Ministria e Mbrojtjes ka përshëndetur angazhimin personal të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, lidhur me denoncimin e bërë për mungesën e krijuar në vite të lëndëve plasëse në depot pranë fshatit Nuaj të Krujës.  Nga ku u zbulua se ishin vjedhur ndër vite 12.000 kallëpe tritoli me një vlerë prej rreth 200 milionë lekë, ku u arrestuar edhe tetari Adem Hasani.
 
Në komunikatën e publikuar për mediat, Ministria e Mbrojtjes theksohet se e gjendur përballë mosreagimit nga prokuroria e Krujës, Mimi Kodheli është detyruar të kontaktojë personalisht me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili ka vënë në lëvizje Prokurorinë e rrethit Krujë. 
 
Duke vlerësuar angazhimin e kryeprokurorit, Ministria e Mbrojtjes shprehet se mbetet shpresëplotë se po me të njëjtën mënyrë Llalla do të veprojë edhe për dosjet e tjera të depozituara nga kjo ministri në organin që ai drejton.
 

Komunikata e plotë e Ministrisë së Mbrojtjes  
Ministria e Mbrojtjes përshëndet angazhimin personal të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, lidhur me denoncimin e bërë nga ana jonë për mungesën e krijuar në vite të lëndëve plasëse në depot pranë fshatit Nuaj të Krujës.  
 
Pas miratimit të strukturës së re nga Presidenti i Republikës, ndër të tjera, bazuar në një urdhër të Ministrit të Mbrojtjes në tetor 2014 filloi procesi i inventarizimit të plotë e të detajuar në të gjithë vendin.  Ministri kërkoi që kjo procedurë të bëhet në të njëjtën kohë në të gjithë vendin me prezencën e anëtarëve të komisionit, të komandave, ministrisë dhe shtabit të përgjithshëm, proces i cili është ende në vazhdim.
 
Në muajin tetor gjatë punës për inventarizimin, në grup-depot e Brigadës së Mbështetjes në fshatin Nuaj të rrethit të Krujës, u konstatua se mungonte një sasi e konsiderueshme lëndësh plasëse.
 
Strukturat e FA-ve pasi konstatuan shkeljet vunë nën vëzhgim tetarin Adem Hasani, magaziner në këto grup-depo, si dhe kontaktuan me Prokurorinë e Policinë e rrethit Krujë, duke kërkuar ndalimin e tij në flagrancë.
 
Përballë mosreagimit nga prokuroria e Krujës, për shkeljet e konstatuara dhe informacionet që disponoheshin për largim të mundshëm nga vendi të këtij shtetasi, në bazë të ligjit të disiplinës ushtarake, komanda u detyrua të bëjë ndalimin e tetarit Hasani në Policinë Ushtarake në 4 nëntor. 
 
Në këto kushte, Ministria e Mbrojtjes znj.Mimi Kodheli, është detyruar të kontaktojë personalisht me Prokurorin e Përgjithshëm z.Adriatik Llalla, i cili ka vënë në lëvizje Prokurorinë e rrethit Krujë.
 
Ministria e Mbrojtjes e falënderon z.Llalla për disponibilitetin e menjëhershëm të tij, dhe mbetet shpresëplotë se po me të njëjtën mënyrë do të veprojë edhe për dosjet e tjera të depozituara nga kjo ministri në organin që ai drejton.
 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)