Ai ishte në krye të Divizionit të VIII-të sulmues, gjatë operacionit që zhvillohej në Mat e Mirditë. Për aktivitetin e ditëve të përgjakura të shkurtit 1945, Vinçani flet gjerësisht në nëj raport të detajuar që e ka hartuar krerët e operacionit e veçanërisht për Mehmet Shehun.
Nga Shën Pali ai njofton se përpjekjet për të bindur popullin e Mirditës dhe të Matit që të pranonin pushtetin e komunistëve nuk kishin dhënë rezultatet që priteshin. Më tej ai përshkruan masat që kanë marrë, që nga mbledhja e armëve, zbulimi i kundërshtarëve, djegjet e shtëpive të tyre dhe të strehuesve, pushkatimet, apo internimet e familjeve të kundërshtarëve të regjimit. Më poshtë e sjellim të plotë raportin e Nexhip Vinçantin bashkë me një prej skicave të operacionit.
SHTABIT TË KORP-ARMATËS III,
dhe për njoftim:
KOMANDANTIT TË OPERACJONIT,
Gjeneral-Major MEHMET SHEHUT
S h k o d ë r
Forcat e Divizjonit VIII-të janë vendosur në pikat e lajmëruara me radjogram, simbas skicës së Urdhër Operacjonit që po ju bashkëngjitim; ky Urdhër Operacjoni u është ndarë vonë forcavet, për arsye se ato ishin vënë në lëvizje në bazë të urdhërit të Korpit III, që u dha Shtabevet të Brigadavet, të cilët u ndodhën në Shkodër, për shpejtësi veprimi.
Që prej fillimit të operacjonit e deri me datën 15 të k.m. periudhë kjo që vlejti për ta sqaruar popullin mbi qëllimin e ardhjes s’onë, nuk patëm ndonji rezultat të dukshëm, mbassi parullat e reaksjonit, për dobësi të pushtetit dhe për mungesë pune politike, kishin zënë vend, dhe katunde të ndryshme me anë lidhjesh e besash kishin vendosur të mos jepnin informata, mos dorëzonin armët, të përkrahnin të arratisurit dhe dezertorët.
Në këtë kallyp kishin rënë edhe këshillat N.Ç. Por gjatë kësaj faze me anë konferencash dhe sqarimesh politike neve mundëm të bënim një pjesë të popullit me vehte, mundëm të krijojmë lidhje, të njohim mjaft mirë terrenin dhe filluam veprimet, duke u mbështetur në këtë njohje, dhe, duke marrë disa masa të rrepta por me vend, filluam të kemi dhe suksese.
Masat e marra patën efekt të mirë në popull. Ja shkurtimisht rezultati i këtyre tre dit veprimesh:
1.- Të kapur: 20 veta, nga të cilët 8 janë kriminelë lufte, 6 nga të cilët ua kemi lajmue me radjogram dhe 12 ushtarë të dezertuar. Ndër këta është edhe krimineli Pjetër Llesh Baraktari, të cilin ua ka përcjellë Shtabi i Brigadës XVII për në Shkodër.
2. Të dorëzuar: 21 veta; nga të cilët 3 të arratisur kriminelë lufte ordinerë dhe 18 ushtarë dezertorë.
3. Të mobilizuar: 370 veta, pjesa ma e madhe e të cilëvet janë të rij; nga kjo shumë 100 vetë kemi marrë deri tashti nga komandat e vendit dhe pjesa tjetër është mobilizuar në popull.
4. Armë pa leje: 167 pushkë, 20 revole, nji mortajë të lehtë, nji mitraloz të rëndë.
5. Armët me leje: Këto do t’i mbledhim të gjitha. Shuma e tyre është 807 simbas listavet që na ka dhënë Komanda e Rrethit Shën Pal. Vijon mbledhja e tyre.
Masat që janë marrë:
1.- Të pushkatuar: 8 vetë, 6 nga të cilët ua kemi lajmëruar me radjogram dhe 2 të tjerë dezertorë, që kanë kundërshtuar me armë t’u dorëzohen forcavet. Këta janë:
a) Ndue Nikolli prej Vigu (Kalivaç) dhe Llesh Pjetri prej Kashnjeti (Kalivaç).
