Shenjë se bankat problemet për kreditë i kanë jo me kompanitë që kanë kryer punë për qeverinë, por me bizneset që kanë ndërtuar pa hesap e tani numërojnë me qindra pallate e mijëra apartamente të pashitura në Tiranë, Fier, Durrës, Vlorë, etj., si dhe gjatë gjithë vijës sonë bregdetare. Buxheti i Shtetit 2015, me të rreth 7 miliardë eurot e tij në të ardhura dhe shpenzime, duket se është një buxhet “Thanas shtrëngo rrypin!”, dhe jo një sprovë për të ndihmuar fort ekonominë e vendit të dalë nga qerthulli i rritjes së ngadaltë. Qeveria jo se nuk do, por nuk mundet të japë më shumë për ekonominë.
Gjendjen e turbullt me rritjen tonë ekonomike e rëndon edhe mosbesimi i biznesit për të investuar në sektorë të tjerë nga transporti dhe ndërtimet, ku ka qenë mësuar të investojë prej gati mbidy dekada. Rritja ekonomike për vitin e ardhshëm është në vartësi të fortë të asaj se sa mund t’i ndihmojë qeveria me buxhetin dhe masat e saj, biznesin dhe qytetarët që t’u kthehen investimeve. Nga Buxheti ngelet pak të shpresojmë. Duket qartë se nuk është një buxhet me sytë fiksuar fort në investimet publike, përderisa FMN që jep 350 milionë euro në tre vjet, ka përparësi shëndoshjen njëherë të finacave tona publike, bërjen e tyre më të qëndrueshme, pastaj investimet.
Si të thuash, qeveria me këtë buxhet është përpjekur të pjekë mishin(pra të japë impulse për prodhimin), por të mos djegë hellin(ose ndryshe FMN-në, ose ndryshe të ulë defiçitin dhe rrisë të ardhurat, edhe duke rritur disa taksa). Megjithatë, me paketën fiskale 2015 qeveria duket se do të nxisë rafinimin e naftës në vend, duke zeruar tarifën doganore të importit të naftës bruto. Do të nxisë përpunimin e mineraleve në vend, duke ulur rentën. Megjithë debatet për paketën fiskale, sfida e vërtetë e Buxhetit 2015 janë tatimet dhe marrëdhëniet në tregun e punës. Nëse tatimet përmirësojnë ndjeshëm administrimin e taksave, ato mund të sjellin më shumë në arkën e Shtetit nga një milion dollarë në ditë, sa sollën më tepër doganat për këtë vit.
Nga ana tjetër, nuk mund të vijojmë me realitetin mjeran ku kontributet për pensione janë të barabarta si nga sektori shtetëror, ashtu dhe nga ai privat, kur dihet se sektori jo-bujqësor privat punëson të paktën tri herë më shumë punonjës! Nëse inspektorët e punës zbulojnë punën masive në të zezë, defiçiti i pensioneve mund të ulet përgjysëm, me 200 milionë dollarë, duke lehtësuar Buxhetin dhe i drejtuar paratë tek shtresat në vështirësi që preken aq fort nga reforma në energjitikë. Po biznesi, si do t’i përgjigjet veprimeve qeveritare?
Biznesi shqiptar sot duhet të dalë vërtet nga mendësia e “llaçit dhe tullave për ndërtim”, sikurse e tha me të drejtë Kryeministri për orientimin e derisotëm të biznesit në ndërtim. Duhet të rigjallërohet. Por që tëdalë, ai ka nevojë për nxitje, siguri dhe orientim. Ka pak njohje për të investuar në linja prodhimi, që përpunojnë produktet tona bujqësore. Ka pak njohje të këtij trëgu, për të menduar dhe planifikuar të eksportojë një pjesë të mirë të prodhimit.
Edhe pse subvencionet për bujqësinë shqiptare me Buxhetin e vitit 2015 rriten dyfish, ato janë ende shtatë herë më të ulta se sa subvencionet për bujqësinë të një vendi si Maqedonia, i ngjashëm me ne në fuqinë blerëse dhe të ardhurat për frymë. Kuvendi, komisioni i tij për ekonominë dhe financat dhe vetë qeveria, duhet ta mendojnë mirë dhe me dashamirësi të plotë, për të përgatitur një paketë të fortë ndihme dhe orientimi për biznesin.
Tani që Buxheti nuk e parashikoi dhe fonde nuk ka, ndoshta një fond garancie për bankat dhe bizneset që ristrukturojnë kreditë e këqija, mund të gjendet nga bankat ndërkombëtare të zhvillimit, me shtysën dhe sigurinë e qeverise shqiptare. Nyja gordiane e bllokimit të kreditit bankar duhet çliruar një orë e më parë, që të kemi një vit ekonomik 2015 me rritje të mirë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Dhjetor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)