Violinisti Franc Shestani: Ju rrëfej
amanetin e kompozitorit Tish Daija

Violinisti Franc Shestani: Ju rrëfej<br />amanetin e kompozitorit Tish Daija
TIRANE- Një ditë kompozitori i shquar, Tish Daija, i tha Franc Shestanit: “Po t’u dha mundësia, ta luash këtë partiturë...”.

Ishte ky amaneti i mjeshtrit, që e ktheu violinistin e talentuar Shestani në atdhe. Violinisti shqiptar prej 20 vjetësh ka një karrierë të shkëlqyer në Greqi dhe nga ana tjetër, jo pak distancë kohore, por plot 10 vjet që nuk ka dhënë koncert në atdheun e tij. Ndërsa mbrëmë në koncertin e RTSH-së kushtuar krijimtarisë së kompozitorit Daija, Shestani luajti në violinë partiturën “Fantazi për piano dhe orkestër”. Koncerti u dha në Universitetin e Arteve. Me një program të zgjedhur dhe me lojën e artistëve virtuozë si Franc Shestani; pianistja Nora Çashku; flautistja Jonela Golemi dhe sopranoja Erjona Gjyzeli, koncerti me dirigjimin e Eno Koços u prit me duartrokitje dhe nostalgji nga publiku.

Përzgjedhja e temave ishte bërë më kujdes nga i biri, August Daija, në bashkëpunim me dirigjentin Eno Koço dhe drejtorin artistik Genc Tukiçi. “Luajtëm atë krijimtari që portretizon mjeshtrin Tish Daija”, u shpreh dirigjenti i këtij koncerti Eno Koço, një nga përfaqësuesit më të mirë të traditës muzikore. Eno Koço e konsideron Tish Dainë një nga artistët më të shquar të vendit, i cili sipas tij “ka vënë vulën e tij origjinale në muzikën shqiptare me stilin  e tij origjinal karakteristik, që është stil i thjeshtë, përçimi i gjallërisë, i dinamizmit”.

Edhe koncerti i mbrëmshëm nisi me një Uverturë Festive nga muzika e Tish Daisë, vijoi me lojën në violinë të Franc Shestanit, ku ndihej gërshetimi i elementit lirik, me elementin dramatik të muzikës së kompozuar nga mjeshtri Daija. Pas interpretimit të valles simfonike Nr.2, u këndua nga Erjona Gjyzeli një arie nga opera “Vjosa”. U interpretua “Një ditë pikniku”, dhe jo më pak interesante ishte pjesa e fundit e koncertit, që u luajt nga Nora Çashku, e cila erdhi pas fragmenteve të baletit “Halili dhe Hajria”. Sipas Eno Koços ky kompozim i Dajisë “është një nga rastet e rralla, sepse nuk është dëgjuar të luhet kaba për piano...”.

Krijimtaria e mjeshtrit Daija nuk ka kufij. Duke iu referuar programit të koncertit, Eno Koço e shpalos në këtë mënyrë portretin krijues të tij: “Është kompozitor që krijoi në katër dekada dhe shfaqi katër qëndrime: qëndrimi i parë ishte ai klasik, pas studimeve në Moskë, ku kryesonte tema e atdheut, që u krijua në vitet ‘54-’56; i dyti në vitet ’60, ku arriti një shkallë shumë të lartë krijimtarie në kompozime me baletin e famshëm “Halili dhe Hajria” që u shfaq gati 300 herë brenda dhe jashtë.

Kjo ishte emblema e muzikës të koreografisë shqiptare; e treta ishte krijimtaria e viteve ’70, që nis me një lloj modernizmi, por ia preu ritmin censura. Bëhet fjalë për intonacionet e xhazit që donte të krijonte, e të tjera; pastaj sigurisht ai në vitet 80 konsolidoi stilin e tij. Eno Koço thekson edhe kontributin e Tish Daisë si udhëheqës artistik i ansamblit të këngëve dhe të valleve. “Një Shqipëri e vogël muzikore ishte në këtë ansambël, ku kultivohej muzika e jugut, e veriut e Shqipërisë së mesme, nga të katër anët e vendit. Atje ishte jo vetëm melosi, temat, por edhe ritmika e kompozimeve të tij.”, tha ai.

