TIRANË- 14 tetori ka qenë një e hënë normale në disa qytete të Shqipërisë, me një panoramë që nuk i ngjan pothuajse aspak nisjes së vitit të ri akademik.
Në dyert e universiteteve çdo vit e më shumë janë paraqitur më pak studentë duke bërë që disa prej degëve të mbyllen, madje në Kukës situata është më dramatike, pasi filiali i Universitetit të Tiranës nuk i ka hapur dyer për të gjashtin vit radhazi. Rritja e notës mesatare në mësuesi në 7.5, përtej synimit real për rritur cilësinë e mësuesve që do edukojnë brezin e ri, ka sjellë pasoja negative: e uljen e numrit të nxënësve në këto degë.
Në Gjirokastër ka klasa që nuk arrijnë të kalojnë numrin maksimal të 5 nxënësve në histori-gjeografi apo gjuhë-letërsi , e ndërsa në Shkodër në degën e fizikës janë "0" regjistrime. Një nga shkaqet kryesore që Universitetet e rretheve kanë më pak studentë, ka të bëjë me dëshirën e të rinjve për të studiuar dhe jetuar në Tiranë, edhe pse kjo përkthehet në më shumë kosto ekonomike për ta dhe familjen e tyre.
Shpresat për drejtuesit e këtyre institucioneve janë në fazën e tretë të regjistrimeve, në fund të tetorit, në të kundërtën dega si matematika, fizika, gjuha italiane, teknologji- informacioni, fizika, histori-gjeografia, gjuhë-letërsia në këto fakultete janë të destinuara të mbyllen.
5 vjet pas mbylljes, godina e filialit të Universitetit të Tiranës në qytetin e Kukësit është braktisur dhe po shkon drejt rrënimit të plotë. Për 7 vjet aty studiuan disa qindra të rinj nga verilindja duke i dhënë qytetit gjallëri, ndërsa nga ana tjetër ulnin shpenzimet për familjet e tyre. Por sot në vend të studentëve aty ka vetëm ferra, shkurre e mbeturina dhe është lënë në harresë. Situata aktuale e objektit është një kambanë alarmi se shumë shpejt ajo mund të degradojë, duke u kthyer në një objekt pa vlerë, për shkak të braktisjes. Banorët e qytetit të Kukësit, por edhe Hasit, Tropojës dhe Pukës, të cilët studionin në këtë filial, ngritën zërin për rihapjen e tij, madje edhe Bashkitë dhe Këshilli i Qarkut, por pa sukses. Filiali i Universitetit të Tiranës në Kukës u çel në vitin 2007 me një numër të kufizuar studentësh, por edhe pse vit pas viti numri i tyre erdhi në rritje, ai u mbyll në vitin 2014.
Katër degët matematika, fizika, gjuha italiane dhe teknologji- informacioni këtë vit nuk do të funksionojnë në universitetin e Gjirokastrës.Vendimi për mosfunksionimin e tyre është marrë që vitin e kaluar pasi nuk kishte asnjë student të regjistruar. Por edhe ky vit i ri akademik me një numër të ulet regjistrimesh 260 student, krahasuar me 315 të vitit të kaluar, të cilët kanë preferuar degët ekonomi programet dy- vjeçare dhe infermieri .
Mesatarja 7.5 ka bërë që dega e mësuesisë të ketë shumë herë më pak regjistrime se vitet e kaluara e po ashtu edhe disa dege të tjera si histori-gjeografi, gjuhë-letërsi të kenë të regjistruar 2,3 apo edhe 5 studentë. Dy ditë më parë u mbyll faza e dytë e regjistrimeve dhe ka shpresa që panorama e kësaj situate të ndryshojë, deri në fazën e tretë.
Ky vit akademik në Shkodër ka nisur me një lajm jo shumë të mirë. Në raundin e parë, në degën e fizikës ka pasur "zero" regjistrime, çka mund të çojë edhe në mbylljen e kësaj dege. Në një deklaratë për mediat, rektori i Universitetit, Adem Bekteshi tha se edhe në degët e mësuesisë ka pasur shumë pak regjistrime, kjo për shkak të rritjes së mesatares dhe një politike të re nga qeveria për ata që priten të edukojnë brezin e ri. Ndërkohë, bëri të ditur se në nivelin Bachelor janë regjistruar për herë të parë 910 studentë.