TIRANË - Dënimi me 1 vit burg nga 6 që kërkoi prokuroria për ish drejtorin e emisionit të parave në bankën e Shqipërisë Dorian Çollaku dhe dënimet e 9 ish-zyrtarëve të tjerë të akuzuar për shpërdorim detyre janë apeluar nga Prokuroria e Tiranës.

Apelimi i dënimeve konfirmohet për A1 Report nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët sqaruan se kërkesë për prishjen e vendimeve të dhëna nga Gjykata penale e Tiranës është bërë pasi dënimet e dhëna janë të ulëta në raport me veprën penale të kryera nga ish zyrtarët e bankës.

Po ashtu thanë burimet, zyrtarët me veprimet e mosveprimet e tyre i krijuan mundësi Ardian Bitrajt të vidhte 713 milionë lekë dhe dënimet me 1 vit e maksimumi 1 vit e 6 muaj të dhëna nga gjykata janë të pajustifikueshme.

Prokuroria kërkoi 56 vite burg për Çollakun dhe vartësit e tij, ndërsa gjykatësi Martin Deda dy ditë më parë i reduktoi në 11.1 vite burg, duke i dhënë mundësi disa prej të dënuarve të fitojnë lirinë pasi kanë konsumuar dënimet me afatet e paraburgimit.

Pritet që javën e ardhshme gjykata e apelit të hedh shortin për të caktuar trupën gjykuese dhe datën e seancës së parë në apel, aty ku akuza do të kërkoj prishjen e vendimit dhe dënimet e ish zyrtarëve të bankës sipas pretencës.

Vjedhja e 713 milioën lekëve në thesar u zbulua pas një auditi në bankë më 21 korrik 2014, ndërsa prej asaj dite ende nuk është gjetur destinacioni i parave dhe me anë të një padie civile banka dhe avokatura e shtetit kanë kërkuar kthimin e vlerës monetare.

 
Gjykata Shkallës së Parë ka vendosur për:
Dorian Çollakun 1 vit burg,
Myzejen Belba 1.4 vite burg,
Bashkim Xhilaga 1.4 vite burg, liri me kusht për arsye shëndetësore,
Liljana Tusha 1.4 vite burg,
Lavdim Cani 1.4 vite burg
Dhimitër Davidhi 1.6 vite burg,
Bahri Allushi 1 vit burg
Gentjan Jahja 8 muaj burg,
Fatbardha Gurthi 8 muaj burg,
Mehdi Marku 1 vit burg

Pretenca e kërkuar nga  56 vite burg për 10 të pandehurit:
Dorian Çollakun, 6 vite burgim
Bashkim Xhilagën, 6 vite burgim
Myzejen Belbën, 6 vite burgim
Lavdim Canin, 6 vite burgim
Liljana Tushën, 6 vite burgim
Dhimitër Davidhi, 6 vite burgim
Bahri Allushin, 5 vite burgim
Gentjan Jahjën, 5 vite burgim
Fatbardha Gurthi, 5 vite burgim
Mehdi Markun, 5 vite burgim 

Vjedhja e thesarit të BSH dhe 2 procese të tjera gjyqësore 
I vetmi që ka pranuar deri më tani vjedhjen është Ardian Bitraj ish shefi arkës stok në thesar ndërsa nën akuzë sëbashku me të janë Mimoza Bruzia kolegia e Bitraj dhe nipi i tij Klevis Betja.

8 Muaj pas skandalit të vjedhjes së thesarit hetimet mbeten të hapura vetëm për ish guvernatorin Adrian Fullani i cili po hetohet për shpërdorim detyrë e abuzime me tendera, ndërsa Elivar Golemi ish inspektorja e përgjithshme e Bankës po gjykohet në një proces të veçuar. 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)