Koncerti i mbrëmshëm arriti më në fund të realizojë me sukses rikthimin e imazhit muzikor të Tish Daisë, që sipas të birit Augustit, “Mund të ishte bërë 10-15 vjet më parë një një gjë e tillë, por ja që erdhi sot dita dhe për këtë jemi shumë të kënaqur”. Augusti dhe Liza, dy fëmijët muzikantë të Tish Daisë ndihen të kënaqur që arritën t’ia arkivojnë dhe dixhitalizojnë veprat e shkruara me dorë. Ndërsa i nipi, violinisti i talentuar Franc Shestani duket se mezi ka pritur rastin që të vërë në vend amanetin artistik të dajës së tij, Tish Daija. Shestani është aktualisht në momentet më të mira të karrierës së tij në Greqi. Atje është spala e një orkestre dhe është një artist shumë i konsoliduar. Ai ka rrëfyer dje për “Shqiptarja.com” sesi ndihet pas dhënies së këtij koncerti.
 
Franc,dihet që krijimtaria e Tish Daisë është një krijimtari muzikore me frymë të theksuar kombëtare. Ju jeni një artist që luani traditën muzikore greke, sa të lidhur e ndjeni veten me kompozimet e tij?  
-Unë, megjithatë, kam luajtur shpesh muzikë me temë shqiptare. Kam luajtur pjesë të Ibrahim Madhit, të Tish Daisë, të Zoraqit, etj. Por këtë herë, unë kam ardhur të plotësojë një amanet të dajës tim Tish Daija, që më tha: “Merre këtë vepër dhe shihe. Kudo që të jesh, mundohu që ta luash një ditë”. Kjo ishte edhe paranteza e këtij koncerti që dhashë në Tiranë. Ndërsa për sa i përket traditës shqiptare, kudo që të ndodhesh ajo është brenda nesh dhe jeton me të gjitha nuancat dhe karakteristikat e harmonisë, e cila na jep sukses në interpretimin e një vepre. Kjo harmoni është shumë e konsoliduar edhe tek veprat e Tish Daisë. Kështu që unë si violinist nuk mund t’i ndahem asaj që është me taban kombëtar.  
 
Atëherë, duke u rritur dhe edukuar në një familje që i ka dhënë shumë kontribute muzikës shqiptare, pse zgjodhët të largoheshit nga Shqipëria?
- Në të vërtetë unë kisha një karrierë shumë të mirë këtu në teatrin  e Operës dhe Baletit në Tiranë, por ika për arsye ekonomike. Ika në një kohë kur nuk vlerësohej shumë puna jonë këtu dhe u detyrova të iki jashtë. Në Greqi ma kanë vlerësuar punën dhe më kanë respektuar për aftësitë. Pra, pasi ndërtova një karrierë relativisht të mirë, qëndrova atje.
 
Si mund ta shpjegojmë faktin që keni munguar me koncertet tuaja në atdheun tuaj?
-Është e vërtetë që kanë kaluar 10 vjet nga një koncert që unë kam dhënë në Tiranë. Unë kam qenë me agjendë të ngjeshur, ku vazhdimisht jap koncerte brenda Greqisë dhe në këto vitet e fundit po bashkëpunoj me një orkestër të Marokut në Athinë dhe po bëhem gati për një turne të vijueshëm në Europë. Ardhja me koncertin e kësaj here, për mua ka një kuptim simbolik. Erdha të realizojë një ëndërr të dajës tim kompozitor Tish Daisë. Kjo ëndërr e tij, ose më saktë, ky amanet më ka ndjekur vazhdimisht edhe në vitet e shkollës. Ndaj kthimi im me këtë koncert besoj se është një amanet që është çuar në vend.
 
Sa vite keni që jepni kontribut në Greqi?
-Bëhen 20 vjet që ndodhem jashtë Shqipërisë. Kjo periudhë më ka ndihmuar shumë që të njihem me muzikantë të huaj, me shumë instrumentistë nga bota që kemi lidhje të mira dhe kam fituar shumë përvoja. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje