Propozimet për sigurinë në rrugë/ Deri në 80 mijë lekë gjobë për celularin në timon, testi i 'idiotit' për shoferët e rrezikshëm (VIDEO)

TIRANE - Aksidentet rrugore vrasin 5 herë më shumë se krimi. Ishte ky alarmi i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj në tryezën e diskutimeve për disa ndryshime në Kodin Rrugor, pjesë e së cilës ishin edhe ministrja Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, drejtori i Policisë Së shtetit, Ardi Veliu dhe krybashkiakë e ekspertë rrugorë.

Ministri Lleshaj renditi disa nga propozimet që sipas tij synojnë rritjen e sigurisë në rrugë. Ndërsa burime bçjnë me dije se gjoba për përdorimin e celularit në timon, parashikohet të arrijë nga 25 mijë lekë të rinj deri në 80 mijë lekë të rinj, ndërkohë që do të rriten masat administrative edhe për parkimet  e gabuara.

Ministri Lleshaj u ndal edhe tek një risi që pritet të hyjë në vendin tonë për të gjithë ata shoferë që krijojnë probleme kur ndalohen nga policia apo kryejnë manovra të rrezikshme për drejtuesit e tjerë të automjeteve. Sipas Lleshajt këta persona së shpejti do t'i nënshtrohen testit të 'idiotit' për të parë nëse janë të aftë mendërisht që të përdorin makinën.

"Sjelljet agresive që bien në sy në rrugë. Presioni ndaj atyre që ecin normalisht. Ky presion që i shkon tjetrin ngjitur, që e detyron tjetrin të largohet ose të ecë shpejtë, kjo do të rregullohet. Rritja e përgjegjshmërisë për përdoruesit e rrugës. Kërkohet një program i gjerë masash. Teste të vazhdueshme psikologjike. Në raste e drejtuesve që nuk sillen normal. Do bëjmë testin e "idiotëve" që quhet në vendet e tjera. Si dhe trajnimi i vlerës së lejes së drejtimit", tha Lleshaj.

Ministri i Punëve të Brendshme u ndal edhe tek pajisja me teknologji e forcave policore me sensorë e automjete të tjera pune që sipas Lleshajt do të kursejë kohë dhe burime njerëzore.
Ndërkohë Lleshaj ka shtuar se të gjithë qytetet duhet të angazhohen për përdorimin e semaforit, ndërsa për sa u përket autoshkollave ka thënë se do të pajisen me kamera, ndërsa shtoji se do të kërkojë që ato të akreditohen.

"Semafori është vetëm në Tiranë, në Shqipëri nuk ka semaforë përveç në Tiranë. Ka ardhur koha të investojmë në këtë fushë. Një aspekt tjetër është kërkimi i masave për të rritur përgjegjësinë e autoshkollave. Nuk është vetëm thashetheme, por në shumë raste autoshkollat nuk plotësojnë detyrat për shoferë të aftë. Kanë një armë të madhe që e merr me vete kur përdoret keq. Do gjejmë mënyra për këto autoshkolla për nxënësit që nxjerrin. Do të kërkojmë akreditim", tha ministri.

Për sa u përket targave të reja Lleshaj tha se ato janë shumë të sigurta, ndërsa do të ndihmojnë edhe në uljen e ngjarjeve kriminale.

"Vrasjet mafioze ndodhin me mjete të vjedhura më së shumti. Do ta kufizojmë këtë, me targat e reja që të mos bëhet në dy mjete.  Ta kufizojmë hapësirën për të përdorur makinat si armë. Mjetet e blinduara janë në përdorim masiv të krimineleve. Anëtarë grupesh kriminale, dhe kjo nuk do të tolerohet.  Nuk e lemë policinë në këtë situatë, policia shumë pak ka automjete të tilla", tha Lleshaj.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku teksa pranoi problematikat e kushteve të rrugëve në vend, tregoi se ngjarjet aksidentale kanë prodhuar dhe dëme të shumta materiale me një shifër që kap vlerën e 56 milionë eurove.

Ndërsa drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se akse rrugore si rrethrrotullimi i TEG dhe ai i Kolonjës, mbeten në problematikët, pasi janë shënuar një numër i lartë aksidentesh rrugore me pasoja fatale.

Kjo paketë ndryshimesh që pritet të aplikohet së shpejti ka si qëllim rritjen e sigurisë në rrugë pasi viti 2019 u përmbyll me një bilanc negative sa i takon aksidenteve rrugore ku brenda një viti u shënuan 227 viktima me Tiranën, Durrësin dhe Fierin të evidentuara si qytetet më problematike. Sipas të dhënave të policisë, oraret me më shumë aksidente janë ato 8-12 të mëngjesit dhe 14-17 pasdite.

Deri në fund të muajit shkurt ku pritet të organizohet një tjetër tryezë vijim i të parës, të krijohet edhe një listë me të gjitha ndryshimet e propozuara. Me pas këto ndryshime do t'i paraqiten  qeverisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:40
Drejtori i DPSHTRR: Kamera në çdo makinë autoshkolle! Shumë shpejt 'Auto Moto Park' për të 'çmendurit' pas shpejtësisë (VIDEO)

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor,  Blendi Gonxhe, në një prononcim për Report Tv është shprehur se situata problematike me aksidentet në rrugë dhe sjelljet jo të mira, lidhet edhe me pajisjen me patentë të personave që nuk e kanë merituar. Tashmë sipas Gonxhes, në çdo automjet ku do të kryhet testi i praktikës për marrjen e patentës do të ketë kamera që filmon çdo situatë dhe me zë.

"Ka njerëz dhe komisionerë që kanë sjellje negative. Por detyra jonë është që testi të jetë objektiv dhe i saktë. Të mos i hahet askujt haku për personat që mësojnë e përgatiten për testin. Kemi hequr 1,200 pyetje që ishin një çark për të futur dhe ata që mësonin në kurth dhe kemi korrigjuar rreth 1,800 pyetje të tjera duke rregulluar rreth 70% të pyetjeve të testit të teorisë. Është mundësuar simulimi i testit zyrtar online për të gjithë qytetarët pa pagesë në faqen zyrtare të DPSHTRR. Ndërkohë, ka nisur puna për implementimin fizik të sistemit intereaktiv të monitorimit ku do lidhen gjithë sportelet, sallat e testimeve, mjetet e autoshkollave gjatë testit të praktikës në qarkullim, ambientet administratë e oborre, kontrolli fizik, poligonet e testimit të manovrave të parkimit, arkivat, sistemet e radhës, etj. çka do t’a ngrejnë shërbimin, sigurinë e testimeve, kredibilitetin ndaj çdo afere/abuzimi në një nivel të panjohur më parë. Për të rritur standardin dhe monitorimin për testimin praktik të kandidatëve, DPSHTRR ka planifikuar investime në poligonet e testimit praktik të kandidatëve për t’u pajisur me lejedrejtimi në 8 qytete kryesore të Shqipërisë për vitin 2020”, tha Gonxhe.

Ndërkohë për targat e reja, Gonxhe është shprehur se kanë 15 elementë sigurie dhe që nuk mund të falsifikohen.

“Targat e reja tashmë do të aplikohen për të gjitha regjistrimet e reja të mjete apo ndërrime që lidhen me humbjen, vjedhjen apo dëmtimin e targave. Targat përmbajnë 15 elementë sigurie, kanë një barkod unik progresiv që reflektohet në sistem. Është e pamundur të falsifikohet. Targat e tjetërsuara, targat e falsifikuara duhet të hiqen nga mendja. Targat tona të reja, më të mirat në rajon dhe në standardet e BE-së.”, tha Gonxhja.

Për sa i përket garave të shpejtësisë që shpesh herë janë kthyer në një problem dhe burim aksidentesh për përdoruesit e tjerë të rrugës, Gonxhja është shprehur se kjo gjë pritet të marrë fund. Sipas tij, shumë shpejt në Shqipëri do të ketë një "Auto Moto Park" pë të gjithë të apasionuarit pas garave si për përdorim sportiv, ashtu edhe për testime specifike.

“Një nga risitë është që adrenalina e talenteve të timonit të shkarkohet në kushte të sigurta dhe jo në rrugë duke rrezikuar veten dhe të tjerët”, u shpreh ai.

Ora 11:00
Shifrat/ Muajt, ditët dhe orët kur ndodhin më shumë aksidentet në Shqipëri (FOTO)

Qarku që kryeson për numrin më të lartë të aksidenteve rrugore, është i i Beratit, duke vijuar me Dibrën, Durrësin, Elbasanin, Fierin, Gjirokastrën, Korçën, etj. Ndërsa Tirana ndodhet e parafundit për nga numri i aksidenteve, duke u përmbyllur me qarkun e Vlorës, me më pak aksidente rrugore. Megjithatë. më shumë viktima janë shënuar në qarkun e Tiranës përgjatë vitit 2019, 50 jetë të humbura, ndërsa më tej vijohet me Durrësin me 34 viktima, Fierin me 32, Elbasani me 25, Lezha me 22, e Shkodra me 20 jetë të humbura në rrugë. Në vitin 2019, humbën jetën 227 persona si pasojë e aksidenteve rrugore.  Ndërkohë që sipas statistikave të publikuara nga Policia Rrugore, viti kur janë shënuar më shumë viktima nga aksidentet, është 2009, me 378 jetë të humbura.

Fasha orare kur ndoshin më shumë aksidente është nga 08:00 e mëngjesit deri në 12:00, duke vijuar me 14:00 deri në 17:00 .

Referuar ditëve, numri më i madh i aksidenteve janë të hënën 283, të premten 230 dhe 214 të dielën.

Numri më i madh i aksidenteve shënohet në rrugët urbane kryesore.

Qytetet ku ndodhin më shumë aksidentet me vdekje  

Tirana me 50 viktima

Durrësi me 34 viktima

Fieri me 32 viktima

Muajt kur ndodhin më shumë aksidente

Në Gusht 152 aksidente

Në Qershor 131 aksidente

Në Dhjetor 135 aksidente  

Numri më i madh i të vrarëve në rrugë

Në Qershor  26 të vrarë

Në Tetor  25 të vrarë

Në Korrik numri më i madh i të plagosurve rëndë

Ditët kur ndodhin më shumë aksidente

Të hënën 233 aksidente

Të premten 230 aksidente

Të dielën 214 aksidente

 Oraret kur ndodin aksidentet 

Ora 08:00 - 12:00 paradite

Ora 14:00 – 17:00 pasdite

Ku ndodhin aksidentet?

Në rrugë lokale 188 aksidente

Në rrugë urbane dytësore 399 aksidente

Në rrugë urbane kryesore 426 aksidente

Në rrugë interurbane dytësore 299 aksidente

Në rrugë interurbane kryesore 150 aksidente

Në autostrada 31 aksidente

Ora 10:46
'Dy pikat rrugore që kanë patur më shumë aksidente fatale', Veliu: Shumëfishim gjobash për drejtuesit (VIDEO)

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu paralajmëroi se për shkak të aksidenteve të shumta rrugore do të ndërmerren masa për parandalimin e tyre. Sipas Veliut do të ketë shumëfishimin gjobash për të gjithë drejtuesit e automjeteve që kryejnë shkelje. Gjobat do aplikohen në rastet e përdorimit të celularit gjatë drejtimit të mjetit, parakalim i gabuar e mosdhënie e përparësisë. Po ashtu kërkohet të futet gjoba këshilluese.

Ndërkohë si pika të zeza për aksidentet, Veliu përmendi rrethrrotullimin e TEG-ut ku vetëm në 3 muaj kemi pasur 7 aksidente me pasoja fatale. Si dhe rrethrrotullimi i Kolonjës ku në 2 muaj kemi pasur 5 aksidente me pasoja fatale. Ai shtoi se numri më i madh i aksidenteve janë të hënën 283, të premten 230 dhe 214 të dielën.

"Konstatojmë se janë disa pika shumë të vështira që na kanë sjellë aksidente fatale. Krahas mangësive të Policisë Rrugore është edhe projektimi inxhinierik i rrugëve. Tek TEG-u për tre muaj kemi patur 7 aksidente. Në Kolonjë po ashtu 5 aksidente. Kërkojmë edhe mendimin tuaj për përmirësimin inxhinierik të akseve rrugore. Numri i aksidenteve në 2019 7.9 të vrarë në aksident për 100 mijë banorë. " tha Veliu, dër të tjera.

 “Ndërsa sa i takon numrit të aksidenteve, në vitin 2019 kemi pasur më pak aksidente se në vitin 2018. Pra, 1 498 në vitin 2019 dhe 1 718 në vitin 2018. Ndërsa sa i takon të plagosurve rëndë në vitin 2019 kemi pasur më pak të plagosur rëndë se në vitin 2018, 260 vitin e shkuar dhe 312 para dy viteve”-, tha Veliu.

