Vijon rikonstruksioni i çerdhes 'Pranverat' në Njësinë 10, shtohen hapësirat për të vegjlit

Përmirësimi i kushteve në çerdhe dhe kopshte nga Bashkia e Tiranës ka rritur ndjeshëm kërkesat e prindërve për frekuentimin e institucioneve publike parashkollore. Për t’iu përgjigjur kërkesës, Bashkia e Tiranës ka nisur të investojë si në përmirësimin e infrastrukturës në godinat aktuale, por edhe në shtimin e kapaciteteve me mjedise të reja. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS në Njësinë 10, Fatmir Xhafaj, inspektuan punimet në çerdhen “Pranverat”, ku po shtohet kapaciteti nga 150 në 250 fëmijë.      

Njësia 10 është vërtet e vogël si hapësirë, por me ka dendësi të jashtëzakonshme popullsie. Është në zemër të Tiranës, do të thotë se edhe trysnia mbi njësinë për të pasur shërbime për çerdhe e kopshte është i jashtëzakonshëm. Ndihemi disa herë mirënjohës për skuadrën tonë që ka punuar gjatë verës sepse po krijon një hapësirë ku, jo vetëm do të rrisim në kushte shumë dinjitoze çunat dhe gocat e Tiranës, por do të lirojë prindër, që pasi ia besojnë fëmijët çerdheve tona, të kenë mundësi të kenë aktivitetin e t’i rikthehen punës së tyre”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai theksoi se kërkesa e madhe për çerdhet dhe kopshtet publike është një vlerësim për punën e bërë deri më tani, por edhe një përgjegjësi më e madhe për t’iu përgjigjur kërkesës së qytetarëve. “Kemi pasur një dyndje të jashtëzakonshme në çerdhet e Tiranës, kemi marrë ndoshta komplimentin më të madh kur njerëzit të fusin mik edhe për t’u futur në çerdhe e kopshte. Besimi se këto çerdhe e kopshte publike kanë një cilësi kaq të lartë, duhet shpërblyer me investime”, tha Veliaj. 

Ndaj, ai theksoi se ashtu si në këtë çerdhe, Bashkia e Tiranës po punon që të shfrytëzojë çdo hapësirë publike për shtimin e mjediseve të reja. “Në vende si kjo hapësirë në zemër të Tiranës, ku edhe shpronësimi është i shtrenjtë, ku edhe toka e lirë është e paktë, po mundohemi të shfrytëzojmë maksimalisht; pra, kemi dyfishuar kapacitetin e çerdhes, duke shtuar 4 grupe të tjera dhe do të mundohemi që në të gjithë territorin, aty ku ka vend për hapësira të reja, të zgjerojmë hapësirat e akomodimit, të shtojmë grupet apo edhe terrenet sportive, siç do të bëjmë edhe këtu një kënd lodrash”, shtoi kryebashkiaku. 

Për të ulur fluksin e kërkesës për institucionet publike, ai tha se po punohet që të ngrihen çerdhe dhe kopshte pranë ndërmarrjeve apo kompanive të mëdha private. “Këtë vit do të sjellim një risi: Siç e kërkon ligji dhe siç është tradita në të gjitha vendet e BE-së, kompanitë që kanë një numër të caktuar punonjësish, mbi 100 punonjës, si kompanitë e telekomunikacionit, bankave, të fillojnë të instalojnë në mjediset e tyre çerdhe dhe kopshte. Është një mënyrë për t’u siguruar që prindi që punon e ka shumë të afërt vendin ku po rritet fëmija i tij, por edhe për t’i hequr një ngarkesë qytetit”, shtoi Veliaj. Ndërkohë, ai u bëri apel të gjithë prindërve që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat që janë më afër vendbanimit të tyre.

Deputeti i PS në Njësinë 10, Fatmir Xhafaj, falenderoi Bashkinë e Tiranës për vëmendjen e treguar për fëmijët e kësaj njësie, ndërsa theksoi faktin se investimet e bëra kanë rritur interesin e prindërve për çerdhet dhe kopshtet publike. “Dëshiroj të falenderoj bashkinë për këtë nismë dhe shpenzim të një pjese të buxhetit të saj për çerdhen e Njësisë 10. Ka qenë jetike, unë kam pasur mundësinë ta ndjej nga kërkesat e banorëve, edhe si deputet i zonës, interesin e veçantë që kanë për kapacitete shumë më të zgjeruara në shërbimin në këtë fushë. Natyrisht, ky është një lajm shumë, shumë i mirë, fakti që nga 150 mundësi akomodimi, do të shkohet në 250 në këtë çerdhe. Ky është tregues edhe i interesit në rritje të njerëzve, por edhe i aftësisë së bashkisë për t’i menaxhuar më mirë fondet dhe taksat e qytetarëve, në funksion edhe të problematikave dhe të shqetësimeve që kanë ata”, tha Xhafaj. 

Me ndërtimin e ambienteve të reja në çerdhe ulet numri i fëmijëve në një grup si dhe krijohen 4 grupe të reja. Nëpërmjet këtij investimi është parashikuar shtesë ambientesh që do të përdoren për krijimin e njё salle atelie për pikturat, e cila do të përdoret për ekspozitat e punimeve të fëmijëve tё grupit tё tretё, si dhe një kënd për teatrin e fëmijëve. Nё administratё parashikohet të shtohet dhoma e mjekut, dhoma e psikologut, si dhe dhoma pёr nёnat e latantёve. Në hapësirën e jashtme të çerdhes parashikohet krijimi i këndit të lojërave, krijimi i këndit të ujit dhe të rërës; krijimi i mjediseve të gjelbëruara; stola dhe tenda etj.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Cufi: 09/09/2019 01:46

    Cerdhe pa oborr....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Grubi në kërkim ndërkombëtar, reagon BDI: Propozuam ligj për mos futjen e non gratave në zgjedhje, e rrëzuan ata që na akuzojnë sot

Grubi në kërkim ndërkombëtar, reagon BDI: Propozuam ligj për mos futjen e non gratave në zgjedhje, e rrëzuan ata që na akuzojnë sot