Ish-ministri i drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, është shprehur se kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, e vendosi kryeministrin Edi Rama mes dy zgjedhjeve: ‘integrimit europian të Shqipërisë ose Belinda Ballukut’.

Komentet Alibeaj i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se çështja e Belinda Ballukut është kthyer në shqetësim të madh edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, duke cituar edhe fjalën e McAllister që e cilësoi këtë çështje si një test për luftën kundër korrupsionit.

Po ashtu, lidhur me McAllister, Alibeaj tha se Rama ka humbur ‘miqësinë’ me një nga komponentët më të rëndësishëm të karrierës së tij politike, një shenjë që sipas ish-ministrit tregon përplasjen e kryeministrit me Brukselin.

“McAllister është kryetari i Komisionit të Jashtëm në PE. Në 2017 nuk kam qenë në takime me të, por mund të them atë që ndodhi. Oferta që solli zotëria për PD-në, ishte shumë herë më e favorshme, qoftë në shtyrjen e datës së zgjedhjeve me 3 muaj, apo edhe me qeverinë teknike. Është një nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së. Prova më e madhe e gjendjes apo e raportit që Edi Rama si personazh politik ka mbas 13 viteve në qeverisje, të kursit të përplasjes që është futur me Brukselin, e dha sot. Lajmi është që Rama ka humbur sot një nga komponentët më të rëndësishëm të karrierës së tij politike në krye të qeverisë.

Ka qenë gjithmonë njeriu që ka pasur raporte shumë të mira, karshi edhe gjendjes ku ka qenë opozita, në mënyrë parazitare ka përfituar. Ndaj sot i ka rënë një pjesë shumë e rëndësishme nga pjedestali që ai ka ngritur. Së dyti u zyrtarizua nga fjalët e zotërisë që është në kurs përplasjeje me drejtësinë dhe së treti që integrimi europian i këtij vendi është në rrezik. Është test kritik tha për çështjen e Ballukut. Tha diçka tjetër, që nuk është çështje gjyqësore, por është çështje politike që qeveria mund dhe duhet ta zgjidhë. Pra i ka thënë Ramës që midis Ballukut dhe Brukselit zgjidh. Çdo të bëjë Rama nuk e di”, tha mes të tjerash Alibeaj.

Kujtojmë se sot, për rastin e zëvendës kryeministres Belinda Balluku, nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme nën dyshimet për abuzime me procedurat e të paktën 8 tenderave, nga Tuneli i Llogarasë te lotet për Unazën e Madhe, politikani i njohur gjerman, pranoi se çështja “pati vëmendje gjatë takimeve tona”, dhe se ai kishte dijeni që nga Brukseli.

Duke anashkaluar komentet ligjore, ai vuri në dukje megjithatë se rasti përfshin dhe “përgjegjshmërinë politike, dhe duhet zgjidhur nga qeveria”, për të shtuar më tej, në një përgjigje të dytë, se kjo çështje “përbën një test kritik për Shqipërinë në luftën ndaj korrupsionit”.

Siç deklaroi ai, kjo luftë “është e nevojshme që të vijojë. Është bërë shumë në këtë fushë, por nuk jemi ende të kënaqur”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:39
Misioni i PE në Tiranë, Ish-deputeti Petro Koçi: Kërkesa nga Europa është e qartë, duan opozitë pa Berishën në krye

1771454425_xcdgjuy.JPG

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, është shprehur se misioni i PE-së në Tiranë dha një mesazh të qartë, për një opozitë pa Sali Berishën në krye.

Komentet Koçi i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se kjo ishte një shpallje non grata defacto për Berishën.

Sipas Koçit, BE kërkon një gjeneratë tjetër në krye të Partisë Demokratike dhe largimin e Berishës nga drejtimi i kësaj force politike.

