KORÇE, 31 Janar/ATSH/- Bashkia e Korçës, me mbështetje edhe të qeverisë qendrore, ka nisur rehabilitimin e disa mjediseve të përbashkëta në blloqe të ndryshme banimi, në lagjet periferike të qytetit.
Kryeministri Rama i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Korçës dhe Zëvendëskryeministri Niko Peleshi inspektoi punimet në realizimin e disa prej këtyre projekteve.
Ata inspektuan punimet për ndërtimin e terreneve sportive në mjediset e Shkollës Bujqësore dhe të Agrobiznesit. Ky terren është në periferi të qytetit të Korçës, çka do të thotë që jo vetëm qendra e Korçës është duke ju nënshtruar rikualifikimit urban por ky proces transformimi po shtrihet edhe drejt periferisë së këtij qyteti. Mjediset e jashtme sportive do të shfrytëzohen gjatë ditës nga nxënësit e shkollës, ndërsa në orët e pasdites dhe në mbrëmje mund të shfrytëzohen edhe nga komuniteti i kësaj lagjeje, pasi e gjithë hapësira është me ndriçim. Projekti është në zbatim dhe deri tani është ngritur fusha e basketbollit, dy fusha volejbolli, një fushë minifutbolli, ndërsa do të krijohet edhe një kënd fizkulture dhe një pistë vrapimi rreth terrenit dhe me gjelbërimin. "Është një pamje krejtësisht e transformuar, - tha kryetari i bashkisë, - ndërsa para ndërhyrjes ka qenë një sipërfaqe e degraduar krejtësisht".
Në vijim Kryeministri u ndal për inspektimin e të tjera terreneve sportive në Shkollën "Demokracia", ku aktualisht ishte duke përfunduar fusha e minifutbollit. Por tereni sportiv do të pasurohet edhe me ambiente të tjera të cilat do të jenë për nxënësit por gjatë pasdites dhe qytetarët e blloqeve të banimit aty afër.
Blloku i banimit nr.14 ishte inspektimi i radhës i Kryeministrit, ku Kryetari i Bashkisë e njohu me fazat në cilat ndodhet projekti dhe se si parashikohet transformimi i këtyre hapësirave.
Sipas tij, rikonstruksioni në këtë bllok banimi ka qenë integral. Është realizuar ndërhyrja në rrjetin e kanalizimeve, janë asfaltuar rrugët e tij, ndërsa po punohet për sistemimin e hapësirave të gjelbra. Kryetari i Bashkisë tha se po vijon puna me sistemin e lulishtes, ngritjen e një këndi lojërash për fëmijë si dhe krijimin e mjediseve çlodhëse për të gjitha moshat. /a.gegvataj/







