Qeveria ka miratuar një skemë të re mbështetjeje financiare për bizneset e vogla dhe të mesme për vitin 2026, me një fond total prej 100 milionë lekësh.

Vendimi, i publikuar të mërkurën nga Këshilli i Ministrave, përcakton kriteret dhe kushtet për përfitimin e këtij fondi, i cili synon të rrisë konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, si dhe nxitjen drejt eksportit.

Sipas vendimit, çdo biznes mund të përfitojë financim që mbulon deri në 100% të kostove të miratuara, por jo më shumë se 2.5 milionë lekë.

Fondi do të përdoret për një sërë aktivitetesh, duke përfshirë certifikimin e standardeve, përmirësimin e produkteve dhe ambalazhimit, trajnimin e stafit dhe zhvillimin e teknologjive të reja.

Po ashtu, mbështetje do të jepet edhe për krijimin e aplikacioneve apo platformave për tregtinë online dhe modernizimin e proceseve të biznesit.

Për të përfituar, bizneset duhet të paraqesin një plan të detajuar, me objektiva të qarta dhe rezultate të matshme, si dhe të provojnë se aktiviteti i tyre ndikon në rritjen e punësimit dhe ka impakt pozitiv në mjedis.

Ndërkohë, nga kjo skemë përjashtohen ndërmarrjet që kanë marrë financime të tjera për të njëjtat aktivitete nga donatorë apo institucione financiare.

Shpërndarja e fondit do të bëhet në dy këste, sipas procedurave të përcaktuara nga qeveria.

Zbatimi i këtij vendimi do të ndiqet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.