Ai tha se sipas statistikave të 10 viteve të fundi, rezulton se grafiku i të vrarëve nga aksidentet rrugore ka ardhur në rënie deri në vitin 2017. “Nga 12.95 të vrarë për 100 mijë banorë nga aksidentet në vitin 2009, në vitin vitin 2017 kemi pasur 6.8 të vrarë për 100 000 banorë, teksa ka pasur një ngritje të këtij numri në dy vitet e fundit, në vitin 2018 kemi pasur 7.2 të vrarë nga aksidentet ëpr 100 000 banorë dhe në vitin 2019, ishin 7.9 të vrarë për 100 000 banorë”-, theksoi Veliu.

Veliu tha se oraret kryesore kur ndodhin aksidentet janë oraret e lëvizjes për në punë. “Janë oraret kur qytetarët nxitojnë për të mbërritur në vendin e punës, 08:00-12:00 apo 14:00-17:00, që është orari i kthimit nga puna apo përfundimi i procesit mësimor”-, theksoi Veliu.

Kreu i Policisë së Shtetit, duke u nisur nga analiza e bërë propozoi shumëfishim të gjobave për disa nga shkeljet rrugore. “Duhet shumëfishim të masës administrative për “Përdorimin e Celularit gajtë drejtimit të mjetit”, “Parakalimin e gabuar”, “Mosdhënien e përparësisë”, si edhe “Lënien e gjurmëve në historikun e shkeljeve të drejtuesit të mjetit”-, tha Veliu.

Ora 10:45
Balluku: Do të ngremë qendrën e menaxhimit të trafikut (VIDEO)

Ministrja e Infrastrukës Belinda Balluku u shpreh se viti 2020 duhet të jetë një viti i sigurisë rrugore. Balluku u shpreh se duhet të merren masa shtesë për ata që kryejnë shkelje në rrugë. Ministrja është ndalur edhe tek detyrat e ARRSH duke thënë se duhet të krijohen rrugë me standarde evropiane në mënyrë që të kenë sinjalistikën e nevojshme për parandalimin e aksidenteve.

“Kemi ndërhyrë në të gjitha akset rrugore, kemi patur mbështetje të BB që prej kohësh aplikohet por gjatë 2019 i kemi dhënë fokus të madh mirëmbajtjes. Gjithçka, çdo ndërhyrje ne e masim me rezultate. Shifrat kanë ndryshuar, janë më pak, por kërkohet edhe ndërgjegjësim nga drejtuesit. Kemi nisur evente sensibilizuese sa i përket rregullave, kemi investuar te fëmijët, vendosja e rripit, celulari nuk përdoret në makinë, ndalojmë në semafor, edhe këmbësorët kanë të njëjtën përgjegjësi. Jemi ndodhur para faktit se një këmbësor ka humbur jetën se ka thyer rregullat. është proces kompleks, siguria rrugore, por jemi të angazhuar për rezultate të larta. Me mungesën e ndarjes, apo shkëmbimit të makinave, do na duhet të ndërhyjmë shpejt, ndoshta edhe duke e mbyllur për pak kohë aks, ndihma e policisë rrugë ka qenë shumë e rëndësishme, duke ndihmuar edhe punën e ARRSH-së. Ky është një nga rastet e shumta të bashkëpunimit, megjithatë duhet një fokus i jashtëzakonshëm te siguria rrugore. Edhe kostot financiare për shkak të dëmeve nga aksidentet janë të konsiderueshme. 2020 është shpallur nga MIE, si vit i sigurisë rrugore.”- u shpreh Balluku.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sabri: 18/01/2020 06:19

    Bejani testin e pare te idiotit Ministrit, mandej Drejtorit te Policise.

    Përgjigju
  • Miti: 17/01/2020 23:05

    Kjo gjoba per perdorim telefoni duhet te vihet sa me pare te jete e mundur. Turli lloj idiotesh nuk mjaftohen thjeshte te flasin ne telefon por ulin koken dhe lexojne ca shkruhet ne FB a instagram nderkohe qe jane ne timon, dhe nuk e ngrene pa ecur 50-100 metra. Nderkohe qe ne cdo sekonde situata mund te ndryshoje ne rruge, nje kembesor, nje biciklete qe mund te rrezohet, nje femije apo dhe nje makine tjeter. Totalisht te papergjegjshem.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren