Vijojnë ndihmat nga partnerët për Shqipërinë e prekur nga tërmeti.
Dy ekspertë të OKB që merren me vlerësimin e katastrofave dhe koordinimin e punës për kapërcimin e pasojave, kanë shkuar në Shqipëri në ndihmë të qeverisë shqiptare, një ditë pas tërmetit. "Dy anëtarët e ekipit të mbështetjes teknike mbërritën sot në Tiranë duke iu bashkangjitur ekipit europian të mbrojtjes civile, për të ndihmuar qeverinë në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit,” tha sot zëdhënësi i OKB, Stephane Dujarric në konferencën e përditshme të shtypit mbajtur në selinë e OKB në Nju Jork.
Dujarric pati njoftuar një ditë më parë dërgimin e dy teknikëve të OKB në Shqipëri. Ai dha të dhënat e ditës së djeshme për numrin e viktimave që kanë humbur jetën, janë lënduar apo janë shpëtuar, duke shpjeguar se "operacionet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë duke u ndihmuar edhe nga ekipet ndërkombëtare të vendeve fqinjë”.
Zyra e OKB që merret me vlerësimin dhe koordinimin në raste katastrofash, UNCTAD, ndihmon vendet në fazën e parë të krizave që shkaktohen nga tërmete, uragane, përmbytje apo gjendje të tjera kritike. Duke i dërguar ngushëllimet e OKB familjarëve të viktimave, Dujarric siguroi në emër të OKB se: "ne sigurisht që jemi të gatshëm të dërgojmë ndihmë të mëtejshme për qeverinë e Shqipërisë”.
Emiratet e Bashkuara Arabe do të ofrojnë 3 milionë euro për viktimat e tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor të 2019. Persona të ndihmës së shpejtë në Emiratet e Bashkuara Arabe do të udhëtojnë drejt kryeqytetit shqiptar këtë të diel, për të menaxhuar dhe mbikëqyrur shpërndarjen e ndihmës në vendet më të prekura.
Ashtu si shumë krerë shtetesh, edhe presidenti I Rusisë Vladimir Putin, ka dërguar ngushëllimet për tërmetin e ndodhur mëngjesin e djeshëm.
Ai ka vendosur që t’I dërgojë një telegram presidentit të vendit Ilir Meta.
"I nderuar president,
Pranoni ngushëllimet e mia të thella për viktimat e shumta dhe pasojat e tmerrshme të shkaktuara në vendin Tuaj nga tërmeti.
Ju lutem t`u përcillni të afërmve të viktimave fjalë ngushëllimi dhe përkrahjeje, si edhe urimet për shërim sa më të shpejtë të të gjithë të lënduarve.
Vladimir Putin”, ka shkruar Putin.
Vladimir Putin
Pas skuadrës italiane të Lazios, ka shfaqur solidaritet edhe skuadra greke e Paok-ut.
Vendi ku do të mblidhen ndihma ëshë stadiumi “Toumba” në Selanik.
Ata do të vazhdojnë të mbledhin ndihma deri të premten dhe artikujt e përshtashëm janë: rroba, ilaçe, këpucë, çarçafë apo batanije dhe ushqime që mund të transportohen.
Stadiumi do të jetë i hapur për të mbledhur ndihmat pas orës 19:26 dhe pas të premtes ndihmat do të dërgohen në Shqipëri.
E gjithë bota është solidarizuar pas tërmetit të ditës së djeshme me pasojë dhjetëra viktima, qindra të plagosur e të pastrehë.
Postimi i Paok-ut
Presidenti i Parlamentit të Greqisë, Konstandinos Tasulas, i ka dërguar një mesazh Gramoz Ruçit, për sa i përket viktimave që la pas tërmeti i rëndë një ditë më parë.
“Në këto çaste të vështira, emër të Parlamentit të Greqisë, timin personal dhe të popullit grek, ju shpreh ngushëllimet e sinqerta dhe simpatinë e thellë për familjet që humbën njerëzit e tyre, për qytetarët që luftojnë për përballimin e pasojave të tërmetit si edhe për të gjithë popullin shqiptar.”, shkruan midis të tjerash në mesazhin e tij Presidenti i Parlamentit të Greqisë, Konstandinos Tasulas.
Lazio e Milanin ishin dy klubet e para që u solidarizuan menjëherë me dramën që po ndodh në Shqipëri.
Kësaj nisme i është bashkuar edhe Napoli, klub ku aktivizohet edhe mbrojtësi i përfaqësuese Elesid Hysaj. Me anë të një statusi në Twitter, klubi i Napolit shkruan se: “Jemi pranë popullit shqiptar të goditur gjatë natës nga një tërmet i rëndë”.
Disa tifozë i kanë bërë një kërkesë të veçantë Presidentit të klubit: Paratë e mbledhura nga gjobat e vendosura për lojtarët dhe stafin ti dhurojnë për të prekurit nga tërmeti”.
Kjo nismë e një tifozi po merr formë minutë pas minutë teksa të shumë janë ata që kanë pëlqyer një postim të tillë.
Pas ekspertëve të operacioneve të kërkim shpëtimit, Italia dërgon në Shqipëri ekipin e mjekëve.
Ata kanë mbërritur pak më parë në Rinas bashkë me pajiset mjekësore të specializuara për raste emergjencash.
Për të mbështetur ekipet shqiptare të shpëtimit, tashmë në terren ndodhen dhe ekipe nga Mbrojtja Civile Kombëtare italiane, me rreth 200 njerëz dhe disa automjete zjarrfikësish.
Fondacionet për Shoqëri të Hapur akordojnë 500,000 dollarë si fond emergjence për të asistuar dhe ndihmuar Shqipërinë në përballimin e pasojave të tërmetit të së Martës.
Fondacioni për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri do ti përdorë fondet për të ndihmuar në përpjekjen për rimëkëmbjen dhe rindërtimin në mbështetje të qytetarëve vulnerabël dhe më pak të aftë për të përballuar fatkeqësinë.
Xhorxh Soros dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur kanë një histori të gjatë bashkëpunimi me Shqipërinë e cila daton me vitin 1992 kur Fondacionet nisën aktivitetin e tyre.
Mbi 130 milionë dollarë janë ofruar prej vitit 1992 për një shoqëri të hapur për shqiptarët.
Zëdhënësi i Departamentit Italian të ‘Vigili del Fuoco’, ekipet e zjarrëfikësve, Luca Cari, ka deklaruar për ANSA se "Ekipet tona kanë punuar në mënyrë të pandërprerë që nga mbrëmja e djeshme. Kjo është një situatë shumë, shumë e vështirë"
Duke qëndruar pranë një ndërtese katër-katëshe në Durrës, e shkatërruar nga tërmeti, Luca Cari tha se : Nën rrënoja gjenden 6 persona, tre fëmijë, dy gra dhe një burrë, ndërkohë, dhjetëra anëtarë të familjes dhe të njohuri të tjerë janë grumbulluar rreth rrënojave, në një pritje dramatike për një lajm të mirë.
Një numër i madh i prodhuesve kosovarë me ndihma janë nisur për në Shqipëri.
Ata janë ngarkuar me ushqime dhe gjëra të ndryshime për t’i dal në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti, raporton Gazeta Insajderi.
Po ashtu edhe gjatë ditës së djeshme shumë qytetarë vullnetarisht kanë dërguar ndihma për banorët e Durrësit të cilat kanë qenë më të prekurit nga tërmeti.
Ndërsa në Shqipëri janë njësiti i kërkim shpëtimit i Forcave të Armatosura të Kosovës (FSK)
Kuvendi Komunal i Prishtinës në mbledhjen e sotme votoi në mënyrë unanime akordimin e 50 mijë eurove për ndihmë nga pasojat e tërmetit në Shqipëri.
Kryetari i Prishtinës ka njoftuar në Facebook se do të dërgojnë ekipe të inxhinierëve.
“Po ashtu ekipe tona të inxhinierëve nga komuna dhe NPB do t`i bashkangjiten ekipeve të inxhinierëve të ndërtimtarisë nga Kosova në Shqipëri për të ndihmuar në vlerësimin e dëmeve në ndërtesa kolektive e në shkolla në Durrës e rrethinë”.
“Falënderojmë të gjithë asambleistët për gatishmërinë për të ndihmuar edhe më tutje sipas nevojës”, shkruan ai
Një grup specialistësh shpëtimi nga Izraeli sapo ka mbërritur Aeroportin Nënë Tereza.
Specialistët do ti vijnë në ndihmë ekipeve të ndihmës të ardhur gjatë ditës së djeshme.
Ekipe ndihme nga BE, Greqia, Turqia, Franca, Italia, Kroacia, Rumania, Zvicra, SHBA, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia kanë mbërritur dhe janë në terren.
Presidenti turk ka deklaruar se e “Gjithë botës islame i bëj thirrje që ta mbështes Shqipërinë”
Erdogan tha se i ka telefonuar Kryeministrit Edi Rama dy herë për tu përditësuar në lidhje me operacionet e kërkim shpëtimit të të dëmtuarve nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin tonë.
Presidenti turk theksoi se i ka dërguar ngushëllimet kryeministrit Rama dhe shtoi se Turqia ka dërguar ekipet e saj të kërkim-shpëtimit.
“Mendoj se duhet të jemi pranë Shqipërisë në lidhje me ndërtesat e rrënuara, gjë e cila veçanërisht është detyra e Organizatës Islamike për Zhvillim. Besoj se është shumë e dobishme që të hedhim këtë hap. Kjo është një detyrë vëllazërie, ka dobi në hedhjen e këtij hapi”, deklaroi Erdogan.
Që në orët e para të ditës së djeshme makina italiane e ndihmës u aktivizua menjëherë për të ndihmuar Shqipërinë.
Pas telefonatës mes Kryeministrit italian Giuseppe Conte dhe Kryeministrit Edi Rama, me urdhër të kreut të qeverisë italiane, u aktivizua Sistemi Kombëtar i Mbrojtjes Civile, si pjesë e 'Mekanizmit Europian' për t'iu përgjigjur kërkesës për ndërhyrje të marrë nga autoritetet shqiptare.
Në Tiranë dhe Durrës kanë mbërritur dhe janë vënë në punë forca njerëzore dhe burime materiale të Shërbimit Kombëtar Italian për të ndihmuar njerëzit e dëmtuar.
Më shumë se 200 njerëz nga ekipet e kërkimit dhe shpëtimit, Forca Ajrore, Guardia di Finanza dhe Komanda e Operacioneve të Përbashkëta dhe disa automjete zjarrfikësish kanë mbërritur në Shqipëri.
Trupës së ndihmës italiane i janë bashkuar stafi mjekësor ‘Areu’ i Rajonit të Lombardisë, vullnetarë të Rajoneve të Puglia dhe Molise, një njësi qensh të ‘UCIS’ dhe teknikë të Departamentit të Mbrojtjes Civile.
Ministrja e Brendshme italiane Luciana Lamorgese konfirmoi se: Njëqind njësi operatorësh dhe teknikësh zjarrfikës janë në Shqipëri për të dhënë mbështetje dhe ndihmë në një situatë kaq të vështirë". Ministri i Mbrojtjes Lorenzo Guerini siguroi një helikopter të ushtrisë CH-47 dhe një aeroplan të Forcave Ajrore C-130 për transportimin e pasurive të Mbrojtjes Civile dhe brigadës zjarrfikëse për në Shqipëri.
Për tërmetin në Shqipëri "ne kemi aktivizuar njësinë e krizës ‘Farnesina’ dhe po monitorojmë gjithçka”, - shpjegoi Ministri i Jashtëm Luigi Di Maio. ,
Qarku i Rajonit të Veneto ka vënë në dispozicion të emergjencës në Shqipëri njerëz nga Departamenti Kombëtar i Mbrojtjes Civile.
Disponueshmëri e gjerë është treguar edhe nga Rajoni i Emilia Romagna.
Kreu i Rajonit,Stefano Bonaccini, tha se “Ka kaq shumë shqiptarë këtu. Ne kemi marrëdhënie, si Rajon me Shqipërinë në sektorë të ndryshëm. E kemi detyrim ndihmën tonë dhe jemi të gatshëm të bëjnë gjithçka që kërkohet dhe çfarë është e nevojshme".
Në të njëjtën rreshtim është dhe kreu i Rajonit të Puglias, Michele Emiliano: Ne kemi siguruar rreth 250 shtretër në spitale dhe ambiente me referencë specifike ndaj traumave dhe transfuzioneve të gjakut. Ne jemi në dispozicion për t'u sjellë vëllezërve tanë dhe motrat të gjithë ndihmën e nevojshme".
Thirrja telefonike e Presidentit Mattarella
Presidenti i Republikës italiane Mattarella i telefonoi kryetarit të shtetit shqiptar Ilir Meta për të shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave të tërmetit dhe solidaritetin e popullit italian për popullin mik shqiptar. Mattarella gjithashtu informoi presidentin Meta për dërgimin e personelit të specializuar dhe burimeve humanitare nga Italia në Shqipëri dhe shprehu gatishmërinë e autoriteteve italiane për të kontribuar në tejkalimin e këtij momenti dramatik për Shqipërinë.
Presidenti Meta falënderoi Mattarella për vëmendjen e tij të veçantë, solidaritetin dhe reagimin e shpejtë, dhe tha se ai ishte mirënjohës për ndihmën dhe mbështetjen që "Nga Italia asnjëherë nuk ka munguar".
Tërmeti në vendet fqinje me Shqipërinë
Tërmeti që goditi vendin tonë u ndje edhe në vendet fqinje. Një tërmet me madhësi 5.4 është regjistruar dje në mëngjes në orë 10:19 në Bosnje-Hercegovinë dhe nuk ka raportime për dëme apo viktima. Lëkundje me magnitudë 5.4 ballë pati edhe në Kroaci, në rajonin jugor të Dubrovnikut. , Një tërmet me madhësi 4.6 goditi edhe Greqinë perëndimore.
Frikë edhe në Itali
Në Itali, goditjet e tërmetit u ndjenë në Puglia, në Basilicata, në Campania dhe Abruzzo, në Bari, Brindisi, Foggia, Lecce dhe Taranto.