Kush është ky 40 vjeçar që fiton pothuajse çdo çështje që merr përsipër? Me një të kaluar si prokuror dhe tashmë një avokat që merret më dosje të vështira.
Takimin e kemi lënë në Sheraton meqë ai do të jetë atje së bashku me miqtë e tij. Është paradite dhe pasi shkëmbëjmë një telefonatë sqaruese për parkimin, ai seç më bën një pyetje të çuditshme:- Pse dhe ti Mira me makinë je?
Jo i përgjigjëm unë, zakonisht lëviz me kalë. Duke qeshur mbyllim telefonin që të dy.
Porosisim nga një briosh dhe kapucino. Takohemi ngrohtësisht a thua se jemi takuar dhe herë të tjera por kjo gati është bërë e zakonshme ndoshta për secilin nga ne, pasi avokatët dhe gazetarët e konsumojnë jetën e tyre besoj unë, në shtrëngime duarsh.
-Nuk jam avokat klasik. Më pëlqen drejtësi-bërja, por nga një kah tjetër. Kur marr një çështje përsipër, konsideroj jo vetëm meritat e saj ligjore, por edhe instiktin tim, i cili nuk më ka zhgënjyer deri më sot.
Vërtet? Çuditem (gjoja) unë. Çfarë isntikti keni për Gërdecin? Dua një përgjigje si ish-prokuror por edhe avokat.
-Natyrisht që është një ngjarje shumë e rëndë, pasi u humbën jetë njerëzish të pafajshëm. Megjithatë, tej pasojës, mendoj që dimensioni korruptiv i kesaj çështjeje, aq i përkrahur institucionalisht dhe mediatikisht, mbuloi padrejtësisht ndriçimin e një shkaku të ndryshëm përcaktues potencialisht ekzistent. E thënë më shqip, shpërthimi i qëllimshëm, pavarësisht motiveve, do të ishte për mua sfida e vërtetë e një hetimi profesionist. Janë të shumta indiciet, për aq sa e njoh çështjen, sa është vërtetë e habitshme mënyra sesi prokuroria e përgjithshme që veproi në hetimin përkatës, përjashtoi menjëherë këtë pistë, e konsideroi ngjarjen pasojë të një gabimi njerëzor!! Edhe përsa i përket akuzës kolektive për shpërdorim detyre, jam shprehur më parë, që figurativisht inxhinierët juristë të prokurorisë kanë ndërtuar një 15 katësh mbi themele qerpiçi! Në tërësi procesi është ndërtuar keq dhe larg standarteve të ligjës!
Cila është e vërteta e Gërdecit meqë ne nuk e dimë? E keni ju të vërtetën?
- Jo, unë s'e kam tërësisht atë. Për atë pjesë që u angazhova në cilësinë e mbrojtësit, vlerësoj që të paktën institucionit të akuzës nuk i ka interesuar aspak gjetja e saj!
Pse u bëtë avokati i ish-ministrit të mbrojtjes të akuzuar rëndë në media për Gërdecin, Fatmir Mediut? Mos ndoshta se kunati i tij Ilirjan Celibashi është edhe miku juaj?
-Po, e mora në mbrojtje pikërisht për këtë që thatë ju më lart. Nuk di në do e kisha bërë po të mos kish ekzistuar kjo lidhje në mes, por pasi i shkova në fund, mendoj se bëra edhe një zgjedhje të mirë. Unë besova si Ardian dhe avokat tek pafajësia e Fatmir Mediut.
Të gjithë pandehëm se ai nuk do shpëtonte kaq paq. Por ju?
-Pasi jam njohur me sa i atribuohej e tërësinë e provave të pretenduara, kam qenë i bindur.
Si është marrëdhënia juaj me Mediun tani? E pyes unë edhe me kuriozitetin që Visha është një i majtë i deklaruar dhe s'duhet ta ketë patur të lehtë të mbrojë një ministër që i përket koalicionit të djathtë.
- Tani e kam edhe mik të mirë Fatmir Mediun. Bindjet apo partitë për cilat votojmë, nuk më kanë penguar kurrë të ndërtoj miqësi e marrëdhënie të sinqerta shoqërore. Po kështu në punën time, pak rëndësi ka veshja politike.
Biseda me avokat Vishën nuk mund të jetë limonatë. Ai ka një pamje disi të rëndë dhe duket shumë i prerë. Nuk i pëlqen të jetë nëpër faqe gazetash, por e pranoi këtë profil ndoshta se i shpëtoi goja dhe tha Po, dhe si malësor i mirë nuk e ktheu mbrapsht edhe pse ndjej se do donte që ta bënte. Flasim për prokurorinë dhe meqë ai është natyrë direkte as unë nuk lodhëm të bëj pyetje nga Kina.
Si të duket Ina Rama?
-Eksperiment politik i dështuar me institucionin! Mendoj që është në një vend të gabuar e në kohë të njëjtë!
Po drejtësia është kaq rëndë sa thuhet?
