Vizita e Papa Françeskut në Tiranë ditën e nesërme, pritet të sjellë në kryeqytet një numër të lartë njerëzish të cilët do të vijnë për të parë nga afër Atin e Shenjtë, në këtë vizitë të cilësuar historike për Shqipërinë. Në këtë kuadër, ditën e sotme janë shënuar një fluks i lartë lëvizjesh në pikat e kalimit kufitar në vend.
 
Lidhur me këtë situatë, qeveria shqiptare ka marrë masat për shtimin e kontrolleve nëpër të gjitha doganat, lidhur me çdo automjet apo person të dyshuar.
 
Kështu në pikën e kalimit kufitar të Morinës, paraditen e sotme, policia e Kukësit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe shërbimet intelegjente të saj, ka kaluar në gadishmëri të lartë dhe në shërbim të përforcuar
 
Shtimi i masave të kontrollit është shënuar edhe në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, ku për të gjithë shtetasit që futen në Shqipëri, ushtrohen kontrolle të imtësishme. 

Morinë, fluks i lartë vizitorësh, intensifikohen kontrollet
Në prag të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë të gjitha strukturat e policisë së shtetit të Qarkut Kukës kanë kaluar në gadishmëri të lartë dhe në shërbim të përforcuar. Në gadishmëri të lartë kanë kaluar edhe pikat e kalimit kufitar. Strukturat e kufirit dhe policisë së Kukësit janë duke bashkëpunuar edhe me Policinë e Kosovës dhe shërbimet intelegjente të saj.

Agjentë të shërbimeve të posaçme të Kosovës dhe Shqipërisë kanë zbarkuar në pikat e kalimit kufitar.Në pikën e kalimit kufitar të Morinës ku edhe lëvizja e shtetasëve kosovarë dhe të huaj për të hyrë në Shqipëri është më e shpeshtë, Policia e Rendit dhe ajo Kufitare po mbështetet edhe nga grupet e Forcave Speciale. Në këtë pikë kufitare po kontrollohet çdo gjë me imtësi Sipas policisë këto struktura janë vendosur për monitorimin edhe kontrollimin e vijës së parë dhe të dytë te kufirit me Kosovën.

Edhe patrulla të veçanta të Policisë Rrugore dhe grupe te gatshme te Policisë së Shtetit po patrullojnë në Rrugën e Kombit dhe po ushtrojnë kontrolle në postoblloqet e ngritura për këtë qëllim. Ndërkohë duke qenë fundjavë, sot ishte dhe një dite e ngarkuar për policinë kufitare në Morinë, pasi fluksi i lëvizjeve në hyrje të Shqipërisë ishte shumë i lartë duke rritur edhe kohëqëndrimin në doganë për shkak të kontrollit.

Ndërkohë që 60 forca policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Qarkut Kukës do të jenë në Tiranë si pjesë e forcave të policisë së shtetit të angazhuara me detyra konkrete për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara.

Kakavijë, shtohen masat e kontrollit
Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, janë shtuar masat dhe kontrollet, në kuadër të vizitës së Papa Françeskut. Mësohet se shtimi i masave, ka ardhur si rezultat i një urdhri të lëshuar nga Drejtori i Policisë, në kuadër të planit të masave të sigurisë me rastin e ardhjes së Atit të Shenjtë.
 
Sipas këtyre masave, janë shtuar kontrollet për çdo shtetas të huaj që futet në Shqipëri, ndërsa kontrolle të shumta po ushtrohen edhe në çdo automjet të dyshuar. 
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)