Violeta Sekuj: Aktorin e
përsos skena dhe partneri

Violeta Sekuj: Aktorin e<br />përsos skena dhe partneri
Po këqyr me vëmendje, herë nëpërmjet syzeve të mia e, herë nëpërmjet lupës ca fletë të zverdhura me një moshë prej më shumë se katër dekada (të vetmet relike krahas fotografive të shfaqjeve të ndryshme që gjenden në dosjen V. S.), ku nëpërmjet shkrimit të stilolapsit e nganjëherë të bishtpenës; aktorja dhe regjisorja e teatrit “Migjeni” Violeta Sekuj ka shënuar rolet e saj gjer, aty, nga viti 1975.

I marr ato fletë nëpër duar… Më bëhet se fëshfërijnë e kthehen në kujtime. Më bëhet se fëshfërijnë e germat kthehen në personazhe, të cilat Violeta i interpretoi me dashuri dhe talent. Ata personazhe që fiksojnë një kohë të caktuar. Ata personazhe…, si në: “Përmbysja” (rolin e Ksenjës, dublante), “Agimi” (rolin e Hanës), “Toka jonë” (rolin e Files, dublante), “Tartufi” (rolin e Marjanës), “Fejesë me ngatërresë” (rolet e Luçit dhe të Xhinës, dublante), “Nana” (rolin e Marijes), “Shtatë shaljanët” (rolin e Lulës), “Kunora e Nurijes” (rolin e Zyhrasë), “Këneta” (rolin e Rinës, dublante), “Shtëpia e kukullës” (rolin e Kristinës), “Bileta e llotarisë” (rolin e Dallëndyshes), “Cuca e maleve” (rolin e Marës), “Fisheku në pajë” (rolin e Marijes (Gjelinës)), “Njerëz të ditëve tona” (rolin e Fluturës); etj., etj.

Në studimet e tij për teatrin e Shkodrës, Profesor Josif Papagjoni ka këtë optikë për aktoren Violeta Sekuj: “Është nga aktoret e para të shkolluara të teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Spikati me rolin e heroinës në dramën “Zekthi” të E. Vojniçit më 1964, ku paraqiti  një botë të brishtë femërore, e mbajtur përgjithësisht në tone psikologjike me mbarsje dramatike. Më 1968 frymoi rolin e Gjelinës në dramën “Fisheku në pajë”, me të cilën arriti të shpërfaqë një shpirt e sjellje kontradiktore, të mbetur në ngërth dhe frikë nga ushtrimi i pushtetit patriarkal në familje, me entuziazmin që vjen pas përnxitjes që fiton nga shansi i një barazie dhe emancipimi të pritshëm. Rolin e mbretëreshës në dramën “Gjaku i Arbërit”, 1981, të Fadil Krajës, ajo e konceptoi në dy hulli interpretative: në rrafshet ndjesore të një cinizmi të shprehur haptazi dhe te prepotenca që nxitej prej vetëdijes destruktive. V.

aktorja violeta

Sekuj mbaroi kursin njëvjeçar për regjisore dhe iu kushtua më pas regjisurës…”
I marr, përsëri, ato fletë nëpër duar… Dhe kësaj radhe më shfaqet aktorja Violeta Sekuj, herë e afërt teksa interpreton në skenën e teatrit “Migjeni”, herë e largët teksa kuvendon me vitet e pleqërisë, atje, në kontinentin amerikan…
Violeta rrëfen… në këtë intervistë të bërë afro katër dekada më parë…

aktorja violeta

“Në Shkodër…, kam ardhur në moshën 19-vjeçare. U emërova aktore në teatrin “Migjeni”. Të them të drejtën, pata një guxim të madh për moshën e re që kisha. Vija e vetme, por me një qiell ëndrrash. Isha “e huaj” dmth. e panjohur në një qytet Verior të panjohur, por i njohur dhe me traditë rrezatuese në fushën e artit dramatik. Qytet, që në çast më kujtoi një varg të F. Shirokës: “Fal me shndet qytetit tim!”
Megjithatë nuk u stepa, por edhe s’u zhgënjeva. Ishte pasioni për profesionin e aktorit që më shtynte, më jepte krahë. Megjithatë unë erdha… Mora guximin…, dhe gjeta një mjedis të ngrohtë në teatër. Dikush më priti si kolegë, dikush si fëmijën e vet, dikush si motrën, si shoqen… U rrita e mësova shumë. Sepse shkolla të jep disa rrugë, disa piketa, por, duhet skena, partneri që të përsosësh profesionin, siç është ky i aktorit.”

