Virusi Ebola, Bino: Kujdes ndaj
higjienës sidomos në udhëtime

Virusi Ebola, Bino: Kujdes ndaj<br />higjienës sidomos në udhëtime
TIRANE- Një higjienë maksimale për të gjithë ata persona të cilët udhëtojnë në aeroporte përgjatë këtyre ditëve. Kjo është këshilla kryesore që japin specialistët e Shëndetit Publik në vend, ndërkohë që sëmundja infektive e Ebolës po përhapet ndjeshëm në Afrikën Perëndimore ndërsa janë shënuar edhe 729 viktima. Kjo sëmundje infektive, e cila është e ngjashme me ethet hemorragjike, është përhapur në njerëz nga lakuriqët e natës, por transmetohet dhe nga njeriu te njeriu.

Sipas ekspertes së sëmundjeve të rrezikshme, Silva Bino, kjo sëmundje ka simptoma si temperaturë, lodhje dhe shenja të ngjashme me sëmundje të tjera.
“Ebola është një sëmundje infektive virale, e cila paraqet fenomene hemorragjike dhe bën pjesë në grupin e etheve hemorragjike virale. Vjen te njeriu si rezultat i kontaktit të tij me lakuriqët e natës. Më pas, sëmundja transmetohet nga njeriu te njeriu. Ebola shfaqet me temperaturë, të sëmurit i rëndohet gjendja shëndetësore nga pikëpamja e temperaturës, lodhjes, djersitjes. Pra, shenjat e para janë shenja jospecifike, të ngjashme me çdo sëmundje tjetër infektive.

Ajo që e dallon është rraskapitja e madhe e personit dhe pastaj fillojnë fenomenet hemorragjike. I sëmuri kullon gjak”, shprehet Silva Bino. Sa i përket udhëtimeve, Bino nuk thekson se duhet të ketë kufizim të tyre, por ajo bën apel për kujdes ndaj higjienës dhe jo për të kufizuar udhëtimet dhe që sistemi duhet të jetë i përgatitur, që nga aeroportet, deri te spitali infektiv dhe laboratorët. “Dua të theksoj se ne nuk kemi qarkullim të Ebolës në Shqipëri dhe nuk kemi pasur, ashtu sikurse as importim. Shqipëria nuk bën pjesë te vendet me rrezikshmëri të lartë, por nuk është e përjashtuar.

Ne nuk është se duhet të kemi frikë, të krijojmë panik dhe të mos udhëtojmë, sepse OBSH nuk lëshon një alarm të tillë, por alarmin për të pasur kujdes, pra për të larë duart vazhdimisht dhe për të mos prekur sytë apo mukozat vend e pavend, por për të marrë masat karakteristike të higjienës. Kjo është për popullatën”, shtoi më tej Silva Bino, ndërsa thekson se sistemi shëndetësor duhet të jetë i përgatitur për çdo lloj situate. Sëmundja e Ebolës është shfaqur në muajin Mars dhe rastet kanë ardhur duke u shtuar. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024