BERAT- Rreth dy milionë lekë janë vjedhur në Rajonin nr. 2 të Minibashkisë së qytetit të Beratit. Grabitja ka ndodhur gjatë natës së të dielës. Sipas burimeve, shuma e lekëve është marrë nga arkat e dy zyrave, nga ajo e Gjendjes Civile, si edhe ajo e Tatim Taksave. Autori i dyshuar për këtë ngjarje, i identifikuar nga policia e Beratit është shtetasi me iniciale N.P, i cili menjëherë është shpallur në kërkim. Ndërkohë, procedim penal ka filluar edhe ndaj shtetasit me iniciale F.B për shpërdorim detyre.

Ngjarja
Mbrëmjen e së dielës, disa persona kanë mundur të vjedhin një sasi lekësh prej dy milion lekësh në qytetin e Beratit. Ngjarja ka ndodhur në Rajonin nr. 2 të Minibashkisë së këtij qyteti. Sipas burimeve, mësohet se hajdutët kanë thyer derën në momentin kur në zyrat e këtij institucioni nuk kishte asnjë njeri, dhe kanë arritur të marrin rreth dy milion lekë. Sipas të dhënave zyrtare, shuma e lekëve është marrë nga arkat e dy zyrave, nga ajo e Gjendjes Civile, si edhe ajo e Tatim Taksave.

Kanë qënë pikërisht punonjësit e kësaj Minibashkie, të cilët mëngjesin e djeshëm teksa kanë shkuar në punë, kanë konstatuar vjedhjen dhe menjëherë kanë bërë denoncimin në polici. Sipas Drejtorisë së Qarkut të Beratit, grabitja është kryer me anë të thyerjes së portës kryesore.

Hetimi
Sipas policisë së Beratit, bëhet me dije se i dyshuar si autor i grabitjes është shtetasi me iniciale N.P i cili menjëherë është shpallur në kërkim. Po ashtu, sipas të njëjtave burime, procedim penal në "gjendje të lirë" ka filluar edhe ndaj shtetasit me iniciale F.B me detyrë Agjent Tatimor të kësaj Minibashkie. Ai akuzohet për “shpërdorim të detyrës”, pasi nuk ka bërë arkëtimin në bankë të shumës së vjedhur, ashtu siç duhet ta bënte çdo ditë pas përfundimit të orarit zyrtar të punës.

Gjithashtu, punonjës të kësaj Minibashkie, në bashkëpunim me ekspertë hetimorë kanë nisur verifikimet në dokumentacionin e institucionit, për të parë nëse janë vjedhur ose jo dosje të kësaj njësie vendore.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)