Në nisje të vitit të ri akademik, Partia e Lirisë denoncon kushtet e vështira për studentët dhe kostot e larta me të cilat duhet të përballen, kryesisht në kryeqytet.

Edhe numri i studentëve këtë vit sipas Partisë së Lirisë është ulur ndjeshëm, me 5.5% më pak se një vit më parë dhe 18% më pak se para një dekade.

Sipas sekretares për Mardhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja, një apartament 1+1 pranë zonave universitare nis nga rreth 350 euro në muaj, ndërsa kërkesat për akomodim në konvikte janë rritur me rreth 70%.

Deklarata e Sekretares për Mardhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja:

5 tetori sjell një vit të ri akademik, por jo një realitet të ri për studentët shqiptarë.

Më 5 tetor nis viti akademik 2026–2027. Mijëra të rinj do të ulen sërish në auditorë, por përballë tyre mbeten disa prej problemeve më të mëdha të arsimit të lartë shqiptar, më pak studentë, kosto më të larta jetese, vështirësi për akomodim dhe një universitet që ende përballet me sfidën e lidhjes reale me tregun e punës.

Në vitin akademik 2025–2026 Shqipëria kishte 5.5% më pak se një vit më parë dhe rreth 18% më pak se një dekadë më parë. Rënia është veçanërisht e fortë në universitetet publike.

Ky është tregues i drejtpërdrejtë i tkurrjes së brezit të të rinjve që zgjedhin të studiojnë në Shqipëri.

Ndërkohë, për ata që vijnë në Tiranë për të studiuar, universiteti nuk fillon në auditor, por me pyetjen: ku do të jetoj?

Sipas raportimeve të fundit, një apartament 1+1 pranë zonave universitare nis nga rreth 350 euro në muaj, ndërsa kërkesat për akomodim në konvikte janë rritur me rreth 70%.

Konviktet janë alternativë më e përballueshme, por edhe këtu realiteti nuk është i njëjtë për të gjithë. Nga 28 godinat e Qytetit Studenti, 14 janë të rikonstruktuara dhe 14 të tjera vijojnë të jenë të vjetra dhe presin ndërhyrje.

Pra, në vitin 2026, një student shqiptar mund të ketë një universitet të ri, por ende të mos ketë një strehim me standarde të njëjta dhe të sigurta.

Ndërkohë, qeveria ka prezantuar një plan politikash për arsimin e lartë deri në vitin 2030, me rreth 1.09 miliardë lekë investime të parashikuara, ku përfshihen kërkimi shkencor, digjitalizimi, karriera dhe lidhja me tregun e punës.

Por, a po përkthehen këto investime në më shumë studentë që qëndrojnë në Shqipëri, më shumë të diplomuar që punojnë në profesionin e tyre dhe më shumë kërkim shkencor me ndikim real?

A është mundësia që një i ri nga Shkodra, Vlora, Korça, Kukësi apo çdo qytet tjetër të vijë në Tiranë pa e pasur universitetin të lidhur me një krizë të re financiare për familjen.

A e kanë realisht mundësinë për të studiuar, për t’u akomoduar, për të bërë kërkim shkencor, për të kryer praktikë dhe, mbi të gjitha, për të gjetur një vend pune që lidhet me atë që ka studiuar.

Viti i ri akademik duhet të jetë më shumë se një ceremoni hapjeje.

Duhet të jetë momenti për të parë me sy kritik se çfarë po ndodh me universitetet shqiptare, pse numri i studentëve vazhdon të bjerë dhe çfarë po bëhet konkretisht që të rinjtë të mos e shohin të ardhmen e tyre vetëm jashtë Shqipërisë.

Sepse një vend që humbet studentët e tij, rrezikon të humbasë edhe të ardhmen e tij.