Policia njoftoi sot se ka vënë nën hetim përgjegjësen dhe arkëtaren e Zyrën Postare Bilisht, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëra-tjetrën, gjatë periudhës shtator 2025 - janar 2026, ato kanë vjedhur rreth 22 000 000 lekë të rinj nga fondi i postës.
Përmes një komunikate për shtyp, Posta Shqiptare thekson se fondet e pensioneve nuk janë cenuar dhe shpërndarja e tyre vijon normalisht, pa asnjë ndërprerje, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit për të gjithë përfituesit.
"Posta Shqiptare informon opinionin publik se, pas konstatimit të disa parregullsive në administrimin e fondeve financiare në Zyrën Postare Bilisht, Filiali i Postës Shqiptare Korçë ka ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet administrative dhe ligjore të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Si rezultat i kontrolleve të brendshme të kryera nga strukturat përkatëse të institucionit, janë evidentuar dyshime të arsyeshme për mungesë fondesh dhe parregullsi në dokumentacionin financiar. Për këtë arsye, Posta Shqiptare, nëpërmjet Filialit Korçë, ka depozituar zyrtarisht kallëzim penal pranë organeve kompetente të drejtësisë, duke kërkuar fillimin e procedimit penal për personin përgjegjës, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
Posta Shqiptare siguron qytetarët se fondet e pensioneve nuk janë cenuar dhe shpërndarja e tyre vijon normalisht, pa asnjë ndërprerje, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit për të gjithë përfituesit.
Posta Shqiptare thekson se ka bashkëpunuar dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë plotësisht me organet e hetimit për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm.
Institucioni distancohet nga çdo formë abuzimi me detyrën dhe mbetet i angazhuar maksimalisht për garantimin e transparencës, ligjshmërisë dhe mbrojtjes së interesit publik. Çdo shkelje e konstatuar trajtohet me seriozitet maksimal dhe referohet pa vonesë pranë autoriteteve kompetente.
Duke respektuar procesin hetimor dhe parimin e prezumimit të pafajësisë, Posta Shqiptare nuk mund të japë detaje të mëtejshme mbi çështjen në këtë fazë, por siguron publikun se po merren të gjitha masat e nevojshme për forcimin e kontrollit të brendshëm dhe parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen",- deklaron posta Shqiptare
Lajmi kryesor:
Vodhën 22 milionë lekë pensione dhe ndihmë ekonomike, në hetim 2 punonjëset e Postës në Devoll
Komente