“Kishte mesazh edhe për mazhorancën edhe për opozitën. Atë për mazhorancën e trajtuam më parë që lidhej drejtpërdrejt me drejtësinë. Takuan Ramën, por nuk takuan Berishën. Sepse ata janë parlamentarë dhe mund të mos e takonin kryeministrin. E dyta, thanë duam një opozitë pa Sali Berishën. Pra na mjaftoi që takuam Gaz Bardhin e Tabakun. Në njëfarë mënyre nuk ishte non grata de jure, por de facto. Pra duam një opozitë pa Sali Berishën. Pra duam një gjeneratë tjetër në krye të opozitës. Thanë po ashtu që opozita të jetë më bashkëpunuese. Pra shohin që opozita është hipokrite në atë qasje që ka për bashkëpunim”, tha mes të tjerash Petro Koçi.

Ora 22:57
‘Rama duhet ta shkarkonte Ballukun’- Arlind Qori: Një ministër mund të pezullohet nga detyra më lehtë se një deputet, pasi nuk është zgjedhur nga populli

 

Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, është shprehur se një ministër mund të pezullohet në çdo moment nga detyra, pasi sipas tij, nuk është i zgjedhur drejtpërdrejtë nga populli.

Komentet Qori i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku komentoi mbi rastin e pezullimit nga drejtësia të Belinda Ballukut nga detyra e saj si zv.kryeministre dhe ministre.

Qori tha gjithashtu se është më problematike pezullimi i një deputeti sesa i një ministri, pasi sipas tij, ligjvënësi zgjidhet drejtpërdrejtë me votë nga populli.

“Ka shumë rëndësi të bëjmë një ndarje mes atyre që zgjidhen nga populli dhe për pasojë kanë të drejta të veçanta sepse janë të pazëvendësueshëm menjëherë. Sepse nëse pezullohet një deputet që e ka fituar mandatin, ti duhet të bësh zgjedhje nga e para për ta zëvendësuar atë deputet. Një ministër, një kryeministër, një president janë të zgjedhur nga një institucion, jo nga populli. Pra nuk pezullohet puna e një ministrie. Ministri është i heqshëm nga detyra në çdo çast”, tha mes të tjerash Qori.

Më tej Qori shtoi se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij janë kthyer në një mburojë për Ballukun, sepse sipas tij, pavarësisht vendimit të pezullimit, ende nuk e kanë shkarkuar atë nga detyra.

“Edi Rama e humbi betejën ligjore në Gjykatën Kushtetuese, sepse vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut mbeti në fuqi. Dhe në vend që ta zbatonte ligjin dhe të merrte masa dhe ta shkarkonte Ballukun, ju kujtoj që ende nuk e ka shkarkuar Ballukun, megjithëse vendimi për pezullimin e saj është në fuqi. Sot Balluku është e pezulluar, nuk shkon dot në zyrë dhe Rama ankohet që nuk funksionin ministria, ai nuk e ka shkarkuar Belinda Ballukun.

Madje thotë ‘u ndëshkua qeveria dhe unë nga vendimi i Kushtetueses? Unë ndryshoj ligjin’. Pra ‘kur ligjin e kam kundër, unë në vend që të marr përgjegjësinë dhe të zbatoj atë që më urdhëron ligji, pra të shkoj te shkarkimi i Ballukut, ndryshoj ligjin’. Është si një lojtar që bën gol me dorë, i thonë ke shkelur rregulloren dhe ai thotë ‘e ndryshoj rregullin unë, që herën tjetër të më lejohet mua që të bëj gol me dorë. Unë kam topin dhe penalltinë e gjuaj vetë’.

Imagjinoni sikur Presidenti, Avokati i Popullit, ministrat, etj, dalin në ballkonin e zyrës së tyre dhe fillojnë qëllojnë me mitraloz dhe vrasin qytetarët. Pra këtu pushteti të ndihmon jo vetëm të vjedhësh, por edhe t’i shpëtosh gjykimit. Janë tre instanca të pavarura nga njëra-tjetra. Prokurori, Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit, që vetëm në një mendësi konspiracioni siç mendon Rama, këta janë bërë bashkë, sepse i duhet edhe armiku”, shtoi Qori.