TIRANE- Ish-Drejtori i Qendrës së Emisionit Dorian Çollaku, burri i mbesës së guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, është urdhëruar të ndalohet nga policia e kryeqytetit. Çollaku, i shkarkuar tre ditë më parë nga Këshilli Mbikqyrës i bankës, tashmë do të përballet me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” të ngritur nga njësia hetimore Task-Forcë. Mësohet se pas lëshimit të urdhrit të ndalimit nga prokurori i çështjes Ramadan Troci, një grup efektivësh kanë shkuar në banesën e tij, për ta arrestuar por në fakt dera e apartamentit ka rezultuar e mbyllur.

Për pasojë është kontaktuar në telefon vetë Dorian Çollaku, i cili gjatë bisedës me policinë, i ka pohuar se nuk ishte në dijeni të urdhrit të ndalimit nga prokuroria e Tiranës. Më tej Çollaku ka shtuar se ai nuk ndodhej në Tiranë, pasi ishte me pushime në zonën e Jugut. Pas kësaj bisede Dorian Çollaku u ka premtuar efektivave të policisë, se do udhëtonte në drejtim të Tiranës, ku pritet të dorëzohet vetë para organeve të drejtësisë. Sipas prokurorisë së kryeqytetit Çollaku është bashkëfajtor në vjedhjen e Thesarit të Shtetit, pasi nuk ka respektuar siç duhet rregulloren dhe nuk ka kryer funksionin e tij si drejtor i Thesarit të Shtetit. Çollaku ka hyrë në Departamentin e Emisionit në muajin shtator 2011, dhe është marrë në punë me firmën e Ardian Fullanit.

Në dëshminë e tij, Ardian Bitraj ka treguar se vjedhjen në bankë e ka kryer qysh prej vitit 2011, dhe se këtë veprim e ka kryer edhe për shkak të mos aftësisë së drejtorit të ri, për ta kontrolluar situatën brenda në Thesarin e Shtetit. Për të hedhur dritë mbi mënyrën, veprimet dhe përcaktuar rolin e secilit prej personave që kanë pasur në përgjegjësi ruajtjen dhe më pas shkatërrimin e stokut të parave të dala jashtë qarkullimit, është pyetur nga prokurorët Dorian Çollaku. Ky i fundit ka pranuar se ka pasur nën varësi, dy shtetasit e arrestuar Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, dhe ka shpjeguar funksionin dhe detyrat e tij. Teksa është pyetur nga prokurorët se ai ishte në dijeni të mungesës së parave, Çollaku ka pohuar se nuk kishte dijeni dhe askush nga eprorët nuk kishte njoftuar për veprimet e Ardian Bitraj.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)