TIRANË, 2 Korrik / ATSH / - Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës do të hapë siparin e veprimtarive verore të këtij viti në qytetin e Durrësit.
Edicioni i 10-të jubilar do të zhvillohet në ambjentet e Muzeut Arkeologjik nga datat 4 deri më 12 korrik  2015.
Dhe pikërisht të shtunën e 4 korrikut në ambjentet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit ora 20:00,  dyshja gjermano-shqiptare, violonçelisti Joel Blido,  dhe pianisti Marin Gjollma,  do të interpetojë gjatë mbrëmjes vepra  nga autorë të mëdhenj të muzikës klasike si Schumann, Beethoven apo Tschaikowski me rastin e Festivalit të Dhjetë Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës(Durrës International Chamber Music Festival 2015).
Mbrëmja e cila do të zhvillohet dhe organizohet në kujdesin e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, sjell duon Blido-Dollma, si artistët që do të çelin aktivitetin 6 ditor, i cili do të zhvillohet këtë edicion të dhjetë në Muzeun Arkeologjik të Durrësit në datat 4, 5, 6, 8, 11 dhe 12 korrik.
Sakaq Nevila Kalaja, drejtore e Festivalit është shprehur  se në 6 mbrëmjet koncertore të javës së dytë të korrikut, do të interpretojnë rreth 12 artistë shqiptarë dhe të huaj, si dhe ansambli "Stinët", që këtë vit drejtohet nga Kostantin Ilievski.
Koncertet janë konceptuar kryesisht si duete apo si interpretime solistike në piano, violinë dhe violonçel. Bashkë me instrumentistët Blido, Gjollma, SahatçI, Tërshana, Sykja, Papa e Nini, bie në sy pjesmarrja e mexosopranos Vikena Kamenica, apo edhe ajo e fizarmoniçistit italian Pierpaolo Petta.
Në mbrëmjen e fundit në sallën e sapopëruruar të Muzeut Arkeologjik të Durrësit skena do të jetë për violinistin Ëolfgang David dhe ansamblin "Stinët".
Në këtë edicion jubilar, Festivali i Muzikës së Dhomës, që organizohet nga shoqata "Arti dhe kultura italo-shqiptare" ka gjetur mbështetjen e ambasadave të Austrisë, SHBA-së dhe Gjermanisë.
Joel Blido
Diçka më shumë për artistët Blido dhe Gjollma
Joel Blido, vetëm 16-vjeç, vjen nga një familje muzikantësh nga Marburg an der Lahn, nëna e tij është me origjinë shqiptare. Joel Blido është pranuar në moshën dhjetë vjeçare, si student i ri në Universitetin e Muzikës në Würzburg, që nga tetori 2014 ai ndjek atje studimet me kohë të plotë. Ai ka fituar çmime të shumta dhe ka karrë pjesë në Masterklase ndërkombëtare. Prej vitit 2012 ai punon rregullisht me Prof. David Geringas.
Marin Gjollma
Marin Gjollma (i lindur në vitin 1981 në Tiranë) ka filluar të luajë në piano në moshën gjashtë vjeçare. Nga viti 2001 deri në vitin 2012, ai ka studiuar në Universitetin e Muzikës në Karlsruhe, të cilën ai e përfundoi me rezultate të shkëlqyera pranë  Prof. Fany Solter. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Masterklase të shumta dhe ka fituar çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Që prej vitit 2008 ai është Pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë.
/k.m/ /a.g/