- Mjerim! Me humor, por jo më kot, them mes kolegësh se drejtësia jonë është skuq e nxi!!! Korrupsioni është vetëm njëra këmbë e kësaj gjendjeje! Ai mbathoset nga kushtet ekonomike të keqgarantuara ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, krahas karrierës së pasigurt të tyre. E keqe tjetër është cilësia intelektuale e trupës që heton e gjykon fatet e shqiptarëve. Gjyqtarët e prokurorët e ndershëm janë pakicë në këtë vend, e numri i atyre që bartin edhe kulturën e duhur profesionale e të përgjithshme, edhe më i paktë. Kjo e bën pjesën më të shumtë të proceseve gjyqësore tragji-komike, përkatësisht ata që prek mekanizmi dhe ata që ushqehen duke lubrifikuar atë! Këtu blihet si nder detyrimi i shtetit dhe kjo është forma më e përçudnuar e korrupsionit! Mjerë ai që s'ka faj e s'ka para në këtë vend! shuma e parasë së zezë që qarkullon në vit në drejtësinë shqiptare kap për mua shifra miliona euroshe. Gati gati dhënia e pranimi i rryshfetit është kthyer në një rregull moral të shoqërisë sonë, dhe kjo është vërtetë e rëndë!
Ai flet dhe unë ndihem e trullosur nga ato që dëgjoj. E pyes për miliona eurot me shpresën se ato mund të jenë mijëra dhe jo miliona. Është sërish i akullt kur flet dhe ka një bindje vdekjeprurëse në atë nxjerr nga goja.
Po ti nuk ke frikë që i thua këto gjëra? Nuk ke frikë që para disa vitesh shoferi i mikut tuaj të afërt Theodhori Sollaku u vra? Si ndihesh përpara këtij realiteti, por edhe forcës së krimit që vjen deri në makinat tuaja?
-Dikur edhe kam ndjerë frikë. Sigurisht që jam ndalur pak e kam menduar. Po kjo i përket kohës kur më duhej dhe doja të punoja për shtetin. Tani nuk kam realisht arsye të trembem.
Jam baba i dy djemve dhe familja është një tjetër bosht ku ti përveçse zbret në tokë gjen edhe motiv për të punuar që fëmijët ti rrisim në një Tiranë më të mirë. Familja ime është gjithçka për mua. Do bëja të pamundurën të mundur për harmoninë e saj.
- Ju jeni një grup që jeni të pandashëm, Ju, Igli Toska, Theothori Sollaku, Ilirjan Celibashi, së fundmi edhe Damian Gjiknuri, më duket se janë edhe dy të tjerë të cilët nuk jetojnë më në Shqipëri, por e kam burim të sigurt që ju keni një drekë çdo të premte së bashku. Është kthyer në institucion ajo drekë prej shumë vitesh. Ka edhe kështu miqësish?
Nga e di ti? Më pyet ai me një të qeshur pohuese dhe nis e tregon gjithë dëshirë për të institucionin e së premtes.
- Takohemi gjithmonë. Është kohë bisedimi e "grindjeje" mbi çdo problem privat ose jo të tillë që ndeshim gjatë javës...na mban të lidhur. Shpesh ftojmë edhe ndonjë mik të jashtëm.
Për çfarë flisni, jam kurioze.
Flasim për politikën më së shumti, por ka edhe tema të tjera. Nuk do të ti tregoj të gjitha unë ty, më thotë duke e mbyllyr qepenin e së premtes. Ah, dhe diçka tjetër. Në vitin 1993 emigrova në Itali pasi më pushuan nga puna këtu si i majtë. Në atë kohë, miqtë e mi të së premtes së sotme shkonin dhe takonin nënën time. E di çfarë bënin? Fusnin të gjithë nga 10 mijë lekë të vjetra dhe e gënjenin duke i thënë se i kisha dërguar unë në shtëpi ato para. Si mund të mos bësh sakrifica sot për miq të tillë. Nuk na prishi as demokracia ne...thotë ai me ironi e pak humor dhe qesh shumë.
Avokat Visha pse jeni deklaruar si i majtë. E shprehni gati me dhunë këtë bindje tuajën.
-Me dhunë nuk shpreh asgjë, aq më tepër mbi një edukim familjar, shoqëror dhe më në fund vetjak që në tërësi ka qenë mëse i natyrshëm e i përputhshëm me qenien time.
Besoni edhe tek Edi Rama?
Edi Rama është për mua votë e shpërblyer, për periudhën që drejtoi bashkinë e Tiranës!
Koha ka ecur nxitimthi dhe nuk mund të them se Ardian Visha është një njeri karizmatik, apo nga ata që flet për dashurinë dhe muzikën. Në dialogun me të ka shumë drynj, por në të njëjtën kohë është edhe i hapur. Ka diçka djallëzore në sytë e tij, por ai këmbngul që unë gaboj dhe se i se ai e njeh veten për njeri të butë. Ai duket i ndershëm, me parime, me miq për kokë, me ideale, por kjo s'e bën të butë aspak. Ka një sens ashpërsie që buron ndoshta nga një vetdije e thellë për jetën, botën shqiptare. Ndoshta është me nerva për drejtësinë, për Tiranën që e dashuron dhe që nuk është ajo e duhura për jetën e djemve të tij. Ka plot njerëz në Tiranë që struken në guackat e miqësive të tyre, shkojnë për gjah apo peshkim, tek Floga apo tek Patricia të hënë apo të premten, (restorantet ku ndodh e premtja) vetëm për të krijuar një botë më të mirë brenda botës që po na e vret politika.
E falenderoj Vishën që pranoi të shijonte një briosh me mua dhe rrugës për në zyrë më ndërmendet shprehja jonë popullore, "Trimi i mirë me shokë shumë".
(Intervista është botuar sot në rubrikën e re të gazetës "Shqiptarja.com", "lunch.com", të gazetares Mira Kazhani).