Kryeministri Edi Rama është shprehur se Presidentin i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed Bin Zayed, ka qenë dhe mbetet një mik i vyer i shqiptarëve.

Komentet Rama i bëri në podkastin e tij ‘Flasim’, ku rrëfeu detaje nga takimi me Presedentin e Emirateve, gjatë vizitës së tij pak ditë më parë në Abu Dhabi.

Vizita sipas kryeministrit, ishte në shenjë solidariteti pas agresionit nga Irani, gjatë luftimeve të Teheranit kundër SHBA-së dhe Izraelit.

Rama përmendi se Presidenti Zayed urdhëroi vënien në dispozicion për Shqipërinë të fondit më të madh të solidaritetit, për tërmetin e vitit 2019, fond me të cilin sipas kryeministrit, u ndërtua një lagje moderne në Durrës.

Më tej Rama përmendi edhe të atin e Presidentit Zayed, i cili sipas tij, ka dhënë një ndihmë të vyer për popullsinë e Kosovës, gjatë kohës së luftës në vitin 1999.

“Pata një vizitë të shkurtër në Abu Dhabi dhe më pas edhe në Greqi. Në Abu Dhabi shkova për të takuar një mik shumë të çmuar të Shqipërisë e të shqiptarëve, por edhe një lider nga më të respektuarit sot botërisht, që kam nderin ta konsideroj edhe mikun tim, Presidentin Sheik Muhamed Bin Zayed, në një moment shumë të ndjeshëm për vendin e tij dhe për atë rajon të përfshirë në një konflikt si rezultat i sulmit ndaj regjimit kriminal të Teheranit. Ishte një vizitë solidariteti, për të konfirmuar vëllazërinë që na lidh me ato vende. Emiratet do e kalojnë këtë fazë dhe do të dalin më të forta nga kjo sfidë.

Presidenti i Emirateve është një mik i sprovuar i Shqipërisë, pasi që në rininë e tij ai ka ardhur në Shqipëri për të udhëhequr grupin e dërguar nga i Ati, i ndjeri She Zayed, në ndihmë të atyre shqiptarëve që braktisën shtëpitë e tyre në Kosovë dhe u dyndën në Shqipëri, ku qëndruan në masë të madhe në Kukës, për të ikur nga makineria vrastare e Millosheviçit.

Me atë njeri të madh është ndërtuar një marrëdhënie që në 10 vitet e fundit ka marrë një përmasë krejt tjetër. Ishte pikërisht Presidenti i Emirateve që urdhëroi disbursimin e fondit më të madh të solidaritetit pas tërmetit, fond me të cilin është ndërtuar një lagje moderne në Durrës. Me Emiratet na lidhin edhe punë e projekte të karakterit strategjik. Nga ane e Presidentit të Emirateve mora një energji pozitive për Shqipërinë dhe konfirmimin se miqësia jonë bëhet më e fortë dhe se aleanca jonë do të forcohet hap pas hapi”, tha mes të tjerash Rama.


Lajmi kryesor:

Vizita në Greqi/ Rama: Dokument i ri i Partneritetit Strategjik me Greqinë brenda vitit, Mitsotakis ka vullnet për adresimin e çështjeve të mbartura