Qeveria italiane i ka dhënë dritën jeshile betonizimit të një nga segmentet më të mbrojtura bregdetare të Mesdheut. Më 4 qershor, Këshilli i Ministrave hodhi poshtë kundërshtimin zyrtar të paraqitur nga Rajoni Autonom i Sardenjës dhe Ministria e Kulturës, duke riaktivizuar “autorizimin unik” të lëshuar në shkurt për projektin “Maxi Tavolara Bay” në kepin Cala Finanza, në territorin e Loiri Porto San Paolo, në provincën e Sasarit.

Projekti parashikon ndërtimin e një strukture luksoze akomoduese, si pjesë e një investimi më të gjerë që përfshin një hotel me pesë yje, dhjetëra vila, restorante, marinë, heliport dhe fushë golfi, e gjitha me pamje nga Zona e Mbrojtur Detare Tavolara–Punta Coda Cavallo, e krijuar në vitin 1997 dhe e mbrojtur nga disa nivele kufizimesh mjedisore. Sipas Planit Rajonal të Peizazhit të Sardenjës, në këtë zonë ndalohet çdo ndërtim brenda 300 metrave nga vija bregdetare.

Vendimi u mor duke anashkaluar opinionin negativ dhe detyrues të Superintendencës, kundërshtimin e Rajonit Autonom të Sardenjës dhe rezervat e vetë Ministrisë së Kulturës, duke përdorur një ligj të hartuar për të thjeshtuar investimet në Jug, jo për të anashkaluar kufizimet peizazhore të një rajoni me një statut të veçantë.

GRUPI DHE PROJEKTI

Pas këtij investimi qëndron JHSF, një gjigant brazilian i sektorit të pasurive të paluajtshme dhe turizmit, i drejtuar nga José Auriemo Neto. Në vitin 2007, kompania bleu shumicën e aksioneve të grupit hotelier Fasano, i themeluar në vitin 1902 në São Paulo nga emigranti lombard Vittorio Fasano.

Që atëherë, JHSF ka ndërtuar një rrjet të gjerë të mikpritjes luksoze, me prani nga Rio de Janeiro në Neë York, nga Londra në Miami, si edhe nga Cascais në Punta del Este. Sardegna përfaqëson hapin e parë të grupit në Evropë. Verën e kaluar, klubi privat i plazhit Fasano Al Mare Beach Club në Cala Finanza u hap në mënyrë të rezervuar për një numër të kufizuar mysafirësh të përzgjedhur.

Pjesa tjetër e projektit, e cila i ëhstë besuar arkitektit brazilian Isay Ëeinfeld, pritet të përfundojë deri në vitin 2028. Sipas dokumenteve të publikuara nga Gruppo d’Intervento Giuridico, investimi përfshin rreth 50 hektarë tokë bregdetare mes Cala Finanza dhe Punta La Greca, si edhe dhjetëra hektarë të tjerë në brendësi të territorit.

Sipas gazetarit Gian Antonio Stella në Corriere della Sera, vetëm struktura akomoduese e parashikuar në fazën e parë do të shtrihet në një sipërfaqe prej 4,350 metrash katrorë.

KUNDËRSHTIMET

Procesi i miratimit të projektit Tavolara Bay është karakterizuar nga një sërë kundërshtimesh institucionale që janë anashkaluar njëra pas tjetrës. Gjatë konferencës së shërbimeve të zhvilluar midis tetorit 2025 dhe janarit 2026, pothuajse të gjitha opinionet ishin negative dhe të pakapërcyeshme: Rajoni Autonom, Trupi Pyjor, Superintendenca e Sasarit dhe Provinca Gallura Veri-Lindje u shprehën kundër projektit.

I vetmi miratim politik erdhi nga Këshilli Bashkiak i Loiri Porto San Paolo, i cili në nëntor 2025 pranoi ndryshimin e destinacionit të zonës nga “Zona H” (mbrojtje e plotë) në “Zona F” (zhvillim turistik), por me kusht që të mos shtoheshin volumet ndërtimore dhe të ruheshin rrugët  drejt detit. Edhe ky qëndrim u vu në dyshim, pasi tekniku i vetë bashkisë paraqiti një opinion negativ në konferencën e shërbimeve.

Pavarësisht kësaj, më 9 shkurt 2026 Struktura e Misionit ZES lëshoi “autorizimin unik” për projektin. Rajoni, Trupa Pyjore dhe Ministria e Kulturës kërkuan anulimin e vendimit dhe arritën të pezullonin përkohësisht efektet e tij. Më 4 qershor, Këshilli i Ministrave hodhi poshtë të gjitha kundërshtimet dhe riaktivizoi autorizimin.

Ndërkohë, në fund të marsit, siç dokumentoi me fotografi organizata GrIG, kishin nisur tashmë prerjet e bimësisë tipike mesdhetare në kep. Janë duke u kryer verifikime, për pasojat e mundshme penale të çështjes.

Mekanizmi që mundësoi vendimin është “ZES Unica per il Mezzogiorno”, e krijuar me dekretin ligjor nr. 124 të vitit 2023, që i jep Strukturës së Misionit kompetencën për të lëshuar një “autorizim unik” që zëvendëson të gjitha lejet e tjera. Sipas GrIG, çështja është nëse një normë e krijuar për të nxitur investimet në Jug mund të shndërrohet në një instrument që anashkalon kuadrin kushtetues për mbrojtjen e peizazhit.

Nënkryetari i Rajonit dhe drejtuesi i zyrës së Planifikimit, Giuseppe Meloni, si dhe ish-kryetari i bashkisë së Loiri Porto San Paolo, e ka cilësuar situatën si “të papranueshme”: “Struktura e Misionit ka anashkaluar të gjitha opinionet teknike të dhëna nga bashkia dhe zyrat rajonale. Bëhet fjalë për një ligj që nuk mund të kapërcehet përmes një konference shërbimesh të parashikuar nga një ligj kombëtar, i cili nuk mund të cenojë kompetencat e Rajonit.”

RAJONI DHE GJYKATA ADMINISTRATIVE

Presidentja e Rajonit të Sardenjës, Alessandra Todde, reagoi me një deklaratë të prerë: “Ligjet e Sardenjës nuk mund të anashkalohen. Ne do të mbrojmë deri në fund kompetencat që burojnë nga autonomia jonë.” Sipas saj, thjeshtimi i procedurave administrative nuk mund të përdoret për të dobësuar kompetencat e rajoneve me status të veçantë apo për të reduktuar garancitë që mbrojnë territorin. “Bregdeti ynë është identitet, mjedis, ekonomi e qëndrueshme dhe e ardhme”, shtoi ajo.

Rajoni ka paraqitur tashmë një ankim në Gjykatën Administrative Rajonale (TAR). Më 6 qershor, kryetari i seksionit refuzoi kërkesën për pezullim të menjëhershëm të vendimit, pasi kompania kishte deklaruar zyrtarisht se nuk do të ndërmerrte asnjë ndërhyrje në territor gjatë gjithë verës së vitit 2026. Për këtë arsye, gjykata vlerësoi se mungonte urgjenca që do të justifikonte një masë të tillë. Seanca për shqyrtimin e kërkesës për pezullim është caktuar më 8 korrik.

FRONTI PARLAMENTAR

Ndërkohë, çështja ka mbërritur në Parlament. Deputetët dhe senatorët e Sardenjës nga Lëvizja 5 Yjet kanë njoftuar se do ta çojnë këtë çështje në të gjitha institucionet e mundshme, duke i kërkuar qeverisë të sqarojë arsyet që e kanë shtyrë të anashkalojë opinionet kundërshtuese. Francesca Ghirra, deputete e Aleancës së Gjelbër dhe së Majtës, ka paraqitur tashmë një interpelancë drejtuar ministrave të Mjedisit, Turizmit dhe Politikave të Kohezionit, duke deklaruar se: “Përdorimi i procedurave të thjeshtuara të parashikuara nga ZES për të shmangur planifikimin territorial dhe peizazhistik në fuqi në ishull është i papranueshëm”. Më 8 korrik, në Gjykatën Administrative të Rajonit, do të jetë sprova e parë gjyqësore. Por për Cala Finanza, paralajmërojnë Rajoni dhe ambientalistët, është vetëm fillimi i një beteje që mund të përfundojë deri në Gjykatën Kushtetuese.

Ky nuk është një rast i izoluar në Mesdhe: në Shqipëri, vetëm pak ditë më parë, mijëra njerëz dolën në rrugë në Tiranë për të protestuar kundër një resorti luksoz me vlerë mbi një miliard dollarë, të promovuar nga fondi i Jared Kushner, dhëndrit të Trump, në zona të mbrojtura në bregdetin e Adriatikut. E njëjta logjikë, i njëjti skenar, por protestat, të cilat mbrëmë panë mijëra njerëz të dilnin në rrugë për të dhjetën ditë radhazi, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë antiqeveritare që kërkon dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.