Viti 2018/ Hidhen themelet e drejtësisë së re, burg për bandat, pafajësi për politikanët. Vetting-u djeg prokurorë dhe gjyqtarë

Vettingu, kryefjala e debatit publik prej 3 vitesh, do të niste për herë të parë ‘motorrët’ më 4 maj të 2018-s. Nuk munguan skeptikët, ata që e penguan, por as ata që e mbështetën këtë proces. Sipari i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të ngrihej nën vazhdën e kandidaturës së rrëzuar për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të gjyqtares kushtetuese Vitore Tusha. 80 subjekte kanë kaluar pas tetë muajve në sitën e Vettingut, me një mesatare 10 për cdo muaj, ku thuajse të kualifikuar dhe të mbetur në rrjetë rezultojnë 50 me 50. Pas themelit të parë që vendosi sistemi i ri i drejtësië me çeljen e Vettingut, 11  dhjetori i 2018-s ishte dita kur lindi zyrtarisht institucioni i dytë më i rëndëishëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 11 anëtarë. Një ditë më pas u pasua nga një institucion jo me më pak  vlerë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, po me 11 anëtarë.

Ndërkohë që muajt po shënonin gradualisht përmbylljen e vitit, Bashkim Dedja, i cili ishte konfirmuar në detyrë vetëm nga shkalla e parë e Vettingut, do të deklaronte se kalimi në Vetting ishte “si të kaloje varrin për së gjati”; deklaratë kjo e cila u shoqërua shumë shpejt nga rrëzimi i ëndrrës së tij për të vazhduar në sistemin e drejtësisë.

Dedja u shkarkua më 17 dhjetor të 2018-s nga Kolegji i Apelimit me një vendim me fuqi të menjëhershme, e kjo bëri që Kushtetuesja të mbetej vetëm me një anëtare; Vitore Tushën, me të cilën nisi edhe procesi i Vettingut.

Nën ethet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbetet ende kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili ndonëse e kaloi Vettingun në shkallën e saj të parë, po përballet me kërkesën e shkarkimit nga ana e Komisionerit Publik.

Në sitën e Vettingut kaloi edhe kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku. Marku iu nënshtrua këtij procesi pikërisht në saj të debateve të vazhdueshme asokohe, ku opozita i mëshonte faktit se kurrsesi nuk mund të zgjidhet një kryeprokurore pa Vetting. Në Vetting nuk munguan as zbulimet e rasteve nga më të paimagjinueshmet, nga gjyqtarët që rezultonin të dënuar për vjedhje jashtë vendit e deri në figurat e shkarkuara, ndonëse rezultonin drejtues apo pedagogë nëpër shkolla të jurisprudencës. Krijimi i dy institucioneve më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë do të vinte pikërisht në muajin e ftohtë të dhjetorit. Pas më shumë se 3 viteve nga nisja e reformës në drejtësi, u krijua Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 11 anëtarë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor po me 11 anëtarë.

Me vetëm një ditë diferencë, më 19 dhe 20 dhjetor u konsistuuan dy institucionet e reja të drejtësisë. KLP-ja zgjodhi në krye të saj ish-ekspertin e reformës në drejtësi Gent Ibrahimin dhe zëvendës të tij Alfred Ballën, ndërsa KLGJ-ja zgjodhi në krye të saj Naureda Llagamin dhe zëvendës të saj Maksim Qokun.

Ndërkohë që KLGJ-ja pritet të zhbllokojë ngërcin e Gjykatës së Lartë, e cila nga 19 anëtarë ka mbetur aktualisht me dy, së bashku me KLP-në pritet që t’i hapë rrugë edhe krijimit të Prokurorisë Speciale Antikorrupsion. Ishin pikërisht këto dy institucione që bënë pas më shumë se dy dekadash që të pushojë së funksionuari Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, respektivisht drejtuar nga Presidenti i Republikës dhe Kryeprokurori. E teksa drejtësia u ‘mobilizua’ me institucionet e saj të reformimit në fundvit, proceset në dyert e gjykatave dhe prokurorisë u zhvilluan duke ndjekur rrjedhën e tyre me rregullin e hetimeve paraprake dhe vendimeve të cilat u apeluan.

