TIRANE - Policë civilë, agjentë të shërbimeve sekrete jo vetëm shqiptare kanë nisur vëzhgimet në Tiranë, disa ditë para ardhjes së Papa Françeskut për vizitë në vendin tonë. Kjo gjë është bërë e ditur nga burime pranë Policisë së Shtetit, të cilët kanë bërë të ditur gjithashtu se, kanë përgatitur edhe një plan të detajuar masash që kanë të bëjnë me datën 21 Shtator. Vëmendja më e madhe e forcave të sigurisë është përqendruar në zonën e sheshit “Nënë Tereza” në kryeqytet ku do të zhvillohet edhe mesha e madhe e drejtuar nga Papa Françesku. Ndërtimi i altarit ku do të mbahet ky eveniment, në të cilin do të jetë Papa dhe krerët më të lartë të Shqipërisë është mbajtur nën mbykqyrje që prej nisjes së rregullimit, nga agjentë të shërbimeve sekrete dhe ata të Gardës.