DURRES - Gjatë operacionit të koduar “Start”, Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë dy shtetas dhe ka shpallur në kërkim një të tretë, si autorë të 10 vjedhjeve të automjeteve në zonën e plazhit në qytetin bregdetar.

Të arrestuar janë Eduart Xaka, 24 vjeç dhe Naim Murati, 44 vjeç, të dy banues në Krujë dhe ka filluar procedimi penal në mungesë dhe po punohet për kapjen e shtetasit Afrim Xhixha, 33 vjeç, banues në Larushk të Fushë-Krujës.

Xaka dhe Murati janë arrestuar në flagrancë më datë 12.01.2013, rreth orës 19.00, në lagjen Nr. 13 Plazh, sektori Hekurudha në kohën kur po kryenin vjedhjen e automjetit tip BMW-X5 me targa AA003DR, i cili ishte në pronësi të shtetasit Sh.G., 44 vjeç, nga Durrësi.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Durrësit në bazë të veprimeve hetimore dhe provave të grumbulluara “rezultoi se personat në fjalë, në bashkëpunim me njëri-tjerin, kanë kryer në lagjen Nr.13 Plazh vjedhjet e mëposhtme:

1-Më datë 11.01.2013 dyshohet të kenë vjedhur automjetin tip Benz furgon me targa KV054A, pronë e shtetasit B.B.
2-Më datë 10.01.2013, në Sektorin Apollonia kanë vjedhur automjetin BMW- X3 me targa AA100BT, pronë e shtetasit L.I., banues në lagjen Nr. 17 Durrës.
3-Më datë 07.01.2013 kanë vjedhur automjetin tip furgon me targa DR2645D pronë e shtetasit I.B., banues në lagjen Nr. 13 Durrës.
4-Më datë 23.12.2012, në lagjen Nr. 13 Durrës kanë vjedhur automjetin tip Volswagen me targa DR484A, pronë e shtetasit K.B., banues në lagjen Nr 13 Durrës.
5-Më datë 09.09.2012 kanë vjedhur automjetin BMW me targa DR6800E, pronë e shtetasit E.Th., banues në lagjen Nr. 13 Durrës.
6-Më datë 06.09.2012, në lagjen Nr. 13 Durrës, kanë vjedhur automjetin Benz Mercedes me targa të Kosovës 629 – KS – 629, pronë e shtetasit R.M., banues në Kosovë.
7-Më datë 03.09.2012, kanë vjedhur automjetin Benz 320 me targa DR0440F, pronë e shtetasit F.T., banues në lagjen Nr. 3 Durrës.
8-Më datë 01.09.2012, kanë vjedhur automjetin tip Audi A6 me targa italiane, pronë e shtetasit I.Gj., banues në lagjen Nr. 14 Durrës.
9- Më datë 23.08.2012, kanë vjedhur automjetin Benz me targa italiane CL202Ç, pronë e shtetasit S.H., banues në lagjen Nr. 13 Durrës”.

Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar: 1 Automjeti tip BMW me targa AA003DR, 1 Automjeti tip BMW me targa AA397U, i cili pas verifikimeve rezultoi se kishte modifikim në targa pasi i përkiste mjetit me targa AA100BT pronë e shtetasit L.I., kasetofonë të markave të ndryshëm, koka sediljesh, amflikatorë të ndryshëm, tre telefona celularë, dy karta bankare.

Materialet proceduriale në ngarkim të 3 personave i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale të “vjedhjes së kryer në bashkëpunim”.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)