Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi nëpërmjet një postimi në rrjete socialet bëri me dije se vijon shpërndarja e librave shkollorë falas në shkollat e vendit.

“Këtë vit shkollor vazhdon angazhimi ynë që në arsimin bazë të gjithë nxënësit nga klasa 1-9 të kenë tekstet shkollore falas. Përfitues të kësaj skeme mbështetëse nga Qeveria Shqiptare janë edhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë”, u shpreh Kushi.

Kushi falënderoi punonjësit arsimor të cilët janë angazhuar në mbarëvajtjen e procesit të shpërndarjes së librave.

“Falënderoj veçanërisht të gjithë mësuesit dhe personelin e shkollave për përkushtimin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi. Suksese në vitin e ri shkollor të gjithë nxënësve dhe mësuesve!”, tha ministrja.

Për lehtësinë e prindërve, mësuese dhe vetë nxënësve, shpërndarja e librave po vijon të bëhet sipas një grafiku, i cili ka për qëllim shmangien e radhëve apo grumbullimeve gjatë procesit.