Situata e zjarreve paraqitet e rëndë në vendin tonë, ku në shumë raste është e nevojshme ndërhyrja nga ajri për shkak të terrenit të vështirë.

Por edhe pse temperaturat kanë filluar të bien në krahasim me muajin korrik, mbetet sërish problematike në disa zona situata e zjarreve.

Ditën e sotme është Qarku i Dibrës, i cili është duke u përballur me një situatë të vështirë për shkak të vatrave të zjarrit.

Një vatër zjarri është arritur të shuhet në fshatin Bllacë të Maqellarës, ndërkohë që janë tetë vatra zjarri aktive në Bashkitë Mat e Bulqizë.

Në Klos është ende aktive një vatër zjarri, për shuarjen e të cilës janë angazhuar 30 forca, shumica prej të cilave vullnetarë dhe punonjës së bashkisë.

Në fshatin Mallnesh në Mat, janë angazhuar 25 forca ushtrie, 12 punonjës bashkie e 8 banorë për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit i cili është riaktivizuar sërish pas ndërhyrjes dy ditë më parë nga ajri me helikopter.