Tre janari 2018 nisi me ndryshimin e parë në themelet e drejtësisë shqiptare; Kodi Penal hyri në fuqi me norma të reja, duke hequr gjykimin e shkurtuar për krime në familje, krime seksuale, si dhe krime të rënda, çka pamundëson tanimë edhe përfitimet nga burgimi i përjetshëm. Gjyqtari i hetimeve paraprake ishte një tjetër risi e kodit; fatet e një dosjeje nuk janë më në dorën e prokurorit apo drejtuesit të prokurorisë, por është pikërisht gjyqtari në fjalë dhe gjykata që certifikon një hetim si të plotë apo të paplotë.

---------------------------------

Personi i dyshuar për 800 mijë eurot e gjetura në një automjet së bashku me patentat e lundrimit në emër të ish-ministrit Saimir Tahiri, biznesmeni Orest Sota do të fitonte lirinë më 4 janar të 2018-s. Ndërsa ish-deputeti kristian demokrat Mark Frroku, për akuzën e vrasjes së Aleksandër Markut në Belgjikë në vitin 1999, do të shpallej i pafajshëm nga Gjykata e Apelit . Frroku përfitoi po ashtu 1.5 vite ulje dënim nga 7.5 vite të dhëna nga Dhoma Penale për akuzën e deklarimit të rremë dhe mos justifikimit të pasurisë.

Pak muaj më vonë, Gjykata e Fierit do t’i mundësonte ish-deputetit kristian demokrat fitimin e lirisë me kusht. Pa kaluar dy muaj në krye të postit të ndërmarrë, kryeprokurorja Arta Marku do të përballej me kallëzimin e parë penal ndaj saj për shpërdorim detyre. Kallëzimi u bë nga ish-drejtuesi i prokurorisë Elbasan i transferuar në Tiranë dhe sot i pezulluar, Dritan Gina, si dhe nga bashkëshortja e tij Rovena Gashi, e cila ishte drejtuese e njësisë së marrëdhënieve me jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, e që më pas u shkarkua edhe nga Vettingu. Si faturë e drejtësisë, janari i 2018-s solli për shqiptarët 13 milionë euro dëmshpërblim për pallatin e vjehrrit të kreut të opozitës, Lulzim Basha.  Gjykata Europiane e Drejtësisë e konsideroi pallatin e prishur në Vlorë në shkelje të procedurave dhe madje e konsideroi padrejtësi, duke i faturuar kështu edhe detyrimin për dëmshpërblim.

Gjykata Kushtetuese do të refuzonte më 18 janar të 2018-s kërkesën e biznesmenit Arben Frroku për rigjykim duke lënë në fuqi dënimin e dhënë ndaj Frrokut me burgim të përjetshëm, për vrasjen e ish-kryekomisarit të Kombinatit, Dritan Lamaj.

Fund janari i 2018-s do të sillte një përplasje të re brenda dyerve të drejtësisë; akuzat e politikës për ekstradimin e financierit të grupit kriminal Habilaj. Nazer Seiti la Shqipërinë nëpërmjet aeroportit të Rinasit duke iu dorëzuar palës italiane, ndërsa në vend ndaj tij kishte një masë sigurie “arrest me burg” dhe hetim të hapur, që binte ndesh me kërkesën për ekstradim.

Prokuroria e Elbasanit, në drejtimin e Ardian Nezhës firmosi në shkurt të 2018-s arrestimin e ish-kreut të Autoritetit të Rrugëve, Dashamir Xhikës. Kjo dosje do të çonte në dyert e akuzës ministra dhe ish-ministra transporti për të dëshmuar. Por pavarësisht zhurmës së krijuar, akuza e korrupsionit ra dhe Nezha aktualisht ka fituar lirinë me kusht e po hetohet vetëm për shpërdorim detyre.

Në muajin shkurt, gjykimi do të niste edhe për ish-deputetin socialist Alfred Peza. I vendosur nën akuzë për fshehje pasurie e deklarim tërremë, Alfred Peza do të shpallej i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës,së cilës iu transferua procesi nga Krimet.

Edhe ish-deputeti socialist, sot deputeti social-demokrat, Tom Doshi arriti të fitojë pafajësinë ndaj akuzave për kallëzim të rremë në lidhje me atentatin e pretenduar për vrasjen e tij nga Durim Bami.

Muaji shkurt për ish-kreun e akuzës Adriatik Llalla do të ishte vendimtar në dy aspekte; ai nuk iu nënshtrua Vettingut dhe për 15 vitet e ardhshme me kërkesë personale, Llala do të qëndrojë jashtë sistemit të drejtësisë. Paralelisht me këto zhvillime, ndaj Llallës nisën hetimet për fshehje pasurie dhe iu sekuestruan një sërë pronash.

