Ka momente kur një vend duhet të ndalet dhe të pyesë veten jo vetëm çfarë po bën, por si po përfaqësohet. Për Shqipërinë, një nga këto momente është sot. Sepse mënyra se si flasim dhe veprojmë jashtë kufijve tanë nuk është thjesht çështje protokolli apo imazhi, por pasqyrë e seriozitetit të shtetit dhe e ambicies sonë si vend evropian.

Një shërbim i jashtëm që funksionon mirë nuk u shërben diplomatëve si një trupë e mbyllur dhe e privilegjuar, as partive politike, por qytetarëve kudo që ndodhen, përfshirë diasporën shqiptare: investimeve që vijnë në vend, vendeve të punës që krijohen, sigurisë që garantohet, interesave ekonomike që mbrohen dhe zërit që Shqipëria ka në tryezat ku merren vendime që na prekin drejtpërdrejt.

Shërbimi i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë është një nga institucionet më përfaqësuese të shtetit. Përmes tij ndërtohet besimi, krijohen aleanca dhe mbrohen interesa afatgjata.

Ky shërbim ka traditë dhe përvojë. Ka diplomatë që ndër vite kanë përfaqësuar vendin me seriozitet dhe dinjitet, shpesh në rrethana jo të lehta. Ky kontribut meriton respekt dhe vlerësim.

Por realiteti ndërkombëtar ka ndryshuar rrënjësisht dhe diplomacia nuk zhvillohet më sipas modeleve tradicionale. Sot ajo ndërthuret drejtpërdrejt me sigurinë, ekonominë, zhvillimin, energjinë, migracionin dhe mjedisin. Në këtë realitet gjithnjë e më kërkues, Shqipëria ka marrë mbi vete përgjegjësi konkrete dhe të dukshme në skenën ndërkombëtare.

Përvojat e viteve të fundit e kanë bërë këtë të prekshme.

Kryesimi i OSBE-së në vitin 2020, në një periudhë veçanërisht sfiduese, dhe angazhimi ynë si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së treguan qartë se Shqipëria ka kapacitete njerëzore për t’u përballur me sfida diplomatike të mëdha. Por ato nxorën në pah edhe diçka tjetër: se kuadri ligjor dhe institucional ishte ndërtuar për një realitet tjetër, më pak kompleks dhe më pak kërkues.

Ndërsa vendi hyn në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kjo nevojë për ndryshim bëhet edhe më e qartë. Diplomacia sot kërkon njohuri të thelluara dhe ekspertizë konkrete në fusha që deri dje nuk ishin gjithmonë në qendër të shërbimit të jashtëm: nga politikat e brendshme të BE-së te çështjet rregullatore, ekonomike dhe të konkurrencës, përfshirë diplomacinë ekonomike, energjinë, mjedisin dhe klimën, apo edhe hapësira gjeografike ku tradicionalisht nuk kemi qenë të fokusuar.

Por mbi të gjitha, diplomacia sot kërkon një shkathtësi të re veprimi. Aftësi negociuese të thella dhe teknike. Përshtatshmëri. Koordinim efektiv. Dhe kapacitet për të vepruar dhe komunikuar shpejt në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks dhe te ndryshueshëm.

Shqipëria nuk është më thjesht vëzhguese e proceseve ndërkombëtare; ajo është një aktore që kontribuon realisht në tryezat ku merren vendime. Ky status kërkon pjekuri institucionale dhe përgjegjësi, si edhe një diplomaci që prodhon përmbajtje dhe rezultate, jo thjesht prani formale.

Në këtë fazë, Shqipëria ka nevojë për më shumë substancë sesa imazh, për më shumë ndikim sesa ekspozim publik dhe për një diplomaci që shkon përtej fasadës, përdorimit për konsum të brendshëm dhe logjikës së “business as usual”.

Reforma e shërbimit të jashtëm synon pikërisht këtë: krijimin e një sistemi që funksionon më mirë, shpërblen meritën, nxit performancën dhe investon seriozisht në formimin profesional. Një shërbim i jashtëm modern nuk mund të bazohet vetëm në precedentë apo në kohë shërbimi, por duhet të garantojë përputhjen e kapaciteteve profesionale me kërkesat reale të diplomacisë së sotme.

Projektligji pasqyron realitetin e diplomacisë bashkëkohore, ku politika e jashtme nuk zhvillohet më në ngrehina institucionale, por ndërthuret gjithnjë e më shumë me fusha të tjera të veprimit shtetëror. Për këtë arsye, ai forcon koordinimin ndërinstitucional, duke synuar koherencë dhe qartësi në përfaqësimin e qëndrimeve të Shqipërisë. Një shtet i besueshëm flet jashtë vendit me një zë të vetëm, të qartë dhe të koordinuar.

Një element i rëndësishëm i kësaj reforme është vendosja e standardeve të njëjta për të gjithë, përmes një vlerësimi profesional të rregullt dhe të besueshëm. Jo si masë ndëshkuese, por si garanci për cilësi, besueshmëri dhe zhvillim të drejtë të karrierës diplomatike. Në mungesë të standardeve të qarta, as performanca dhe as përgjegjësia nuk mund të maten realisht.

Por një reformë e shërbimit të jashtëm nuk mund të mbështetet vetëm në rregulla dhe mekanizma vlerësimi; ajo kërkon investim të qëndrueshëm te formimi i njerëzve. Pikërisht këtu hyn roli i Akademisë Diplomatike, jo më si një strukturë trajnimi sporadik, por si hapësira ku ndërthuren formimi akademik, përgatitja praktike dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional. Një shërbim i jashtëm modern ndërtohet përmes një kulture shërbimi publik të bazuar në njohuri, etikë dhe standarde evropiane, dhe Akademia Diplomatike duhet të jetë vendi ku kjo kulturë formohet dhe konsolidohet.

Po aq e rëndësishme është edhe një pasuri që Shqipëria e ka tashmë: profesionistët shqiptarë që prej vitesh punojnë në organizata ndërkombëtare dhe institucione multilaterale. Një shërbim i jashtëm modern duhet të jetë një alternativë serioze dhe afatgjatë edhe për ta, duke vënë përvojën dhe njohuritë e tyre drejtpërdrejt në shërbim të interesit kombëtar.

Asnjë ligj nuk zgjidh gjithçka me një akt të vetëm. Reformat kërkojnë kohë, lidership të përkushtuar, vazhdimësi dhe përgjegjësi institucionale. Por ato vendosin themele.

Sepse diplomacia nuk ndërtohet për një moment politik. Ajo ndërtohet për breza.

*Kryetar i Komisionit Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme*