Minatoret e ndaluar nga policia pas përplasjes në protestën e një dite më parë në Spaç të Mirditës, janë lënë të lirë. Ata u mbajtën për rreth 6 orë në komisariatin e Mirditës dhe per 10 prej tyre ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe pengim të qarkullimit. Për të njëjtat vepra penale do të ndiqet penalisht edhe një përfaqësuese e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, ku materialet përkatëse janë referuar në prokurori për veprime të mëtejshme hetimore.

Ndërkohë, minatorët kanë vijuar protestën edhe gjatë ditës së martë. Që prej orëve të para të mëngjesit, ata janë mbledhur te hyrja kryesore e minierës, ndersa denoncojne veprimet e dhunshme te policise.

"Dje na kanë ardhur policia, na kanë shtyrë. Mua më ka rënë një polic, Gjovalin Tusha, më ka lënë pa ndjenja në tokë dhe më ka dëmtuar kupën e gjurit. Mezi e kam marrë veten. Unë jam i rënduar familjarisht për këtë goditje që më ka dhënë",- tha një prej policëve.

"Protestuam paqësisht kështu siç na shihni sot. Vjen drejtori turk i firmës për të hyrë brenda dhe e kishim bllokuar. Negociuam me ata të policisë dhe ne e lejuam dhe hynë. Pas atij erdhi dhe nipi pronari dhe ne nuk e lejuam, i thamë nuk bën më, të ishte me një makinëmë drejtorin dhe të hynte. Qëndroi një orë me protestuesit në makinë dhe asnjë shqetësim nuk pati. Iku poshtë, në rrugë dytësore u fut. Për të na “ulur” hundën ne erdhi të kalonte te postoblloku, ne i tham jo, andej nga u fut andej të dalë. Kush të dojë hy e dil këtu atëherë çfarë efekti ka bllokimi",- u shpreh një tjetër.

Ndërkohë në një deklaratë publike të shpërndarë për mediat, kompania ka sqaruar se është pro dialogut me minatorët, por sipas saj, Sindikata që i përfaqëson nuk ka paraqitur dokumentacion të plotë ligjor për të vepruar. Gjithashtu, kompania thekson se mandatit të kreut të sindikatës, Kol Nikollaj, i ka përfunduar që prej vitit 2024.

“Shoqëria dënon çdo veprim që synon të anashkalojë procedurat ligjore, si dhe çdo veprim abuziv të përsëritur që pengon punën në minierë, i shkakton dëm ekonomik shoqërisë dhe cenon interesat e vetë punëmarrësve që Konfederata pretendon të përfaqësojë. Shoqëria ‘TETE Albania’ mbetet e gatshme për dialog konstruktiv dhe social, sapo të paraqitet dokumentacioni i plotë ligjor dhe të respektohen procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e kompanisë.

Rreth 70 minatorë të minierës së Spaçit në Mirditë kanë ndërprerë punën dhe janë ngritur në protestë që prej datës 8 tetor, duke kërkuar njohjen e sindikatës dhe nënshkrimin e kontratës kolektive të punës, e cila, sipas tyre, do të garantonte të drejtat dhe sigurinë në vendin e punës.