Foto: Erisa Xhixho
Deputetja e PL, Erisa Xhixho teksa ka uruar nxënësit dhe mësuesit për vitin e ri shkollor, u shpreh se ky vit nis sërish me problematika të vjetra.
Në deklaratën për media, Xhixho tha se Shqipëria humbi rreth 5,900 nxënës, ose rreth 4% të nxënësve.
Sipas saj, rënia progresive e numrit të nxënësve gjatë dekadës së fundit i ka boshatisur shkollat, sidomos ato të periferive dhe fshatrave, me një humbje të më shumë se 112 mijë nxënësve në 10 vjet.
“Ky vit i ri shkollor nis me problematikat e vjetra. E re është vetëm propaganda e Ministrisë së Arsimit. Një tjetër vit me tkurrje të numrit të nxënësve, me shkolla që mbyllen, klasa të bashkuara dhe mësim me 2 turne. Në krahasim me vitin e kaluar kemi humbur rreth 5,900 nxënës, ose rreth 4%.
Ndërsa në fshatra numri i pamjaftueshëm i nxënësve mbyll shkolla dhe lë pa punë mësues, në Tiranë nuk ka shkolla të mjaftueshme për fëmijët. Janë 146 shkolla publike që nuk e përballojnë dot kapacitetin e nxënësve. Zona e Astirit me 70 mije banorë vijon sërish pa një shkollë për fëmijët, të cilët edhe këtë vit janë të detyruar të shpërndahen nëpër shkollat e lagjeve të tjera të Tiranës. Për pasojë, prindërit e tyre humbasin orë të tëra në trafik dhe paguajnë më shumë për shkak të naftës që ka shkuar në 230 lekë për liter”, tha ajo.
Ndërkohë sipas saj vendosja e kamerave inteligjente është një aferë korruptive e qeverisë.
“Një tjetër aferë me të cilën përballen nxënësit këtë vit shkollor janë kamerat inteligjente. Në 20 ndër shkollat më të frekuentuara në Tiranë dhe Kamëz kanë nisur të instalohen rreth 600 kamera në kuadër të projektit “Smart City” një aferë tjetër korruptive. Pa asnjë konsultim paraprak me prindërit dhe pa një vlerësim specifik të ndikimit të këtij projekti në mbrojtjen e të dhënave personale.
Asnjë informacion i qartë për të dhënat që sistemi mund të mbledhë, mënyrën se si përpunohen dhe ruhen ato, kush mund të ketë akses në to dhe nëse ekzistojnë mekanizma të mjaftueshëm e të pavarur për mbikëqyrjen e kësaj teknologjie.
E gjitha kjo ndodh në një vend ku siguria e të dhënave nuk ka qenë kurrë e garantuar dhe ku, sa herë të dhënat e qytetarëve dalin në shesh, përgjigjja e qeverisë është e gatshme, fajin e kanë iranianët”, tha ajo ndër të tjera.
Lajmi kryesor:
Nis viti i ri shkollor, mbi 330 mijë nxënës në të gjithë vendin! 25 mijë prej tyre ulen për herë të parë në banka (VIDEO)







