TIRANE - Ardhja e Papa Françeskut në Shqipëri ishte një vlerësim për qytetarët shqiptarë, dhë në këtë këndvështrim, për komunitetin mysliman mesazhi i Papa Françeskut për dialogun ndërfetar në vend, ishte dhe një vlerësim për shumicën e qytetarëve shqiptarë, që i përkasin besimit mysliman.

Në një intervistë për A1 Report, Oltion Kola përfaqësues i Komunitetit Mysliman, u shpreh se mesazhi atit të shenjtë për harmoninë dhe dialogun ndërfetar është në përputhje me atë mesazh që edhe feja islame predikon.

"Ashtu siç thotë dhe Haxhi Vehbi Dibra, ne të krishterë e myslimanë jemi shqiptarë, jemi vëllezër dhe kjo është midis shumë të tjerave ajo pjesa që na bashkon dhe mesazhi që papa përcoi ishte dhe dialogu dhe është një mesazh i përbashkët qoftë i fesë tonë qoftë dhe i fesë katolike." tha Kola

komuniteti musliman
(Në foto: Përfaqësuesi i Komunitetit Mysliman, Oltion Kola, në intervistën për A1 Report)

Përfaqësuesi i Komunitetit Mysliman Kola tregoi se edhe dhurata që kreu myslimanëve Skënder Bruçaj i dha Papa Françeskut, ditën e djeshme në takimin e Atit të Shenjtë me krerët e feve në Shqipëri, ishte një shenjë se të gjitha fetë në vend janë afër njëra tjetrës, në aspektet që i bashkojnë ato dhe jo në ato që i largojnë dhe i bëjnë të ndryshme.

"Dhurata që ju dha Papa Françeskut nga kryetari i komunitetit mysliman të Shqipërisë zoti Bruçaj kam përshtypjen që ishte domethënëse sepse domethënia e kësaj tablloje ishte sepse aty sic është parë qëndron në një ane kisha në një anë xhamia dhe këto të bashkuara me flamurin shqiptar." u shpreh Kola

komuniteti musliman
(Në foto: Dhurata e Komunitetit Mysliman për Atin e Shenjtë)

Në përmbyllje të fjalëve të tij Kola u shpreh se Komuniteti Mysliman është i gëzuar po ashtu dhe për qytetarët katolikë në Shqipëri, të cilët e kanë përjetuar vizitën e Papës në një dimension më të veçantë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)