Gjatë vizitës së zhvilluar në Prishtinë këtë fundjavë, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka takuar krerët e partive politike në Kosovë, ndërsa në vend vijon fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme.

Hoxha bën me dije se ka përgëzuar kryetarin e ri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjinin. Përmes një postimi në X, ai vlerëson edhe kontributin e ish-drejtuesit të kësaj partie, Ramush Haradinajt.

“Në selinë e Aleancës, pata kënaqësinë të takoj dhe përgëzoj Kryetarin Ardian Gjini, për marrjen e drejtimit të kësaj force politike në një moment të rëndësishëm për zhvillimet politike në Kosovë. Njëkohësisht, shpreha vlerësimin tim për kontributin e çmuar të ish-kryetarit, Ramush Haradinaj, si në drejtimin e Aleancës ndër vite ashtu edhe në avancimin e agjendës shtetërore të Kosovës, veçanërisht në sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare për rrugëtimin e saj euroatlantik”, shkruan Hoxha.

Gjithashtu ai ka takuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike, Bedri Hamzën.

“Pata kënaqësinë e një takimi të ngrohtë dhe miqësor me Kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, me të cilin shkëmbyem mendime mbi zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe sfidat e periudhës në vijim”, shkruan ministri.

Sipas Hoxhës, partitë mund të luajë rol konstruktiv në ndërtimin e konsensusit politik, ndërsa është theksuar rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi dhe mbështetja e plotë e Shqipërisë për Kosovën.

“Theksova rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve, konsolidimit të paqes së qëndrueshme dhe përparimit në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar njëkohësisht nevojën për përgjegjësi dhe llogaridhënie ndaj çdo veprimi që cenon sgurinë e Kosovës dhe  stabilitetin rajonal. Riafirmova mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën, në çdo kohë dhe në çdo aspekt, si për forcimin e demokracisë, institucioneve dhe zhvillimit të saj, ashtu edhe për konsolidimin e rolit të Kosovës si faktor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, shkruan Hoxha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:44
Ferit Hoxha takohet me nënkryetarin e LDK-së Lutfi Haziri, bashkëpunimi shqiptar në qendër të diskutimeve

Ministri i jashtëm Ferit Hoxha dhe nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri

Lutfi Haziri ka pritur në Prishtinë ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxhën, me të cilin ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nënkryetari i LDK-së tha se në fokus të bisedës kanë qenë koordinimi i mëtejshëm i politikave dhe veprimeve mes dy shteteve, mbështetja e Shqipërisë për integrimin e Kosovës në NATO dhe BE, si dhe realizimi i nismave strategjike që afrojnë qytetarët dhe forcojnë bashkëpunimin rajonal. Haziri e cilësoi takimin si të përzemërt dhe e falënderoi kryediplomatin shqiptar për vizitën në selinë e LDK-së.

“Në emër të LDK-së dhe kryetarit Abdixhiku, pata kënaqësinë ta mirëpres në takim ministrin për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha. Në këtë takim të përzemërt, kemi diskutuar për koordinimin e mëtejmë të veprimeve dhe politikave ndërmjet dy shteteve tona, për rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në mbështetjen e proceseve integruese të Kosovës në NATO dhe BE, si dhe për realizimin e nismave strategjike që afrojmë më shumë qytetarët dhe forcojnë bashkëpunimin rajonal dhe brenda shqiptar”, shkroi Haziri në një postim në Facebook.

“E falënderoj përzemërsisht për vizitën në partinë që i vuri themelet e lirisë, pavarësisë e shtetndërtimit, ministrin për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha”, shtoi ai.