferi dhe Tyson Fury nuk po bindnin deri në raundin e dytë, një sherr masiv shpërtheu mes fansave, duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve, përfshirë edhe të boksierëve. Vetëm pas ndërhyrjes së rojeve të sigurisë situata arriti të qetësohej. Në konflikt u përfshinë dy grupet rivale të fansave të boksierëve.
Boksieri shqiptar Seferi nuk arriti dot të shkonte më shumë se raundi i katërt, duke u mundur me ‘nokaut’ nga bisha britanike i cili kishte që nga shtator i 2016-ës që nuk ngjitej në ring, për shkak se rezultoi pozitiv ndaj përdorimit të substancave të ndaluara.