Vizita e Papës, rikthehet
në atdhe piktura e Lin Delisë

Vizita e Papës, rikthehet<br />në atdhe piktura e Lin Delisë
TIRANE- Ekspozita “Lin Delija mes sakrales dhe profanes” u çel mbrëmë në  Galerinë Kombëtare të Arteve. Ekspozita e kuruar nga Gjon Radovani zhvillohet në kuadër të aktiviteteve kulturore, që po organizohen në pritje të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë. Me këtë rast rikthehen në atdhe piktura dhe vizatime  të piktorit  Lin Delija, i arratisur nga Shqipëria në valën e persekutimeve të dikaturës, i cili gjithë jetën jetoi dhe krijoi në Antrodoko, pranë Romës.

Ekspozita është hapur në tri salla të GKA-së dhe është ideuar në tri tema kryesore; kërkimet fillestare përmes gjestit pikturor; martirët e lirisë dhe besimit dhe kërkimi i së bukurës njerëzore. Veprat e ekspozuara janë pjesë e koleksioneve të Provincës Françeskane Shqiptare në Shkodër, të Shoqatës Art Union Albania në Tiranë, të koleksioneve private dhe të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Mbrëmë në një nga sallat e GKA-së u shfaqën dy filma dokumentarë mbi jetën dhe krijimtarinë e personalitetit të artistit, të përgatitura nga RAI. Ndërsa dje paradite në konferencën për shtyp morën pjesë drejtori i GKA z. Artan Shabani, kuratori i ekspozitës, arkitekti Gjon Radovani dhe historiania e artit, njohëse e veprës së Lin Delisë Dr. Silvia Cuppini.

Drejtori Artan Shabani ndër të tjera u shpreh se “Në ekspozitë do të paraqiten për herë të parë zhguni vetjak, që ka veshur gjatë jetës Lin Delija dhe çadra e firmosur prej dorës së vet. Piktura e Lin e Delisë është e sinqertë dhe e fuqishme dhe ajo pasqyron një botë të veçantë të një artisti që u largua nga vendi i tij”. Kuratori i ekspozitës Z. Gjon Radovani u shpreh se koncepti bazë i ekspozitës lindi nga përgjigjja e Papa Fraçeskut për gazetarët, i cili arsyetoi se e  viziton Shqipërinë si një vend ku janë bashkuar martirizimi dhe bashkëjetesa.

“Lin Delia kthehet sot në atdhe në këtë ekspozitë dhe duket sikur këto kulisa, këto mure të Galerisë Kombëtare janë ndërtuar posaçërisht për pikturat e tij. Ai kthehet me pikturat e tij, fatkeqësisht pas vdekjes, por duke simbolizuar udhëtimin drejt lirisë dhe kujtesës që ai ka lënë mbrapa në Shqipëri. Tek Lin Delija gjenden si sakralia tek profania ashtu edhe profania tek sakralia.  Piktura e tij i kushtohet shpirtërores dhe kjo vihet re si tek personazhet martirë të besimit ashtu edhe tek nudot që nuk janë aspak banale por shumë shpirtërore”, tha z. Radovani.

Historiania e artit Silvia Cuppini e përshkroi kështu pikturën e Lin Delisë tha se “Nuk ka një pikturë të Lin Delisë që të mos prezantojë qënien njerëzore. Shën Françesku ka thënë se në sytë e njeriut, në sytë e lebrozit, në sytë e të vuajturit shohim Krishtin, e pra unë mendoj se Lin Delia është Shën Françesku i ri për botën. Muzeu i Antrodokoës ka përjetësuar këtë vepër të tij, pikërisht shpirtin e Lin Delisë”. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shqiptarët më të pasur, por dhe më borxhlinj! Të ardhruat për frymë arrijnë 1.1 mln lekë

Shqiptarët më të pasur, por dhe më borxhlinj! Të ardhruat për frymë arrijnë 1.1 mln lekë