2.- Të djegur: 12 shtëpi, më të shumtat e të cilavet shtëpi kriminelash dhe strehuesash.
3. Të interrnuar: 10 veta kryetarë familjesh kriminela lufte ose dezertorësh si dhe të strehuesavet.
Për të gjitha këto që u raportuan kemi listat komplet dhe në rregullë, të cilat do t’ua përcjellim, kur të bëjmë raportin definitiv.
Këto masa kanë bërë që populli të njohë drejtësinë t’onë, por njikohësisht dhe dallaverexhijt, që dridhen prej kësaj drejtësije. Populli çfryn kundër trathtarvet dhe dezertorvet, të cilët i quan drejtë për drejtë përgjegjës. Ka ndodhur që vllaj të spiunojë vëllanë për kapjen e tij, mjafton që të shpëtojë shtëpinë dhe vehten.
Për të çfrytëzuar mirë rezultatet e këtyre masave të marra, i kemi ndaluar masat ekstreme për 3 dit dhe përsëri do të fillojmë. Që masat e marra kanë qenë me vend dhe të studjuara mirë, këtë e provon efekti që ato kanë bërë në popull dhe pritja e mirë që u ka bërë ay. Shtojmë se të gjitha këto masa kanë qenë kurdoherë të shoqëruara me sqarime politike, bile tue u shpallë me anë fletësh të posaçme në gjithë zonat ku veprojnë.
II. Pushteti, komandat e vendit dhe populli në përgjithësi. Si pas mendimit tem arsyet kryesore që lehtësojnë qarkullimin dhe ekzistencën e reaksionarve në këtë zonë si edhe që favorizon dezertimet në masë janë këto:
a) Populli s’është aspak koshient dhe nuk e ka ndjerë luftën t’onë. Kalimi shpejt i Brigadave s’ka bërë një punë politike të shëndoshë.
b) reaksionarët e ndryshëm kanë lidhje miqësore dhe i shfrytëzojnë këto për mrekulli (zakoni, besa e tjera) janë armë në duart e tyre. Parullat e tyre zënë vend.
c) Mercenarizmi ka lënë plagë të mbëdhaja në këtë popull dhe nuk janë në gjendja t’a kuptojnë të shërbesh dhe të bësh detyrën pa shpërblim.
d) Butsija t’onë, qoftë karshi dezertorve, qoftë karshi familjeve të tyre është kuptuar për dobësi.
e) Puna e dobët politike n’ato Brigada ku këta kanë qenë të mobilizuar (p.sh. e XXVII, e XVIII, e XXIII etj).
f) Dobësi e madhe e Pushtetit (këshilla pa baza dhe krejt fallse) komandat e vendit dhe çetat shetitëse ishin bërë një krah i fortë për reaksionarët, sepse jo vetëm që nuk i ndiqnin, por i përkrahnin ata.
g) Shokët drejtonjës në Këshillin e Rrethit dhe të Qarkut kanë rënë në pozitat e turmës; oportuniteti i tyre ka arrijtur shumë herë deri në sabotim direkt t’ushtris s’onë p.sh. vetë Komanda e Rrethit ka futur e ka pranuar në shërbim dezertorë të ndryshëm për t’u bërë më të mirë dhe në këtë mënyrë ata janë bërë shkak vetë t’i nxitin këto dezertime. Kemi vërtetuar mjaft raste të tilla, ja u kemi vënë në dukje shokve që i kanë pranuar dhe nuk do të lejojnë më gabime tilla.
Kjo dobësi bie në syt jo vetëm këtu në Mirditë por edhe në Mat, ku Komandat e vendit sjanë gjë tjetër veç se një grumbull njerzish rreth një komandanti që e kanë taraf ose mik të tyre dhe që favorizohen prej tij për t’ju shmangur detyrimeve ushtarake e tjera. Sikurse ju a kemi thënë edhe në raportin e parë se këto komanda janë krejt negative për punën t’onë dhe nuk i sjellin asnjë shërbim pushtetit këtu, i cili është m’i dobët se ato.
