Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se nëse do të vinte një emër për president nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, do të kishte një “konsensus automatik” në shoqëri.

“Konsensus të partive politike, deri më tani të vetmit emra që kanë shkaktuar automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë është një president nga radhët e familjes së nderuar Jashari”, tha ai për mediat më 25 shkurt, pas takimit me ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali.

I pyetur se a ka vullnet nga familja Jashari për këtë çështje, Konjufca tha se nuk i takon të flasë në emër të tyre.

“Duhet të shkoni atje dhe ta merrni përgjigjen, nuk jam unë këtu që të supozoj se kjo është. Ka qenë kryeministri aty”, tha ai.

Deputetët e Kosovës kanë afat deri më 4 mars që të zgjedhin presidentin e ri, pasi presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati pesëvjeçar më 4 prill. 

Osmani u zgjodh presidente për herë të parë më 2021 duke gëzuar mbështetjen e Vetëvendosjes së Kurtit, por deri tani, as Kurti e as zyrtarë të partisë së tij nuk kanë shprehur mbështetje publike për një mandat të dytë për të.

Ajo ka ngulur këmbë i duhet një mandat i dytë për t’i vazhduar “punët e mira” që ka thënë se i ka nisur.

Për të garuar për president të vendit, një kandidat duhet t’i sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve, ndërsa nevojiten dy të tretat e votave në Kuvendin me 120 vende për ta fituar atë pozitë.

Kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy raundet e para të votimit një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61 vota.