Kryeprokurori i Antimafias Italiane, Federico Cafeiro De Raho vizitoi Tiranën, ku në axhendën e tij përfshihej edhe takimi me kryeprokuroren Arta Marku. Në këtë takim, ai u shpreh se goditja e grupeve kriminale dhe mafias do të realizohej vetëm nëse fillimisht do të arrihej shkëputja e lidhjes së tyre me politikën.

Krimet e rënda në shkurt të 2018-s hapën dosjen e trafikimit ndërkombëtar me sasinë më të madhe të kokainës së regjistruar ndonjëherë në Shqipëri. 614 kg kokainë që u sekuestruan në Durrës, çuan pas hekurave 5 persona, ndërkohë që urdhër arresti ndërkombëtar për Arbër Cekaj, i cili konsiderohet si kryesori i këtij trafiku droge dhe administrator i “Arbër Garden”, është ende i paekzekutuar. Momentalisht ndodhet në Gjermani, i ndaluar nga autoritetet përkatëse.

Fill pas rastit të kokainës së kapur në Durrës, u sekuestruan 3.4 milionë euro të fshehura në dy automjete “Toyota Auris”. Për këto para u ndalua shoferi i trajlerit që i transportoi nga Belgjika, tre persona të tjerë, ndërsa në kërkim ndodhen kushërinjtë Vladi. Kjo dosje po hetohet nga Krimet e Rënda, ndërkohë që në Gjykatën e Tiranës ka prodhuar një tjetër proces, atë mes Taulant Ballës dhe Lulzim Bashës. Në këtëproces, Balla kërkon dënimin e kreut të opozitës pasi sipas tij, Basha e akuzon padrejtësisht si personin që qëndron pas linjës së futjes së parave të krimit në Shqipëri.

Ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili, i cili u shkarkua pas aferës seksuale së dalë në dritë, mori dhe një dënim të dytë me gjobë për fshehje dhe deklarim të rremë pasurie. I zgjedhur si personi që do të drejtonte Komisionerin Publik dhe që do të kontrollonte proceset e vendimarrjes në KPK, Herald Saraci e humbi postin e tij pasi ishte personi që kishte bllokuar proceset në KPK.

Prokuroria e Tiranës hapi një hetim për prejardhjen e fondeve prej 600 mijë dollarësh të përdorur nga Partia Demokratike për dy kontrata lobimi në USA. Teksa priten letërporositë që duhet të vijnë nga Amerika, hetimi është ende i hapur. Ky hetim u komentua gjerësisht edhe në debatin politik të ditës, ku mazhoranca akuzonte vazhdimisht Lulzim Bashën për origjinën e parave dhe lidhjen e tij të ngushtë me rusët.

Pas më shumë se dy dekadash, ish-truproja e ish-kryeministrit Sali Berisha, Izet Haxhiaj do të ekstradohej më 8 maj të 2018-s në Shqipëri. Ndaj tij rëndon dënimi me 20 vite në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit, konsideruar kjo si vrasja dhe procesi i shekullit. Që prej vitit 1998, Haxhiaj qëndron edhe sot në dyert e drejtësisë duke kërkuar rigjykim, por kjo kërkesë e tij ende nuk ka marrë një përgjigje nga gjykata shqiptare.

Në vitin 2018, gjyqësori shqiptar dënoi me 10 vite burg të riun nga Kucova, Mikel Shallarin, i cili kundrejt një pagese të premtuar ekzekutoi ish-drejtorin e Policisë Vlorë, Artan Cukun. Ky vendim i gjyqësorit erdhi pas një marrëveshjeje dhe statusit të të penduarit.

Ish-kreu i burgjeve, Artur Zoto fitoi në vitin që lamë pas pafajësinë, pas qëndrimit prej afro dy vitesh në qeli, për korrupsion. Ishte ish-vartësi i tij, Iliaz Labi, i cili e akuzonte për shpërdorim detyre. Por fill pas pafajësisë, Artur Zoto kërkoi dëmshpërblim për burgim të padrejtë në Gjykatën Administrative.

Saimir Tahiri, qëndroi për katër vite si ministër i Brendshëm, duke u konsideruar si më jetëgjati në këtë post. Përgjatë 2018-s, Tahiri do të shkelte disa herë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Aty u përball me prokurorët për hetimin e tejzgjatur ndaj tij dhe pretendimet se Italia e ka shpallur të pafajshëm dhe se nuk ka asnjë arsye të rihetohet në Shqipëri. Lidhur me dyshimet se Tahiri përkrahu grupin kriminal të Habilajve që të trafikonin drogë drejt Italisë, hetimi mbetet ende i hapur.

