TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit si presidente e re e Kosovës. Rama shkruan se tani më duhet fokusuar te puna për realizimin e programit qeverisës. 

"Zgjedhja e Presidentes së re të Kosovës dje nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmbyll kuadrin institucional të vendit dhe garanton qëndrueshmërinë e nevojshme për t'u fokusuar tek puna për realizimin e programit qeverisës! Qoftë një punë e mbarë dhe e suksesshme për popullin", shkruan Rama.

Osmanin e ka uruar sot edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Ai ka vlerësuar figurën e saj. 

Postimi i kryeministrit Edi Rama

Vjosa Osmani u zgjodh presidente në raundin e tretë e cila mori 71 vota nga 61 votat e nevojshme. Ajo ishte ne garë me Nasuf Bejtja, i cili arriti të merrte vetëm 4 vota. Në fjalën e saj të parë si presidente, Osmani tha se kjo ishte një ditë e rëndësishme për Kosovën duke premtuar se do të punojë shumë për vendin, teksa në një moment edhe u përlot.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:54
Xhaçka uron presidenten Vjosa Osmani: Me kontributin e saj, Kosova do të jetë e gatshme të përballet me sfida të mëdha

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, ka uruar presidenten e re të Kosovës, Vjosa Osmani.

Xhaçka shkruan se është e bindur që me kontributin e saj, Kosova do të jetë e gatshme të përballet me sfidat e mëdha që e presin si dialogun, integrimin, zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë.

Ora 10:21
Kreu i Kuvendit uron Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani! Ruçi: Vizioni e energjitë tuaja, garanci  për lidership largpamës

Pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit në krye të shtetit të Kosovës, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi, e ka vlerësuar figurën e saj.

Përmes një mesazhi urimi Ruçi shkruan se mbështetja dhe partneriteti i ngushtë me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, është premisa dhe garancia se Kosova do të përballojë e kapërcejë me sukses sfidat e vështira.

“Me rastin e zgjedhjes Tuaj Presidente e Republikës së Kosovës, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, Ju uroj suksese në detyrën Tuaj të lartë, të nderuar dhe fisnike. Jam i bindur se vizioni, ambiciet dhe energjitë Tuaja, të bashkuara me përvojën në drejtimin e institucioneve të rëndësishme të Republikës, do t’i garantojnë Kosovës një lidership të fortë, të qëndrueshëm e largpamës,  popullit kosovar unitetin e harmoninë e nevojshme dhe institucioneve e forcave politike bashkëpunimin produktiv për të ecur përpara.

Mbështetja dhe partneriteti i ngushtë me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, është premisa dhe garancia se Kosova do të përballojë e kapërcejë me sukses sfidat e vështira dhe detyrat madhore të zhvillimit, përparimit, mirëqenies,  integrimit euro-atlantik,  rritjes së njohjes ndërkombëtare dhe kontributit  për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon e më gjerë.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.