Jemi duke spastruar këtu në Mirditë: Po thjeshtojmë numurin e tyre, po mobilizojmë, po ngulin disiplinën dhe rëndësinë e përgjegjësisë. Në fillim kemi gjetur mjaft pengesa, sepse, ndërsa ne i mobilizonim, ata dezertonin. Si shëmbëll kemi komandantin e çetës shetitëse Pjetër Frok Prenga, i cili kur u thir për mobilizim dezertoi me një pjesë shokësh. Të gjithë shokët u kapën dhe ay vetë është duke u ndjekur. Por nga masat që kemi marë edhe kjo plagë vjen duke u shëruar. Presim autorizimin t’uaj për të vepruar edhe në Mat, ku si mbas mendimit t’onë e në bazë të raporteve që kemi nga repartet vepronjëse, është aqë e nevojëshme sa edhe këtu. Në bazë të listave që kemi përpilluar, duke ju lënë atyre numurin që caktohet si mbas urdhërit t’uaj, dalin 250 partizanë të tepërt për t’u mobilizuar.
Komandanti dhe Komisari i rrethit t’atjeshëm nuk janë në gjendje t’a bëjnë këtë.
Personeli i tyre për Mirditën: Komandanti Met Doda paraqitet i drejtë dhe besnik, do të punojë me të gjitha fuqit e tija, por i pa zhvilluar e pa inisiativë.
Komisari Bib Bardhoku edhe ky element i mirë, por që duhet ndihmuar, dhe deri tani nuk ka qenë i qartë për punën e tij. Me kthimin nga Shkodra i është përveshur punës më me zell.
Këshillat e katundeve dhe këshilli i Rrethit krejt formale dhe dobësija e tyre fillon qysh te sekretari i këshillit të Rrethit Mihill Doçi, i cili si pas mendimit tem nuk është i përshtatshëm për vendin që mban, influencohet nga rrethi familiar dhe nga një herë i pa sinqertë. Është i ri dhe po të forcohet puna, mund të ndreqet.
Pjestarët e tjerë të këshillit të rrethit dhe këshillat e katundeve janë formuar prej këtyre elementesh:
a) Oficerësh që tani janë në shtëpi, që dinë të flasin dy fjalë, por që sabotojnë punën t’onë dhe kanë lidhje me reaksionin.
b) Të rinj që janë futur nëpër këshilla, për t’i shpëtuar mobilizimit (përqindja më e madhe).
c) Një pjesë e vogël elementesh që kanë qenë deri diku me lëvizjen dhe që përpiqen të punojnë pse lëfto kundërshtarët e tyre.
d) Elemente tjerë që katundi i njeh për të par vendi por që nuk janë me neve.
Çdo katund ka nga një mësues, i cili vjen ose nga milicija ose nga xhandarmarija dhe ka marrë këtë detyrë, jo për të bërë punën, por për t’i shpëtuar detyrimeve.
Me nbjë Pushtet të këtillë, patjetër do të ngjisnin këto që kanë ngjarë.
Prandaj propozojmë:
1) Ose të autorizohemi neve për të formuar dy tre komisione me përgjegjësit politik të reparteve t’ona dhe t’i ndryshojmë rrënjësisht këto këshilla ashtu si duhet të jenë elementet që të formojnë Pushtetin t’onë dhe në bazë të mundësive që kemi këtu, ose
2) Të lajmërohet këshilli i Qarkut Shkodër që t’a bëjë këtë punë.
Neve deri tani aty ku është dashur domosdo, kemi vepruar, por kjo jo në përgjithësi.
Oficerët që kanë qenë më parë në shërbim të qeverive tjera dhe të okupatorëve, si edhe Kleri janë (portavoce) e reaksionarve dhe e parrullave të tyre dhe e pengojnë indirekt punën t’onë. Të parët (oficerat) po i mobilizojmë në ushtri; të dytët (priftrit) kemi patur raste bisedimesh kohë mbas kohe me ‘ta dhe jemi munduar t’i skjarojmë dhe t’i afrojmë me ne. Ruhen mjaft dhe dinë të mprohen; hala skemi ndonjë fakt që mund t’i mbërthejmë mirë. Është shumë e vështirë të bëhen miq me neve.