Krimet e Rënda u përfshinë për më shumë se katër muaj në hetimin e dosjes “Babale”, aty ku Albert Veliu, Alfred Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi u vunë nën akuzë. Veliu i njohur si “Babalja” denonconte se me vëllain e ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj kish folur për tëtrafikuar drogë. Por, ekspertiza e audio-përgjimit nxorri në pah se zëri i Agron Xhafës ishte i manipuluar.

Ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri u dënua për korrupsion me 2.6 vite burg. Ai u hetua si i dyshuar për ndikimin në një vendim për liruar një person të dënuar , por Miri i mohoi akuzat duke thënëse trupa gjykuese ka qenë me tre dhe dënimi nuk duhet të aplikohet vetëm mbi të.

Sadetin Sula u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi vrau gruan nën dyshimet se e tradhtonte dhe nën frikën se do t’i merrte mobilerinë. Sipas hetimeve të prokurorisë, Sula e vrau gruan e tij në prill të 2016-s duke bashkëpunuar me Fatjon Karmeshtën, punëtorin e mobilerisë që ishte në pronësi të çiftit Suela dhe Sadetin Sula.

Procesi për vrasjen e Marvi Mihalit u rihap në 2018-n. Masat e sigurisë fillimisht u ndanë në moskallëzim krimi dhe një nën akuzë për vrasje. Por pas ndërhyrjes së kryeprokurores Arta Marku, dosja i kaloi prokurorit Gjergji Tako, i cili i riktheu të pestë të dyshuarit në qeli duke i akuzuar për vrasje kryer në bashkëpunim.

Pasuritë e familjes Cilotaj në Fier, e njohur për biznes të materialeve të ndërtimit dhe të një sërë aktiviteteve të tjera tregtare, janë vendosur në sekuestro nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sekuestro është bërë me miratimin e Gjykatës, ndërsa hetimet për Shpëtim Cilotaj, Vladimir Cilotaj, Agur Cilotaj dhe Jonida Cilotaj nisën rreth një muaj më parë në Prokurorinë e Fierit.

Në tetor të 2018-s, në dyert e prokurorisë përfundoi edhe biznesmeni Ervis Martinaj. Për të u firmos urdhër-arresti si person i përfshirë në përplasjen me armë në ish-Bllok, ku u shënua një viktimë dhe dy të plagosur. Martinaj i ka mohuar akuzat duke pretenduar se mbrëmjen e 4 tetorit ndodhej rastësisht në lokalin “Monopol”. Por, prokuroria pretendon të kundërtën duke e hetuar madje edhe për pastrim parash.

Viti 2018 solli dhe hapjen e burgut më të ri në vend. I krijuar në Rec të Shkodrës, burgu përmban qeli VIP, por deri më tani askush nga zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë nuk është akomoduar atje.

Pas tre vitesh, Krimet e Rënda dhanë dy dënime me burg përjetë dhe mbi dy shekuj burg për grupin kriminal “Lazarati’ të drejtuar nga Arbjon Aliko, që vrau efektivin e Specialeve në 2015-n, Ibrahim Pashën.

Dënimet e rënda vijojnë; Krimet e Rënda dhanë në nëntor të 2018-s 55 vite burg për 5 anëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Emiliano Shullazi. Për këtë të fundit u dhanë 14 vite, vendim ky që prodhoi mjaft reagime nga selitë diplomatike në vend, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë dhe Gjermanisë.

Por 2018 u ngjyros edhe nga ‘pigmentet’ e dosjes “rozë” të Xhisiela Malokut, e cila denoncoi publikisht se ishte dhunuar sistematikisht nga djali i deputetit socialist Rrahman Rraja, Rexhep Rraja. Teksa ditët kalonin, versionet e ndryshme pasonin njëra-tjetrën dhe prokuroria kërkoi dënimin e Rexhepit me një vit burg. Por pak ditë nga festat e fundvitit, Gjykata e Krujës i dha Rexhep Rrajës lirinë duke ia konvertuar burgimin me një vit shërbim prove. Ndërsa Xhisiela, ndryshe nga sa deklaroi fillimisht në media, u shpreh se gjithçka e kish bërë nga xhelozia pasi Rexhepi e kish lënë atë për një tjetër të dashur.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë