Qeveria ka miratuar një vendim të ri për përcaktimin e autoriteteve mbikëqyrëse në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Ky vendim zëvendëson aktin e vitit 2009 dhe përcakton më qartë institucionet që do të kontrollojnë sektorë të ndryshëm financiarë e ekonomikë.
Banka e Shqipërisë do të mbikëqyrë bankat e nivelit të dytë, institucionet financiare jobankare dhe shërbimet e pagesave elektronike. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të kontrollojë bursat, sigurimet, fondet e investimeve dhe aktivitetet me monedha digjitale. Agjencia e Inteligjencës Financiare merr një rol më të gjerë, duke mbikëqyrur agjencitë e udhëtimit, ndërtimin, tregtimin e metaleve të çmuara dhe këshilltarët tatimorë.
Në rast të konstatimit të cdo dyshimi, informacioni apo të dhëne që lidhet me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit apo financimin e armëve të shkatërrimit në masë, autoritetet mbikëqyrse duhet të raportojnë Agjencinë e Inteligjencës financiare jo më vonë se 72 orë.
Me këtë rregullim të ri, qeveria synon të forcojë transparencën financiare, të luftojë pastrimin e parave dhe të përshtatet me zhvillimet e reja digjitale në ekonomi.
VKM:
V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E AUTORITETEVE MBIKËQYRËSE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 24, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Autoritete mbikëqyrëse, për subjektet e ligjit në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, janë:
1. Banka e Shqipërisë për:
a) subjektet bankare, si dhe çdo subjekt tjetër që licencohet apo mbikëqyret prej saj;
b) institucionet financiare jobankare;
c) institucionet e pagesave;
ç) institucionet e parasë elektronike;
d) zyrat e këmbimeve valutore;
dh) shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre;
e) shërbimet e pagesave të kryera nga ofruesit e shërbimeve postare.
2. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për:
a) bursat dhe çdo subjekt tjetër (agjent, broker, shoqëri komisionere etj.), që ushtrojnë veprimtari për emetimin, këshillimin, ndërmjetësimin, financimin dhe çdo shërbim tjetër, që ka lidhje me tregtimin e titujve, duke përfshirë edhe si më poshtë:
i. Marrjen e transmetimin e urdhrave për një ose më shumë instrumente financiare;
ii. Ekzekutimin e urdhrave në emër të klientëve;
iii. Tregtimin për llogari të vet;
iv. Administrimin e portofolit;
v. Këshillimin dhe dhënien e rekomandimeve për investime;
vi. Nënshkrimin e instrumenteve financiare dhe/ose hedhjen në treg të tyre;
vii. Operimin e një platforme shumëpalëshe tregtimi ose platforme të organizuar tregtimi, përfshirë bursat, agjentin e shoqërisë, si dhe shoqëritë emetuese të titujve.
b) shoqëritë, që merren me sigurimin e jetës ose risigurimin, agjentët apo ndërmjetësit e tyre, si dhe fondet e pensionit;
c) shoqëritë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe fondeve të pensioneve, si dhe agjentët e tyre;
ç) çdo subjekt, që ushtron aktivitetin e emetimit, të shpërndarjes, të tregtimit, të ruajtjes dhe transferimit të tokenave digjitalë dhe/ose monedhave digjitale, agjentit të tokenave digjitalë dhe sipërmarrjes së automatizuar të investimeve kolektive DT;
d) çdo subjekt, që ushtron veprimtari në tituj, i cili lejohet të mbajë apo të administrojë paratë dhe/ose aktivet e klientit.
3. organet e qeverisjes qendrore, për çdo person juridik, publik në varësi, brenda fushës së përgjegjësisë, që kryejnë veprime juridike për tjetërsimin e dhënien në përdorim të pronës shtetërore ose që kryejnë evidentimin, transferimin apo tjetërsimin e pronës shtetërore.
4. Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit apo çdo autoritet tjetër i ngarkuar me ligj për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet, të çfarëdo forme.
5. Ministria e Drejtësisë për:
a) noterët;
b) ndërmjetësit/agjentët e pasurive të paluajtshme;
c) profesionet e tjera të lira që licencon.
6. Dhoma Kombëtare e Avokatisë për avokatët.
7. ministria përgjegjëse për infrastrukturën për çdo person, fizik apo juridik, që kanë si objekt të veprimtarisë:
a) tregtimin e mjeteve motorike tokësore, lundruese apo ajrore;
b) veprimtaritë e spedicionit dhe/ose të transportit.
8. Agjencia e Inteligjencës Financiare për:
a) agjencitë e udhëtimit;
b) shoqëritë e ndërtimit;
c) bizneset e metaleve dhe të gurëve të çmuar;
ç) çdo person fizik ose juridik, të cilët ofrojnë për një klient shërbimet, si më poshtë:
i. Vepron si agjent formimi i personave juridikë;
ii. Vepron ose cakton dikë tjetër të veprojë si një drejtor ose administrator i një personi juridik, pjesëtar i një ortakërie apo në një pozitë të ngjashme lidhur me persona të tjerë juridikë;
iii. Siguron një zyrë të regjistruar, akomodim ose adresë për biznesin, adresë zyrtare ose me korrespondencë për një shoqëri tregtare, partneritet, person juridik apo organizime ligjore;
iv. Vepron ose cakton dikë tjetër të veprojë si i besuar i një organizimi ligjor ose kryen funksion ekuivalent për një formë tjetër organizimi ligjor;
v. Vepron ose cakton dikë tjetër të veprojë si një aksionar dhe/ose ortak i shoqërive, që kanë aksione të mbajtësit për një person tjetër.
d) këshilltarët tatimorë, si dhe për çdo person tjetër që merr përsipër të ofrojë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet personave të tjerë, me të cilët ai person ka lidhje, ndihmë materiale, asistencë apo këshillim për çështje tatimore, si biznes kryesor apo veprimtari profesionale.
9. Bordi i Mbikëqyrjes Publike për:
a) audituesit ligjorë;
b) kontabilistët e miratuar.
10. ministria përgjegjëse për kulturën për:
a) shitblerjen me ankand të sendeve me vlerë në fushën e artit e të kulturës mbi 1 000 000 (një milion) lekë ose më shumë;
b) shitblerjen apo ndërmjetësimin e veprave të artit, përfshirë kur kjo kryhet nga galeritë e artit apo shtëpitë e ankandeve, kur vlera e transaksionit të vetëm apo e transaksioneve të lidhura me njëra-tjetrën është e barabartë apo më e madhe se 1 000 000 (një milion) lekë, pavarësisht nëse transaksioni kryhet në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura me njëra-tjetrën;
c) magazinimin, shitblerjen apo ndërmjetësimin e veprave të artit, kur kjo kryhet në “zonat e lira”, kur vlera e transaksionit të vetëm apo e transaksioneve të lidhura me njëra-tjetrën është e barabartë apo më e madhe se 1 000 000 (një milion) lekë, pavarësisht nëse transaksioni kryhet në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura me njëra-tjetrën.
11. organet tatimore për çdo individ, person fizik apo juridik, që tregton mallra apo shërbime në masën që kryen apo pranon pagesa në para fizike në një shumë prej 1 000 000 (një milion) lekësh ose më shumë, pavarësisht nëse transaksioni kryhet në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura.
II. Vendimi nr.343, datë 8.4.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrat dhe procedurat e raportimit të autoriteteve licencuese dhe/ose mbikëqyrëse”, shfuqizohet.
III. Ngarkohen Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe autoritetet mbikëqyrëse, të përcaktuara në kreun I, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
Komente










