Për të 8-tin vit radhazi në Shqipëri do të organizohet “Tetori Gjerman” me një gamë të gjerë aktivitetesh kulturore. Gjatë gjithë muajit tetor , në kryeqytet dhe jo vetëm do të prezantohen aktivitete të shumta, si filma, koncerte, ekspozita e forume diskutimesh. Gjatë prezantimit të kalendarit , ambasadori Hoffman tha se “ Tetori Gjerman” tashmë është kthyer në tradit dhe ka si qëllim të bashkojë njerëzit e dy kulturave .


"Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë janë shumë të mira , por ato mund të mbushen me më shumë jetë. Kështu në të tetin vit radhazi kemi menduar një program të pasur kulturor. Viti 2014 është një vit i rëndësishëm, është 100 vjetori i nisjes së Luftës së Parë Botërore, 75 vjetori i Luftës së Dytë Botërore, dhe 25 vjetori i rënies së Murit të Berlinit, për të cilën do të kemi një ekspozitë të rëndësishme", deklaroi ambasadori gjerman  Hellmut Hoffman.

tetori gjerman
tetori gjerman
tetori gjerman

Përvec Tiranës, aktivitete të pasura kulturore do të zhvillohen edhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë . Në fokus do të jenë projekte ndërkufitare që synojnë të bëjnë bashkë qytetarët e të dyja vendeve . 

Regjisori Stefan Capaliku do të vërë në skenë pjesën e dramaturgut gjerman Heiner Muller me titull “Hamlet-Makina” e cila do të shfaqet në datën 4 tetor në orën 19.00 në Tetarin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Këngëtarja Eda Zari fton në një mbrëmjë nënë moton “Jazz & Lirikë” gjatë të cilës muzika shqiptare dhe gjermane do të ndërthuren. “ Open Air” do të jetë koncerti i përbashkët i grupeve muzikore nga Gjermania, Zvicra, Austria dhe Shqipëria.

Programi parashikon edhe koncerte klasike, workshop-e dhe shfaqje filmash të njohur gjerman. Por “Tetori Gjerman” nuk do të përqëndrohet vetëm në aktivitete klasike kulturore, por edhe në ato me karakter politik e historik.
“Diktatura dhe demokracia në epokën e ekstremeve” do të jetë ekspozita që do të hapet në datën 13 tetor në Muzeun Historik Kombëtar. Të gjithë qytetarët artdashës do të kenë mundësi t’i ndjekin aktivitetet falas.



Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)