WEST PALM BEACH - Lirimi i gazetares Cecilia Sala, por jo vetëm. Vizita e shpejtë e Giorgia Meloni në Mar-a-Lago për t’u takuar me Donald Trump ishte e mbushur me përmbajtje, me synimin për ta bërë atë pikën e referimit në Evropë për administratën e re.
Avioni i kryeministres u ul rreth orës 19:30 të Floridës, kur në Itali ishte ora 01:30 e mëngjesit. Pamjet nga pritja në rezidencën e presidentit të zgjedhur e treguan atë jo vetëm me Trump, por edhe me sekretarët e ardhshëm të Shtetit dhe Thesarit, Marco Rubio dhe Scott Bessent, këshilltarin për sigurinë kombëtare Mike Walz dhe ambasadorin e ardhshëm në Romë, Tilman Fertitta, si dhe ambasadoren italiane në Uashington, Mariangela Zappia.
Mbrëmja në Mar-a-Lago ishte dedikuar shfaqjes së dokumentarit "Eastman Dilemma", i cili tregon, sipas kreut të ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë, shkeljet e kryera gjatë zgjedhjeve të vitit 2020 dhe përdorimin e drejtësisë për të përndjekur atë dhe aleatët e tij. Trump u shfaq në sallë në orën 19:09, për të darkuar më pas me Melonin. Kur u kthye, e lavdëroi atë, ashtu si kishte bërë edhe më parë "Është me të vërtetë emocionuese, jam këtu me një grua të jashtëzakonshme, kryeministren italiane. Ajo ka pushtuar Evropën dhe të gjithë të tjerët, dhe sonte do të darkojmë së bashku."
Rubio e përshkroi kryeministren si "një aleate të madhe, një udhëheqëse të fortë." Pas darkës, në orën 21:13, Trump u kthye me Meloni në sallën ku po shfaqej dokumentari, për ta parë së bashku me të dhe të ftuarit e tjerë. Kryeministrja nuk qëndroi për të fjetur dhe pak pas orës 23:00 meorën lokale, kur në Itali ishte ora 05:00 e mëngjesit, avioni i saj u nis nga West Palm Beach.
New York Times shkroi se vizita e papritur "forcon shpresat e mbështetësve të Melonit që kryeministrja konservatore italiane të bëhet aleatja e referimit e Trump në Evropë. Një pjesë e madhe e këtij roli do të konsistonte në ndërmjetësimin e tensioneve midis liderëve të tjerë evropianë dhe Trump, i cili ka kërcënuar të nisë një luftë tregtare me kontinentin, përveçse të reduktojë mbështetjen amerikane për disa vende të NATO-s dhe për Ukrainën në luftën kundër Rusisë." Times shtoi se një tjetër temë diskutimi ishte ndalimi në Iran i gazetares Cecilia Sala, ndodhur pak ditë pasi Italia kishte arrestuar në Milano, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Mohammed Abedini Najafabadi, një iranian i akuzuar për furnizimin me komponentë për dronë për Gardën Revolucionare Iraniane dhe grupet terroriste të lidhura me regjimin e Teheranit.
"Irani – shkroi New York Times – shpesh ka mbajtur të ndaluar të huaj dhe qytetarë me shtetësi të dyfishtë për t’i shkëmbyer me para ose persona. Një burim i informuar për takimin tha se Meloni kishte bërë presion për këtë çështje." Synimi do të ishte shmangia e kërkesës për ekstradim nga ana e Shteteve të Bashkuara, ose të paktën marrja e një garancie nga Trump për të mbyllur një sy mbi vendimet që Roma mund të marrë në ditët në vijim, përfshirë kërkesën për arrest shtëpiak për Abedinin, për të lehtësuar lirimin e Sala. Times vuri në dukje se Meloni "ka gjithashtu një marrëdhënie të mirë me Elon Musk, dhe mbështetësit e saj shpresojnë se kjo do të forcojë peshën e saj ndërkombëtare sapo Trump të bëhet president." Themeluesi i Tesla nuk u pa, të paktën në fotot e takimit që u publikuan.
Sipas Paolo Zampolli, një mik dhe bashkëpunëtor i presidentit që nga 20 janari do të kthehet në Zyrën Ovale, "lirimi i Cecilia Sala është padyshim një temë e rëndësishme, por kjo vizitë tregon se Trump ka zgjedhur aleatin e tij kryesor në Evropë, dhe më në fund kjo do të jetë Italia." Liderët e tjerë që e kanë takuar atë në Mar-a-Lago pas zgjedhjeve kanë qenë hungarezi Orban, kanadezi Trudeau dhe argjentinasi Milei, por "është e qartë se Meloni është bashkëbiseduesja evropiane më e rëndësishme" dhe gjithashtu anëtarja e parë e G7 nga Evropa që viziton kreun e ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë në rezidencën e tij në Florida. Pjesëmarrja e personave të tjerë në tavolinë, si sekretari i Shtetit, ai i Thesarit dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, tregon se axhenda ishte e gjerë dhe preku të gjitha aspektet më të rëndësishme të marrëdhënieve SHBA-Itali./La Repubblica