PS vazhdon të kryesojë me një diferencë të thellë edhe me votat e diasporës. Sipas të dhënave të fundit nga KQZ, janë numëruar deri më tani 139 756 zarfa nga gjithsej 194 889, ose mbi 70%. PS ka marrë 74 845 vota, që përbëjnë 54.17 % të totalit, duke ruajtur avantazhin edhe jashtë vendit. Numërimi është në 2 mijë zarfat e fundit, teksa mbeten edhe 53 mijë vota të Greqisë pa numëruar, për të cilat vendimi merret nesër në KQZ.

Në vend të dytë renditet Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë e Madhështore me 38, 896 vota ose 28.14%, ose me një diferencë prej më shumë se 35 mijë votash deri tani nga socialistët. 

Ndërkohë, një rritje të ndjeshme ka shënuar Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, i cili ka marrë 11 265 vota ose 8.15 % të numrit total. Partia Mundësia ka siguruar 5189 vota (3.76 %), ndërsa Lëvizja Bashkë ka arritur të marrë 3 727 vota (2.69 %). Partia Socialdemokrate ka siguruar 1 798 vota, që përbëjnë 1.26%. Rezultate më të ulëta kanë marrë subjektet e tjera.

Pavarësisht se brenda vendit është mbyllur numërimi për partitë dhe mandatet janë ndarë më tani 83 PS dhe 50 PD, vota e diasporës lë të hapur garën, matematikisht në 1 qark. Një mandat në qarkun e Fierit i Partisë Socialiste rrezikohet nga Nisma Shqipëria Bëhet, që ka një përqindje shumë të mirë të votave në diasporë dhe mund të merrte mandatin e dytë në rang kombëtar.

Në Tiranë, Partia Mundësia e Agron Shehajt mbrojti mandatin e dytë me disa dhjetëra vota, dhe nuk u rrëzua as nga diaspora duke e lënë PD-në në këtë qark, me 13 mandate.

Sytë janë nga vota e diasporës pasi ende zarfet e ardhura nga Shqiptarët e Greqisë, nuk kanë nisur të numërohen. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS vendosi që votat e Greqisë të numërohen, por PD e ankimoi këtë vendimmarrje në Kolegjin Zgjedhor i cili mblidhet të premten në orën 13.00 për vendim.

Edhe PS bëri lëvizjen e saj, dhe këtë të enjte, i dorëzoi KZAZ-së së Diasporës kërkesë për të hapur Greqinë, por vendimmarrja i kaloi kryekomisionerit Celibashi, pasi anëtarët e KZAZ-ve janë 2:2 dhe nuk gjetën dakordësi.