Mes axhendës së ngjeshur në Mynih, Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali bëri një ndalesë që lidhet drejtpërdrejt me studimet shqiptare në Europë. Ajo vizitoi Katedrën e Albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilian të Mynihut, një strukturë me histori gati 60-vjeçare, ku foli për lidhjet e qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Europës nëpërmjet dijes dhe diplomacisë.
Ajo u prit nga zv.presidentja për Humanitetet, Prof. Dr. Carola Metzner-Nebelsick, drejtuesja e katedrës Prof. Dr. Enkeleida Kapia, anëtarë të dekanatit, pedagogë, studentë dhe alumni. Në takim u rikthye vëmendja te pesha historike, akademike dhe politike që kjo katedër ka pasur që nga themelimi i saj, gati 60 vite më parë.
Katedra u ngrit nën drejtimin e Prof. Dr. Martin Camaj, me mbështetjen e shtetit bavarez ndër dekada, ndërsa sot mbështetet edhe nga shteti shqiptar dhe Kryeministri Rama. Sipas Spiropalit, puna kërkimore e bërë ndër vite e ka kthyer albanologjinë në Mynih në një pikë të rëndësishme referimi për marrëdhëniet që Shqipëria ka pasur historikisht me Europën, si në planin politik ashtu edhe kulturor.
“Kjo katedër ka qenë dhe mbetet një pikë referimi për studimin e gjuhës, historisë dhe identitetit shqiptar në hapësirën europiane. Rrugëtimi ynë europian nuk është ndërtuar vetëm nga politika, por edhe mbi themele identitare, akademike dhe kulturore”, tha Spiropali.
Komente