III. Informacioni.
I dobët, për të mos thënë nuk ekziston fare, qoftë ay që kemi ne në Divizion, qoftë ay që po mundohemi të krijojmë. Kjo rrjeth edhe pse këta të vendit nuk kanë ditur dhe nuk kanë patur kurrë një rrjetë të tyren informative.
Nga sa kemi mundur të marrim vesh neve, reaksionarët, të ndarë në grupe të vegjël, sikundër ju kemi lajmëruar me radiogram, kanë si zonë lëvizje ose më mirë fshehjeje: Kulmin e Dervenit, Malin e Bardhë, Skurraj, rrethet e Milotit e të Leshit, të Zadrimës dhe veç këtyre zonën e gjerë midis: Krujës, Lumit të Matit e Milotit që quhet Kurbin, ku nuk kanë operuar ndonjë herë forcat t’ona, si edhe Bregun e Matës.
Neve duke u mbështetur në radiogramin t’uaj, që thoshte se Brigada e IV-të po drejtohesh për atje ku e kërkonim neve, pregatitëm një urdhër operacioni për të operuar me gjashtë Batalione më parë Kulmin e Dervenit e Malin e Bardhë, e pastaj Kurbinin. Por një radiogram tjetër që na vinte dije nga Juve, mësonim se Brigada e IV-të është nisur nga Puka për të operuar n’atë zonë. Me gjithë këtë neve po ju dërgojmë skicën përkatëse për të patur një dijeni të saktë mbi vendin ku kemi informatat neve; si edhe një skicë tjetër të zonës që mendonim t’operonim mbassi të ishte kryer i pari.
Na mbetet pa operuar veç këtyre dhe Luma (ku për tani ndodhet vetëm një batalion i t’onë), Lura, Rreç e Dardhë, ku ska asnjë nga forcat t’ona dhe ku ka mundësi që këta reaksionarë të gjejnë strehë.
IV. Gjendja ka ndryshuar mjaft dhe kemi bindje se do të kemi suksese të dukëshme. Veprimet t’ona vashdojnë. Forcat po kryejnë detyrat që u ngarkohen, me gjithë se aty e këtu ka edhe neglixhensa, që rrjedhin:
a) Nga dobësija e punës në përgjithësi ndër Brigada.
b) Nga përbërja e elementit të këtyre Brigadave (pjesë e konsiderueshme xhandarësh e milicësh, sidomos e XVIII dhe e XXVII), ku lipset një punë e shëndoshë politike për t’i edukuar ata dhe për t’i bërë të ndërgjegjshëm për punën t’onë në mënyrë që t’ju pritej hovi dezertimeve në masë dhe trë përforcoheshe ndër ‘ta ndërgjegjja e zbatimeve të urdhrave me përpikni sikurse e lypin ekzistenca e një ushtrije të rregullt dhe moderne.
Brigada e XVII-të që ish pa të tillë elementë me mobilizimin e ri u ngarkua edhe ajo. Neve kemi bërë dhe po bëjmë çmos që t’i çdukim këto të meta dhe shenjat e një përmirësimi kanë filluar të duken. Ndërlidhja që ka qenë një plagë e madhe për repartet e Divizionit t’onë, ka filluar të përmirësohet ose të marë rrugën e saj e të forcohet një herë e përgjithmonë.
Disiplina, që edhe kjo ka çaluar mjaft, deri tani po i përshtatet asaj që kërkohet dhe që në të vërtetë duhet të ketë ushtrija jonë tani e tutje.
Po bëhet çmos për t’a ngritur nivelin politik dhe për t’i punuar të porsa ardhurit. Po punohet mjaft në këtë drejtim, mbassi edhe ndodhja afër reparteve na jep tgë gjitha mundësitë për punë si edhe për të ndihmuar dhe për të njohur kuadrot më t’afta të Brigadave të ndryshme.
Në mbarim të operacionit do të keni një raport të hollësishëm mbi gjithë shka nevoitet; raport që do t’a bëjmë së bashku me Komisarin e Divizionit për të mos rënë në diz-akorde. Për shtabin e divizionit VIII-të S K o m a n d a n t i (Nënkolonel nexhip vinçani) (firma, vula)
d.c./shqiptarja.com