aktorja violeta

Ka role që të lënë mbresa, ka të tjerë që…
Përgjigje: Aktori luan shumë role. Natyrisht, këto role ia jep regjisori. E duke ia dhënë regjisori, ai ka mendimin e vet, konceptin e vet për spektatorin. Për çdo aktor kur lexon pjesën, i mbetet në mendje një figurë. Në qoftë se ajo figurë nuk i jepet, pëson zhgënjim, deziluzion. Megjithatë… puna në teatër, ka bërë që aktori të luajë edhe role që s’ia do zemra. Sidoqoftë, për të nderuar veten aktori, për të ruajtur dinjitetin profesional, sipas mendimit tim, duhet të punojë që të bëjë diçka mbi atë rol. Në të kundërt, kur roli të pëlqen, punon gjithë pasion. Mbaj mend, kur kam ardhur për herë të parë në teatër, regjisori Lec Shllaku më dha një rol që më pëlqeu shumë te drama “Shërbëtori i dy zotërive” i Goldonit. Kisha rolin e Smeraldinës, shërbyeses. Si i thonë një fjale, e kam ndjerë veten në ujërat e mia. Mendoj që figura ka qenë e arritur. Spektatori e mirëpriti.

aktorja violeta

Në veprimtarinë tuaj aktoreske, një vend të veçantë zë dhe regjisura.
Përgjigje: Regjisura më ka pëlqyer shumë. Në të vërtetë ishte një pasion. Duke pasur këtë pasion, kam vënë disa pjesë në teatrin “Migjeni”, disa koncerte me Shtëpinë e Kulturës, disa Festivale kombëtare për fëmijë… Kam patur fatin që kam punuar me intelektualë të ditur, si me kompozitorët: Prenkë Jakova, Tonin Harapi, Albert Paparisto, etj. Prej tyre kam mësuar shumë…
Ndoshta pasioni për regjisurën mund të kthehej një ditë edhe në profesion, por… ç’të them… nuk u krijuan kushtet dhe mundësitë. Kështu që mbeti pasion… Megjithatë vura në skenë “Djem të mbarë” të F. Krajës, “Nora” të A. Skanjetit, “Hekurat” të Skënder Drinit, etj.

aktorja violeta

Modeli juaj për regjisorin?
Përgjigje: Regjisori duhet të jetë një njeri i kulturuar, i përgatitur. Të njohë mirë letërsinë, muzikën, pikturën… që të gjitha komponentët që i duhen për të krijuar një spektakël. Mbi të gjitha regjisori duhet të ketë fantazi dhe fantazia, ku ai do të vërë në shërbim për të krijuar spektaklin, mendoj se është talenti; veç kësaj regjisori është shpirti dhe mendja e një teatri. Tek bisedojmë për regjisorët kujtoj Andrea Skanjetin. Punonte shumë mirë për zbërthimi e botës së brendshme të aktorit. Kështu punoi me mua për rolin e Anikës te drama “Djali plangprishës”, për të cilin kritika do të thotë: “… ka krijuar një personazh të vërtetë, interesant, shumë sensibël, të dashur, me një ngjyrë të ndërlikuar dhe që ka vuajtur dhe vuan shumë.”
Esat Oktrova ishte një regjisor tjetër, që kishte mënyrën e tij të punës. Zakonisht në tavolinë me aktorin e zgjatë shumë, pastaj hidhej në mizanskenë. Kam punuar te “Zekthi” i E. Vojniçit, “Nora” e H. Ibsenit.
Me këta regjisorë, si dhe me Lec Shllakun e Serafin Fankon, kam përfeksionuar mjeshtërinë aktoreske, jam rritur si aktore në drejtim të nivelit interpretativ e artistik. Edhe diçka dua të shtoj. Regjisori i mirë di të ndajë rolet bukur. Zaten aty varet dhe suksesi i tij.

aktorja violeta

Një pyetje joprofesionale, e ndjeni veten “jabanxhije” në Shkodër?
Përgjigje: Këtë pyetje ma kanë bërë edhe shumë të tjerë. Unë mund t’ju them me sinqeritet, po të isha, diku tjetër, larg Shkodrës, do ta ndieja veten jabanxhije. Por në Shkodër, jo. Shkodra është bërë qyteti im! Këtu gjeta ngrohtësinë e parë! U rrita, u formova si njeri, si aktore dhe … krijova familjen time që e dua aq shumë. Shkodra më ka ofruar shumë… humorin që e pëlqej shumë, erën e lulevileve, ujin e puseve me çikrik, aromat e shermashekëve, karafilëve “që ka Shkodra…”. Në Shkodër, siç e përmenda gjatë bisedës, punova me njerëz të ditur dhe të kulturuar. Unë kalova çastet më të bukura të jetës sime, kalova rininë, gjënë më të shtrenjtë. Pra, jam… më shumë shkodrane!..
Shkodër, janar 2017

aktorja violeta

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit