CIA 'zbut' Dodik! Ndryshon qëndrim pas vizitës së William Burns në Sarajevë: Shkëputja s’ka qenë kurrë politikë e Republika Sërpskas

CIA 'zbut' Dodik! Ndryshon qëndrim pas vizitës së William Burns në Sarajevë: Shkëputja s’ka qenë kurrë politikë e Republika Sërpskas

Millorad Dodik

Sarajevë- Presidenti i Republika Sërpska (RS) të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, tha sot (21 Gusht) se entiteti të cilin e drejton kurrë nuk e ka kundërshtuar sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH, në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe se shkëputja nuk ka qenë kurrë politikë e atij entiteti.

Kjo deklaratë vjen një ditë pasi drejtori i CIA-s, William Burns, vizitoi Sarajevën dje (20 Gusht) për të diskutuar, ndër të tjera, retorikën dhe veprimet shqetësuese separatiste të presidentit të Republika Srpska Milorad Dodik dhe qeverisë lokale, tha një zyrtar i qeverisë së Shteteve të Bashkuara, për “Radio Evropa e Lirë” në kushte anonimiteti.

Pikërisht pas vizitës në Sarajevë, Dodik shkroi në profilin e tij X se “megjithatë, Republika Sërpska ka të drejtën e një lufte politike për statusin e saj, “në përputhje me letrën e Marrëveshjes së Dejtonit”, raportuan mediat ndërkombëtare dhe ato vendase.

“Bosnje Hercegovina është një bashkim i dy njësive të barabarta dhe tre popujve përbërës, prandaj qëndrimi i zotit Burns se përgjegjësia për funksionimin e vendit bie mbi të gjitha komunitetet etnike është inkurajues”, tha Dodik, sipas "Vijesti".

Ai shtoi se "lufta kundër terrorizmit është detyrim i gjithë botës së lirë dhe se Republika Sërpska është gjithashtu e përkushtuar ndaj kësaj lufte". Kreu i RS-së tha gjithashtu se vizita e Burns ishte e rëndësishme.

Në vitet e fundit, Dodik ka rritur retorikën e tij separatiste, duke shpresuar se Rusia, Serbia dhe Hungaria do ta mbështesin atë, vëren Reuters.

“Janë mbajtur takime me kolegë të inteligjencës, anëtarë të kryesisë dhe me ministrin e Punëve të Jashtme. Ata diskutuan çështje me interes të përbashkët, duke përfshirë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës”, tha një zyrtar i qeverisë amerikane me rastin e vizitës së drejtorit të CIA-s.

Dodik në të kaluarën ka lëshuar deklarata të hapura, ku ka përmendur mundësinë e shkëputjes së Republika Sërpska nga BeH, raporton media në gjuhën serbe “Vreme”. Vetëm një muaj më parë, Dodiku tha se “vendimi për shkëputje është marrë, por data nuk dihet ende”.

“Ka një vendim për ndarje, por ende nuk është caktuar një datë specifike. Duhet bërë shumë analiza. Ne do të donim që tani, por përveç nesh janë edhe dy palë të tjera në proces. Kjo, natyrisht, kërkon kohë”, pati thënë Dodiku në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve TASS, gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg.

“Ne jemi të sigurt se në këtë fazë tashmë ka mjaft pjekuri historike, të përgjithshme civilizuese dhe mirëkuptim se kjo duhet dhe do të ndodhë”, shtoi ai.

Sipas fjalëve të tij në atë kohë, qëndrimi brenda Bosnje dhe Hercegovinës për Republika Sërpskan është “sinonim i humbjes së kohës dhe mundësive”.

“Prandaj është e nevojshme që sa më shpejt të zbatohet ajo që duam, në mënyrë që të ndalojmë humbjen e burimeve duke shpresuar se Bosnja dhe Hercegovina do të bëjë diçka”, shtoi Dodik.

Në të njëjtën kohë, ai pretendonte se Republika Sërpska “absolutisht” nuk dëshiron të krijojë “paqëndrueshmëri”.

Këto deklarata duket se u harruan sot, kur Dodik u shpreh në një linjë me kreun e CIA-s, Burns, për luftën ndaj terrorizmit dhe respektimin e marrëveshjes së Dejtonit.

Sipas disa burimeve të Radios Evropa e Lirë, në takimin në Presidencën e Bosnje-Hercegovinës ishte e pranishme edhe Zhelka Cvijanoviq, përfaqësuese e serbëve të Bosnjës në Presidencën e Bosnje-Hercegovinës.

Ajo është në listën amerikane të personave të sanksionuar, pasi veprimet e saj rrezikojnë zbatimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, integritetin dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës. Presidenti prorus i Republika Srpska, Milorad Dodik, i cili ka shpallur vazhdimisht dëshirën e tij për të ndarë Republikën Srpska nga Bosnja, është gjithashtu në listën e sanksioneve të SHBA.

Sipas kushteve të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e cila i dha fund luftës ndëretnike në Bosnje në 1992-1995, vendi u nda në dy pjesë gjysmë autonome - Republika Sërpska, e populluar kryesisht nga serbët e Bosnjës dhe Federata Myslimane-Kroate ( Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës), ku jetojnë myslimanët boshnjakë (boshnjakë) dhe kroatët e Bosnjës.

Secila pjesë ka qeverinë, parlamentin dhe policinë e saj, por të dy pjesët janë të lidhura nëpërmjet institucioneve të përbashkëta të nivelit shtetëror, duke përfshirë një institucion presidencial trepalësh shumë-etnik, gjyqësorin, ushtrinë, shërbimet e sigurisë dhe administratën tatimore.

A.Q/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • puti: 22/08/2024 12:59

    shok me mullah saliun ky

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë